MENU
klinika

Ylli që muzika njohu...

Pagarusha shkëlqimi kumbues i këngës

07.05.2019 - 12:05

Nexhmije Pagarusha, artistja e madhe që gjithë jetën ia kushtoi për dekada të tëra, muzikës dhe artit, duke e mbajtur gjallë dashurinë për kulturën dhe identitetin kombëtar.

Idhull i të gjithë brezave në Kosovë dhe Shqipëri, nga viti 1948 e deri më sot. Këngëtarja me zërin e kumbues, sot gëzon ditëlindjen e 85-të.

 

 

“Bilbili i Kosovës”, “Mbretëresha e muzikës shqiptare”, “Këngëtarja e Shekullit”, “Artiste e Merituar” , “Nderi i Kombit”, janë vetëm disa prej epiteteve dhe dekoratave që këngëtarja më e madhe kosovare e të gjitha kohërave, Nexhmije Pagarusha, i ka merituar gjatë dekadave të karrierës së saj artistike.

Nexhmije Pagarusha, iu përkushtua me shumë pasion këngës dhe muzikës së pastër shqiptare, asaj që brezat do ta këndojnë me krenari.

 

 

Pagarusha, legjenda e gjallë e këngës shqiptare, u lind më 7 maj të vitit 1933 në Pagarushë, ku ndoqi shkollën fillore, ndërsa shkollimin e vijoi për 3 vjet në Beograd, në shkollën e muzikës për solo kanto.

Veprimtaria e saj muzikore 40-vjeçare, rendit një numër të madh aktivitetesh kulturore, sa është vështirë të përcaktohet apo të kategorizohet në një gjini. Është e njohur për interpretimet e shkëlqyera në muzikën popullore dhe opera, por ka pasur karrierë të suksesshme edhe si aktore, si në kinema edhe në teatër.

 

 

Angazhimin e parë profesionist e pati në Radio Prishtina, ku në vitin 1948, u pranua si soliste. Ndërsa u ngjit për në skenë për herë të parë, në Beograd. Pagarusha e mbylli karrierën muzikore, me një koncert në Sarajevë, në vitin 1984.

Muzikën popullore shqipe e përhapi në shumë vende të botës, ku interpretoi me ansamblin “Shota”.

 

 

“Gjithë jetën time kam punuar për popullin tim, jam munduar që këngën e bukur shqipe ta çoj sa më lart. Në kohëra shumë të vështira për një artiste shqiptare dhe për popullin tim, me shumë kompetencë e kam prezantuar këngën shqiptare, pothuajse në tërë botën”, – është shprehur, Pagarusha.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nostalgji për divën e muzikës shqiptare

Epopeja që mban emrin Pagarusha

Nexhmije Pagarusha siç nuk e njihnit

“Bylbyli i Kosovës”