MENU
klinika

Vizita në Bullgari

Papa: Një ‘perde akulli’ po ndan Europën

05.05.2019 - 21:25

Papa Françesku filloi vizitën e tij në Bullgari. Gjatë një fjalimi në pallatin presidencial të Sofjes, ai paralajmëroi se pabarazia dhe normat e ulëta të lindjeve po krijojnë një “perde akulli” midis shteteve më të pasura dhe më të varfra të Europës dhe po nxisin emigrimin.

Papa Françesku mbërriti për vizitë në Bullgari, gjatë së cilës do të takohet me krerët e komunitetit të vogël katolik të vendit, ndërsa do të vizitojë dhe një kamp refugjatësh jashtë kryeqytetit.

Vizita e Papës po të ndiqet me kujdes për shenjat e mundshme të përmirësimit të marrëdhënieve mes të Kishës Katolike dhe asaj Ortodokse.

Gjatë një fjalimi në pallatin presidencial të Sofjes në nisje të vizitës dyditore në Bullgari, që është dhe vizita e parë e një Pape në 17 vjet, Ati i Shenjtë u bëri thirrje udhëheqësve europianë që të marrin masa për të trajtuar pabarazinë mes qytetarëve dhe normat e ulëta të lindjeve, fenomene të cilat kanë krijuar një “perde akulli” midis shteteve më të pasura dhe më të varfra të Europës dhe po nxisin emigrimin.

Duke përdorur një shprehje të famshme të Winston Churchill-it rreth “perdes së hekurt” që binte mbi një Europë të ndarë pas Luftës së Dytë Botërore, Françesku tha se ndarjet e reja po gërvishtin fytyrën e kontinentit 30 vjet pas rënies së komunizmit.

“Unë i nxis udhëheqësit që të krijojnë kushtet e duhura për të rinjtë në mënyrë që ata t’i investojnë energjitë e tyre dhe ta planifikojnë të ardhmen, si individë dhe si familjarë, duke gjetur në atdheun e tyre kushtet për një jetë dinjitoze. Për ju që e njihni dramën e migrimit, guxoj t’ju sugjeroj të mos i mbyllni sytë, zemrat dhe duart, në përputhje me traditat tuaja më të mirë, për ata që trokasin në portën tuaj.”

Papa Françesku ka bërë përpjekje për t’iu dhënë fund tensioneve mes të Kishës Ortodokse dhe asaj Katolike si dhe e ftoi Kishën e Bullgarisë për të mbajtur një meshë të përbashkët.

Por, autoriteti më i lartë i Kishës Ortodokse të Bullgarisë, e refuzoi çdo mundësi të mbajtjes së një meshe të përbashkët me Papën, duke cituar ligjet kishtare.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Euroskepticizëm apo eurorealizëm?

“Ballkanizimi” i Evropës