MENU
klinika

Si e parandjeu Ali Pasha fundin

U përcoll po aq madhërishëm saç jetoi

21.05.2019 - 12:39

    5 shkurt 1822. Aliu kishte dalë në sofat, se në tri dhomat brenda, të shtruara me velenxa e lëkurë kafshësh, binte një erë e rëndë myku. Në të majtë ishte shkëmbi, me plasaritjet e kuqe e me kulpra. Përpara ishte manastiri i Shën Pandalejmonit, mbrapa manastiri i Shën Prodhonit. Në të djathtë ishin rrapet e mëdhenj, me lëndinat e vogla të bukura dhe më tej kallamishtet, që përkuleshin nga era e fohtë. Era e lindjes shtynte valëzat mbi liqen, ku lëviznin me britma therëse shpendët e bardha e të zeza. Në dimër ndodhte të shpërthente stuhia në liqen me dallgë dy pashë të larta. Thuhej se liqeni ngrinte një herë në pesëdhjetë vjet. Ngrirja e parë që mbahej mend, kishte ndodhur treqind vjet të shkuar, atë natë kur Durakan Pasha, bejlerbej i Rumelisë, kaloi mbi liqen me kalorësinë duke besuar se të ecte në fushën e mbuluar nga dëbora. Për të falenderuar zotin, bejlerbeu ngriti faltoren te burimet rrëzë malit Miçikeli, të cilën Ali Pasha e ktheu në manastir për të krishterët.

 

 

 

Barishtet buzë liqenit zbardhnin nga ngrica. Dallgët e vogla përplaseshin në bregun e ishullit, që diku pësonte ndonjë ndridhje gjatë vjeshtës. “Nisinëdo ta mbulojë gjoli ndonjë ditë”- i kishte thënë Aliut kryemurgu i manastirit tridhjetë vjet të shkuar, kur shkeli aty për herë të parë. “Nuk e mbulon dot, se s’ka thellësi”, – qe përgjigjur Aliu. Atë ditë, më 5 shkurt 1822, në mënyrë krej të pavetëdijshme mirëpriste ndonjë dukuri të bujshme të natyrës, si: shpërthimin e stuhisë në liqen, ngrirjen e tij ose fundosjen e ishullit. Kur kuptoi se çka dëshironte me pavetëdije, nënqeshi me vete. Asnjëherë në të kaluarën, në çfarë do rrethane, s’e kishte kërkuar zgjidhjen në dukuri të jashtme. U ngrit dhe eci në udhëzën si urë rrëzë shkëmbit që çonte sipër manastirit, njëzet hapa më tej, ku bënte lutjet e saj të gjata Vasiliqia. E pa që nga baxha tek falej. Aty poshtë dukej si vajzë e vogël: me fustanin ngjyrëvjollcë, e kryet mbuluar dhe shallin në supe. Natën ajo i rrinte mbi krye me frymën e saj, e mbulonte, i jepte shurup me dëborë kur djersinte. Tërë bota e saj ishte plaku tetëdhjetëvjeçar që i lëmonte flokët.

Ai u kthye te sofaja e shtëpisë verore dhe mori dylbinë. Malet ishin ngarkuar me dëborë deri poshtë në rrëzë. Shquhej mbarimi i liqenit, ku ishin katahothrat, ujërat e nëndheshme, që thuhej se derdheshin në Vjosë, në grykën e Këlcyrës. Çdo gjë në botë ka një fillim e një mbarim, si ylli që këputet në qiell. Edhe koha e tij po mbaronte. Që në mëngjes kishte ndier afrimin e pabesisë, me shqisën prej kaçaku të vjetër. Fundi mund të ishte i beftë e i shpejtë, po ai duhej të ruante forcën, që çdo gjë të bëhej mirë.

Era solli me valë gjëmimin e topave, ndërsa diku afër, nga barkat që mund të ishin në liqen, u ndien krisma armësh. Aliu zgjati kokën se mos po krisnin degët e rrapeve e iu duk se shqoi edhe gjëmimin e daulleve. Selim Çami duhej të kishte dorëzuar pishtarn. Zotëroi një qetësi e ftohtë dhe ai vështroi rreth vetes. Iu bë sikur pa një varg të gjatë me koka të prera në hunj. Ndërmjet tyre shquheshin si të gjalla kokat e tre bijve të tij. Bota mori ngjyrë mavi kur pa përtokë, mbi barin jeshil, kokat e njoma të nipave. Mund të betohej për shpirtin e tij se këto po ndodhnin pikërisht atë çast. Ai e njihte atë ngjyrën e errët të plumbit që merr bota kur të ngjitet vdekja. E kishte provuar në djalëri, kur e pickoi gjarpri. Po e shihte prap ngjyrën e plumbit, bota zuri të kridhej në terr, të shkonte drejt humbjes, ndërsa ndjeu t’i ftohej boshti i kurrizit. Piu çaj duke kërcitur dhëmbët. Iu rikthye drita dhe fuqia e trupit. Mbrapa po lëviznin trimat. Ngriti krahun dhe bëri shenjë të mos lëvizte asnjeri, as të shpejtohej për të bërë bërë diçka pa ardhur koha. Reshtën ecjet rreth shtëpisë dhe pëshpëritjet mbrapa. Ai zuri të mendohej ngadalë, të përgatiste shpirtin për atë që do të vinte pas pak. Nga gjithë ç’ndodhën ditët e fundit dhe nga gjithë ç’kishin ndodhur tërë jetën, vetëm një gjë nuk ia falte vetes: që dorëzoi iç- kalanë. Me atë dorëzim kishte pirë kupën e helmit dhe mbeti gjallë. Për një çast shpresa se mund të ndreqej çdo gjë, u ngrit prapë në mendjen e tij si një gjuhë flake që rreh të kapë dritën, po në të njëjtën kohë u ngrit në sytë e tij pamja e Hurshid Pashës. S’e kishte parë kurrë atë çerkez, po nga përshkrimet e të tjerëve i bëhej i gjallë: me trupin e gjatë pak të kërrusur, me fytyrën të mprehtë, të errët. Ky ishte burri që mashtroi Aliun, i cili, nga ana e tij, kishte mashtruar sulltanët për tridhjetë e pesë vjet. Çerkezi i kishte hequr Aliut çdo pushtet e donte t’i hiqte edhe lavdinë e vdekjes, që është e përhershme dhe e pandreqshme. Por për këtë duhej pritur edhe pak.

 

 

 

Ai ndenji në sofa duke pirë çaj e shurup me ujë dëbore. Herë- herë rregullonte armët në brez, shikonte malet dhe liqenin. Asnjëherë nuk i ngriti sytë nga qielli. Koka e tij e madhe rrinte pa lëvizur mbi zverkun e holluar.Në orën dy i thanë se ishin shkëputur nga Kastroja disa barka plot me njerëz. Ai llogariti kohën: duhej një gjysmë ore që barkat t’i binin rrotull për të dalë në lindje të ishullit. Pa u ndier, qenë grumbulluar njerëz në sofat dhe poshtë në oborr.

-Rrini këtu katër veta, të tjerët të zënë vendet brenda! – tha Aliu.

Kur dy barkat e para u afruan te hunjtë, të tjera kishin dalë afër bregut nga ana e shelgjeve. Disa njrëz kërcyen në ujë dhe ecën nën rrapet. Shikonin rrotull me shqetësim dhe mbanin hapnin.Grupi në ballë kaloi kubenë e manastirit dhe u ndal para shtëpisë së Aliut, që ishte e mbështetur në shkëmb nga njëra anë dhe mbi një kube në anën tjetër. Ushtarë të prirë nga oficerë vinin edhe nga mbrapa, nga manastiri i Shën Prodhonit. Aliu pa se ishte bërë një rrethim i plotë e i shpejtë, nga njerëz që e njihnin vendin. U ngrit, u përkund mbi këmbët dhe thirri me zë kërcënuese:

-Qëndroni aty! Çfarë më sillni?

-Vullnetin e mëkëmbësit të profetit Muhamet,- thirri Hasan pasha. Nxori nga gjoksi një ferman, bëri dy hapa para, shpalosi fermanin dhe tha : – I njeh këto shenja?

-I njoh dhe i nderroj, – u përgjgi Aliu me duart në brez.

-Përulu, merr avdes dhe drejtoja zemrën Allahut! Kkoka jote kërkohet nga Sulltani,- thirri Hasani. Në krah të tij doli edhe kaftanagai.

Aliu u afrua te parmaku, si për të parë fermanin dhe mbajtësin. Çdo gjë po bëhej në rregull dhe kjo e kënaqi, por edhe i nxehu gjakun. I kishte mbajtur në largësinë e duhur Hasan pashën dhe grupin e oficerëve që i rrinin mbrapa me armët në duar. Hasanit i bridhte në fytyrë një nënqeshje që nuk kuptohej në ishte nga turpi, ligësia apo frika, meqë e dinte se aty do të ndodhte  diçka e madhe dhe e rendë, që do të kërkonte shpagë e do të përmendej në breza. E mbështolli fermanin, e futi prapë në gjoks dhe priti. Ishte radha e Aliut të bënte atë që duhej si myslyman: të zgjaste qafën lumturisht për të  dhënë kokën e kërkuar nga kalifi. Aliu pa si me habi fytyrat e zbardhura të oficerëve. Ata vërtet besonin se do të kërkonin ujin e avdesit.

-Tradhtar! Koka ime nuk merret lehtë!- tha. U kënaq kur dëgjoi zërin e vet si qëmoti, nxori më shpejtësi dy koburet dhe i zbrazi mby dy të parët. Qëlloi mirë, se Hasan pasha u zmbraps i plagosur, kurse kaftangai ra i vdekur. Oficerët u përmenden dhe zbrazën armët. Po trimat e mbuluan me trup Aliun dhe ai nuk u godit. Filloi shkrehja e armëve nga lëndinat nën rrapet dhe nga dritaret e ndërtesës. –Luftë!- thirri Aliu. Atë kishte dashur, vddekjen në luftë. U kthyë të hynte brenda, ku mbante pushkët e shumta, po një plumb e mori në sisën e djathtë. Vuri dorën të ndalte gjakun dhe thirri: – Qëndroni përpjetë! Zjarr!

Nga kati prej dërrase i shtëpisë gjëmonin krismat, u mbush ajri me tymin e barutit. Mbi shtëpinë shtinin nja pesëdhjetë pushkë, që afrohehin gjithnjë e më tepër. Ishin oficerë e ushtarë të zgjedhur, që kishin premtimin e një çmimi shumë të lartë për kokën e Ali Vezirit.

Te dera, ndërsa Thanas Vaja po e tërhiqte brenda me forcë, një plumb tjetër e fshikulloi Aliun në ijë. Ai u shkëput nga Thanasi dhe nxori me vështirësi jataganin. Donte të zbriste shkallët e të ndeshej në shesh të hapët. Në sy i shkrepi një dritë e madhe gëzimi dhe egërsie, urrejtja ia mposhti dhimbjen e plagëve. Kishte gjetur vdekjen që kërkonte dhe në këtë vdekje e sipër duhej të shkatërronte armikun e pabesë. Plumbi i tretë i erdhi nga poshtë bodrumit, i hyri në kofshë deri në boshtin e kurrizit. Ra më gjunjë dhe u kap pas parmakut, deshi t’i buzëqeshte vdekjes, po s’pati kohë, u kthye dhe ra në shpinë.

Pushuan krismat. Oficerëtn dolën që prapa pemëve e nga poshtë bodrumit, u afruan në heshtje. Ali Pasha shtrihej në shkallare me trupin të larë në gjak. Po dukej se gulçonte ende dhe jataganin e mbante shtrënguar në dorë, sikur nuk donte të jepte shpirt. Më në fund njëri kërceu mbi të, e kapi nga mjekra dhe e tërhoqi poshtë shkallëve. Aty zuri ta godiste me jatagan, po nuk arrinte t’ia shqiste kokën nga ai zverk si trung i thatë. Atëherë u kujtuan edhe të tjerët për çmimin e asaj koke, u turrën dhe e prenë dhe s’dinin ç’ta bënin. Njëri nga pashallarët e mbështolli me kaftanin e tij.

 

4

 

Serasqeri e priti kokën e Ali Pashës me nderimet ushtarake që i takonin një Vezir- dovleti të gjallë. U përkul para sinisë së argjendtë, e mori kokën në duar, e puthi në ballë dhe e vuri në kutinë e artë, duke qarë mbi të në heshtje. Ajo kokë ishte fryt i luftës e mundimit të gjatë, po telashet me të nuk mbaronin me kaq.

 

 

 

 

Koka në kuti, e larë dhe e vënë në dëborë, me mjekrën e bardhë të krehur që i mbulonte grykën e prerë, me sytë e mbyllur si në gjumë, ruante një buzëqeshje të lehtë të çastit të fundit, fitoren mbi hidhërimin e madh. Serasqeri mendoi se sikur të lëviznin ato buzë të trasha, mund të thoshin fjalë që s’i kishte dëgjuar kush. Ai kishte njohur shqiptarë të tjerë të mëdhenj – Mehmet Aliun, që ishtë bërë nënmbret në Egjipt, Mustafa Bajraktarin, që arriti u bë sadrazem – kishte njohur edhe vezirët e pashallarët më të shquar të Perandorisë, po koka që kishte përpara peshonte më rëndë se çdo kokë tjetër. Serasqeri ndiente një keqardhje të thellë që nuk arriti të fliste me të, por kjo tani s’kishte të ndrequr. Duke menduar për jetën e vet e për ato që ndodhnin në Turqi, serasqeri mërmëriti një lutje që Allahu t’i jepte një vdekje po aq të nderuar sa ajo e Ali Pashës.

Ato që tha e bëri serasqeri atë natë, përkonin me çka kishte në shpirt. Po në të njëjtën kohë dinte se çdo lëvizje e fjalë e tij do të përhapej larg e do të arrinte te shqiptarët. Shkoi ne krye të tendës së madhe, hapi kapakun e një sënduku të vogël të argjendtë, nxori një kartë, që duhej të ishte fermani i Sulltanit, e ngriti lart dhe tha:

-Allahu shahit se bëra çdo gjë që ka robi në dorë që kjo hata të mos ndodhte kurrë, po i tillë ishte vullneti i fuqisë hyjnore që kemi mbi krye.

Nuk kuptohej nëse ishte fjala për Zotin në qiell apo për Sulltanin.  Sjellja fisnike dhe mallëngjyese e serasqerit u përfol në çdo anë të kampit, por skishte shenjë se do të reshtnin shqiptarët. Mblidheshin në grupe me armë në duar, kërkonin të shihnin kokën, nuk besonin të kishte vdekur Aliu. Edhe herë të tjera gjatë sulmeve ishte thënë se ai kishte vdekur.

“Të na sjellin kokën, duam kokën!”

“Medet, o Ali, o mbreti ynë!”

“Gënjejnë halldupët, nuk merret koka e Ali Pashës.”

“Vdiq më trimi e më i shquari burrë, na prenë në besë, o vëllezër!”

“Plaç në vend! Pse thërret? Kush ka vekur? Kush na preu?”

“Na preu i biri i rospisë! E prenë Ali Pashën!”

S’qe e mundur të merrej vesh e vërteta…U hapën fjalë se Aliu kishte vrarë veten, bashkë me Vasiliqinë e Thanasin. Një tjetër thoshte se çohadarë të ardhur nga Stambolli kishin shkuar drejt në ishull dhe kishin marrë kokën e tij. Në darkë, kur u soll trupi i Aliut, të gjithë e panë se ai kishte vdekur, po asnjeri s’e dinte si e qysh. Atëherë plasi vaji në tërë kampin. Shqiptarët qanin me kuje e me ligjërata. Komandantët bënë çmos t’i mbanin të veçuar në grupe, duke u thënë se më parë duhej bërë varrimi i tij, se s’kishte ngjarë ndonjëherë të mbetej pa varrosur shqiptari, pastaj do të gjendej shkaktari e të merrej gjaku. Serasqeri urdhëroi turqit te futeshin në tendat e tyre.Asnjë fjalë, asnjë shenjë për fitoren. Të bëhej heshtje e plotë, të plotësohej çdo gjë që kërkonin shqiptarët. Shqiptarët kërkuan trupin e Aliut. U kthyen përgjigje se Hurshid pasha po falej e qante vetë mbi të vdekurin dhe se kufoma do të përgatitej për varrimin e nesërm. Serasqeri pyeste Omer Vrionin se ç’duhej bërë tjetër për të mos cënuar zakonet e shqiptarëve.

-Të qajmë sot bashkë me ta dhe të përsëritet fjala se Vezirin e humbi… – u përgjigj

Omeri. Donte të thoshte: “E humbi doçi i jesires, Sulltani!”

Atë natë në kamp nuk mbylli sy njeri. Në mëngjes, nga tenda e seraserit e gjer ne Kastro, në të dyja anët e rrugës së pastruar, u vu në rresht ushtria dhe fshatarët e afërm, që nuk i  besonin atij lajmi. Pyesnin me habi se qysh ishte e mundur të ishte zënë në çark Ali Pasha. Mos vallë ishte ky një varrim i gënjeshtër i turqve?! Gjithsesi po bëhej një varrim aq madhështor, sa gjithkush mund të mbetej gojëhapur e të thoshte se atë vdekje e paskësh dashur vetë Zoti.

Trupi i të vdekurit ishte vendosur mbi një shtrat me katër rrota, stolisur me sixhade të shtrenjta, mbuluar me kaftan dhe sipër kishte nishanet dhe gradat. Shtratin e tërhiqte kali i bardhë i Aliut me jele të prera. Mbrapa vinin kuaj të tjerë me armët e shumta të Aliut varur në shala. Në mes të vezirëve e pashallarëve ecte edhe Hurshid pasha, kryeulur. Në çdo pesë hapa shtinte topi. Pas krerëve vinin mijëra shqiptarë me pushkët grykëposhtë, në grupe sipas krahinave. Në krye të çdo grupi vinin kujën disa njerëz: “O Ali, o mbreti ynë!”, “Vaj medet, o Shqipëri!” Turma mbrapa përsëriste me zë të njëjtat thirrje.

Anës rrugës mblidheshin gjithnjë e më tepër fshatarët. Ali Pasha po përcillej në varr ndryshe nga çdo njeri, ashtu siç e kishte pasur të ndryshme edhe jetën. Shumë fshatarë mendonin vagull e me habi se Ali Veziri s’kishte qenë as pasha mysliman, as i krishterë, po një fuqi e tretë që ecte në rrugën e vet që solli ndryshime në botë. Po shkonte në varr vetëm me trupin, me kokën gjetkë, që donte të thoshte se punët e tij nuk mbaronin me kaq.

“Ishte baba i popullit,- i përsëriste fshatari fqinjit,- kushedi si na vete filli tani.” Disa derdhnin lot. Asnjeri nuk kujtonte mizoritë e tij.

Krisën makaratë e portës së iç-kalasë, që u hap ngadalë. Para xhamisë “Fetishe” ishte varri i Eminesë, gruas së parë të Aliut, rrethuar me kangjella të bukura e ishin mbjellë trëndafila e zambakë dhe ca dredhëza që çelnin lule edhe në dimër. Ndanë varrit të saj ishte hapur varri i ali Pashës. Imam i ushtrisë nisi luhatjen në mes të mizërisë, të ulur galiç, me duart kupë të kthyera lart. Më në fund, ai i thirri të Zotit të hapte portat e qiellit për Ali Velinë, birin e Hankos. Topat e tri kështjellave dhe gjithë kampit buçitën njëri pas tjetrit. Mijërat e shqiptarëve zbrazën armët. Ishte gjëmimi më i madh i luftrave që u bënë rreth Janinës.

-Ali Veziri u varros me të njëjtin shkëlqim që pati në jetë,- tha Hurshid pasha.

Ai do të bënte edhe ca gjëra të tjera që shqiptarët të mos i mbanin mëri, po nuk dihej ç’do të thoshin në Stamboll për atë varrim të bujshëm të kryesuar nga vetë serasqeri. Aq më tepër kur të merrej vesh se gjithë sa u gjetën në thesarin e Aliut ishin vetëm dyzet e pesë miliona piastra.

 

***

 

Atë natë u nis fshehtas për në Stamboll koka e Aliut me treqind kalorës të prirë nga vetë selihdari i Hurshid pashës. Lajmi i udhëtimit të asaj kohe përhapej më shpejt se ecja e grupit të kalorësve. Në çdo qendër rrinin mbledhur njerëz të shumtë, me shpresën se mund të shihnin kutinë e larë n ëar me kokën. Trupa e kalorësve ecte e ngjeshur për t’u mbrojtur nga ndonjë pritë. Kur arriti në Grevene, jashtë rreziqeve, selihdari mendoi se nuk bënte keq t’ua tregonte njerëzve kokën e armikut të Sulltanit, duke nxjerrë edhe përfitime nga kjo punë. Le të paguante çdo njeri dy pare, po të donte të shihte kokën. Për fukaranë çmimi ishte pak i lartë, po njerëzit dyndeshin e i paguanin paret. Trupa e kalorësve shpejtonte natën për të fituar kohën e humbur ditën. Megjithatë udhëtimi zgjati pesë ditë më tepër dhe selihdari, me qeset plot, zuri të trembej për kokën e tij.

 

 

 

Më 23 shkurt koka e Aliut u vendos në Oborrin e Sulltanit, në kamaren e quajtur “Ibret tashe”. Poshtë saj shkruhej: ‘Mëso nga pësimi”. Topi lajmëroi popullin e kryeqytetit mbi atë fitore të madhe.

Një jafte në formë zemre, e varur nën kamaren, u bënte të ditur njerëzve se kujt i përkiste ajo kokë: “Kushdo e di se me sa mirësi e mbajti Porta e Lumturisë, gjithnjë e madhe dhe e shkëlqyer, për tridhjetë a dyzet vjet, Ali Pashën e Tepelenës; me sa vende e krahina ia rriti pushtetin dhe sa përfitime patën të bijtë dhe nipërit e tij. Po larg nga të çmuarit e gjithë këtyre të mirave, ai veproi me mosmirënjohje. Në asnjë vend nuk janë dëgjuar krime si ato që ka bërë Aliu i Tepelenës. Ai s’la të keqe pa u punuar robve të Zotit e të profetit. Ai mori pjesë në gjithë mashtrimet e në tërë kryengritjet, fshehur ose sheshit, me para e djallëzi. Ai ka qenë nxitësi i luftërave…” Duke vazhduar të numëronte krimet e pafundme të Aliut, jafta thoshte se Porta e Lartë e pati thirrur shumë herë që të hynte në rrugën e Zotit dhe më në fund drejtësia e hidhërimit të kalifit, që shtrihet mbi dy dete e dy kontinente, ra mbi të. “Dhe kjo është koka e të quajturit Ali Pashë Tepelena, tradhtar i fesë”.

Kohë më pas, një dervish shqiptar e varrosi natën kokën e Ali Pashës në varrezat e mëdha të qytetit. Dervishi vuri mbi të një gur të gdhendur, ku shkruhej se aty prehej koka e Ali Veliut të Tepelenës, që tronditi themelet e Perandorisë Osmane për tridhjetë e pesë vjet me radhë. Kështu Aliu u bë njeri me dy varre, një në Stamboll dhe një në Janinë.

(Shkëputur nga “Ali Pashë Tepelena” – Sabri Godo)

Përshtati: Konica.al