Komisioni Evropian publikoi sot “Paketën e Zgjerimit 2019”, duke vlerësuar progresin e bërë nga Shqipëria dhe duke rekomanduar hapjen e negociatave.
Vendimi përfundimtar pritet të merret nga vendet anëtare në fund të qershorit.
“Paketa përmban raportet me vlerësime të detajuara të gjendjes në çdo vend kandidat dhe potencialisht kandidat, për atë që është arritur gjatë vitit 2018 dhe përcakton udhëzimet dhe prioritetet për reformat në të ardhmen.
Raporti për Shqipërinë, në Kapitullin 9 “Shërbimet Financiare” vlerëson ecurinë e vendit në shërbimet financiare. Raporti vlerëson pozitivisht miratimin nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare të Strategjisë 2018-2022 për zhvillimin e AMF-së dhe tregjeve nën mbikëqyrjen e saj, si edhe zbatimin e Strategjisë për rritjen e besimit të konsumatorit dhe investitorit për tregjet nën mbikëqyrje”,– thuhet një njoftmin e Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare.
Në fushën e sigurimeve, Raporti thekson nevojën për miratimin e amendimeve në ligjin për sigurimin e detyrueshëm motorik, ndërsa vlerësohet se janë tashmë të hartuara aktet nënligjore për zbatimin e direktivave të BE-së për Solvency I dhe Solvency II.
Raporti vlerëson si një hap pozitiv krijimin e një Depozitari Qendror të Letrave me Vlerë (AFISAR).
Sa i përket tregut të letrave me vlerë dhe shërbimeve të investimit, në raport vlerësohen miratimet që Autoriteti ka bërë në kërkesat e tij rregullative dhe mbikëqyrëse në forcimin e kërkesave për likuiditetin për fondet e investimeve.