MENU

"Zëri i tyre dëgjohet dhe pse nuk ulërasin origjinën"

Parti e shqiptarëve në Itali!? Absurditet! Formë ekstremiste dalluese “ne”-“ata”

29.05.2019 - 23:10

*Nga Darina Zeqiri, aktiviste në media

Polemikë me Alban Dacin- “Mbaruan zgjedhjet në Itali…Komuniteti shqiptar duhet të krijojë partinë e vet!”

Përfunduan të dielën e shkuar zgjedhjet për parlamentin Evropian ku mbarë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian zgjodhën përfaqësuesit e tyre.

Rezultati përfundimtar vërtetoi, edhe pse në ulje, forcën e europeistëve, pra e qytetarëve të Evropës së bashkuar që kërkojnë një përforcim të Evropës, jo shpërbërje të saj. Nga ana tjetër, forcat e ashtuquajtura sovraniste gjenden në një pozitë më të fortë, gjithnjë opozitë por me numra më të mëdhenj.

Çfarë do sjellë kjo në politikën komunitare?

Hipotezat janë të shumta, e natyrisht kjo rritje faktike dhe në numra brenda Parlamentit Evropian do të percjellë më shumë reflektime mbi politikat në vijim të tij, por jo domosdoshmërisht, siç pretendon pjesa sovraniste, ato do të jenë më të tolerueshme me to. Me shumë gjasa, e sinqerisht unë e uroj, kjo rritje e tyre do të percjellë në politika ku teoritë e sovranistëve do të shpërbëhen në pleh për të rritur një Evropë më të hapur e më të përgjegjshme. Ku certifikimi i një pjese jo të vogël të europianëve nostalgjik të periudhave diktatoriale dhe të supermacive do të fortifikojë ndërgjegjen e demokracisë së lirë. (Ky është urimi im të paktën, por unë jam e njëanshme, ndoshta pasi unë votoj gjithnjë për demokracinë evropiane, pavarësisht limiteve që has, ajo mbetet për mua e preferuar, kundrejt çdo lloj sovranismi e mbyllje kufijsh).

Në të njejtën fundjavë në Itali u zhvilluan dhe zgjedhjet për administratat lokale të shumë qyteteve të çizmes tre-ngjyrëshe.
Ndër kandidatët e këtij turni u vu re një numër i madh i atyre me origjinë shqiptare çka mbush me krenari këdo kuqezi që jeton në Itali pasi është një shenjë e fortë e faktit që shqiptarët janë pjesë aktive dhe determinuese e shoqërise aktuale italiane dhe ekonomisë së saj.
Por edhe pse të shumtë, mbi 160, të paktë fituan. Por, fundja në përqindje me numrin total të kandidatëve në realitet, analiza e numrave konkret tregon që pjesëmarrja e tyre u vlerësua.

Ajo çfarë ndoshta çuditi shumë shqiptarë, ose të paktën një pjesë të madhe të aktivizuesve në rrjetet shoqërore të vullnetarizmit e politikës, ishte prezenca e një numri domethënës të emrave shqiptarë në listat e djathta, madje dhe të ekstremit të djathtë italian.
Diçka kjo që nuk më habiti aspak. Do të jetë ndoshta eksperienca dhe ndjekja e zhvillimit të politikës lokale dhe nacionale ndër vite, por kam mësuar që shqiptarët nuk mund të “blihen” me atdhedashuri. Fakti që je shqiptar nuk mund të percjellë në dhënien e votës në kutitë zgjedhore. E kjo nuk vjen për inat të shqiptarit kundrejt një tjetri siç paramendohet, e për mendimin tim, thjeshtohet së tepërmi si fenomen, por vjen për një integrim, e një autodeterminim të shqiptarit në Itali.
E nuk dua të bashkendaj as bindjen që shqiptarët janë egoistë e kanë smirë apo kujtohen për njëri-tjetrin kur kanë nevojë, mendoj se thjeshtë shqiptari, si  çdo qytetar bote tjetër, zgjedh për vehte jo për “rracen”.

Ndodh, që në Shqipëri të paktën kam bindjen se kështu është, – të zgjedhësh për vehten do të thotë dhe t’i japësh votën armikut pasi do të jetë ai nesër që do të të garantojë vendin e punës apo koncensionin e rradhës, ndërsa jashtë kufijve të Shqipërisë ky sistem nuk funksion. Nuk ka ende forcë aq të madhe shqiptari në politike sa të ndikojë votën e bashkëatdhetarit që mbi të gjitha pas votimeve nuk rrezikon të humbasi punën. E sinqerisht uroj të mos mundet kurrë të arrijë atë forcë që sundon sot në Shqipëri.
Andaj, të thërrasësh komunitetin vetëm në emër të origjinës nuk shpërblen e për mendimin tim as nuk i shërben komunitetit në Itali.
Pa ideale, pa teori e projekte e shpjegime të ketyre për të arritur objektive që shkojnë në të mirën e qytetarisë në tërësi jo vetëm një komuniteti, fakti që dikush kandidohet e është shqiptar nuk mjafton, e falë Zotit që është kështu, – për të marrë votën e tij.

Në një realitet ku arritjet janë falë e vetëm fal forcës personale që të kesh fuqinë e bashkimit nuk mjafton të prekësh telat e atdhedashurisë. Nuk është në diskutim krenaria për origjinën e nuk është e domosdoshme për të kryer një politikë në favor të bashkëatdhetarëve.
Një integrim i mirë përcjell anashkalimin e thirrjeve të komunitetit për votim vetëm në bazë origjine, një integrim i mirë bazon prezantimin e tij mbi ideale, projekte e vizione më të zgjeruara se sa determinimi i komunitetit.

Nje integrim i mirë propozon aksione politike në favor të gjithë qytetarisë, ku gjejnë vehten vendalinjtë e të huajtë. Një integrim i mirë merr votat nga vendalinjtë që nuk ndjehen të kërcenuar nga nënvizimi i tepërt i origjinës së jashtme të kandidatit të radhës, përndryshe përfundon të jetë një kopje ende dhe më e dëmshme se ajo e Lega Nord (Lidhja e Veriut) që bazoi forcën e saj mbi vendlindjen veriore në Itali e fuqinë e ekonomisë prodhuese në të.

Pra një parti e shqiptarëve në Itali, siç ka propozuar dikush, s’është gjë tjetër veçse një absurditet, i një tjetër forme ekstremiste e ushqyese e dallimeve mes “ne” dhe “ata”. Sot shqiptarët në Itali, me pjesëmarje kaq masive në listat e administratave, treguan qartë që janë një trup me Italinë.
Shumë prej tyre u duhet të limojnë disi egocentrizmin në të vetëquajturit përfaqësues të komunitetit ne Itali, por kjo ndoshta është edhe thjeshtë si rrjedhojë e entuziazmit për t’i dhënë zë shqiptarit dhe e njohjes së pakët të kompleksit që është realiteti, ku pjesa më e madhe e shqiptarëve në Itali e kanë fituar zërin dhe u dëgjohet çdo ditë edhe pse nuk “ulërasin” origjinën e tyre.

Nëse të mohosh origjinën është krim, të paramendosh se vënia në pah se nga vjen, vlen më shumë nga çfarë je është krim ende më i madh e i krijon dëme jo vetëm vehtes por edhe komunitetit që pretendohet të përfaqësohet.

Shqiptarët treguan qartë se janë aktivë në jetën politike e shoqërore të Italisë, e numri i lartë i kandidatëve përforcon ende më shumë integrimin e tyre në ‘Çizmen e Mesdheut’ e duhen falenderuar për kurajon pavarësisht ideve të tyre, pasi politika, kudo ta bësh, është e lodhshme e të shërben në tabakanë e popullit. Duhet kurajo e aftësi të dish të marrësh kritikat edhe kur s’të pëlqejnë, e inteligjencë të dish t’i vlerësosh.

Këto janë hapat e para publikisht e si çdo fillim ka pengesat e tij. Me të ardhmen uroj të ketë më pak ushqim se një figurë si përfaqësuese e më shumë njohuri mbi politikat e propozuara, ku mbartja e një nënshtetësie të dytë të jetë surplus, jo epiqendra e forcës së kandidaturës së tyre.

E mbi të gjitha uroj që marrëzi si ajo që përcjell ideja e formimit të një partie më vehte për të huajt, e akoma më shumë për shqiptarët, ndërkohë që dënohet Lega si armike në Itali të perfundojnë sa më shpejt, pasi tregojnë qartazi një tjetër veçanti të një pjese të shqiptarëve që ndjehen të përulur në Itali, mundin ektremizmin me ekstremizëm, e për sa më prket, bërrnut i pari e më i rrezikshëm i dyti.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN