Mbledhja e Kryesisë së Partisë Socialiste është mbyllur pa emra kandidatësh për kryetarë bashkie.
Kryesia është mbledhur sot në orën 18:00 dhe mbledhja ka zgjaturrreth 90 minuta. Ndonëse pritej që në fund të bëheshin publikë emra kandidatësh, burime nga PS pohuan se do të vendosen në mbledhjen e ardhshme.
Mësohet, se një pjesë e listës së kandidatëve është mbyllur dhe pret vetëm vulën përfundimtare nga lidershipi i partisë. Po ashtu, bëhet me dije se parashikohet që mbi 20 kryebashkiakë aktualë të rikandidojnë.
Ndërkohë në garën e 30 qershorit socialistët do të kandidojë me dy prefektët në detyrë në bashkitë e Elbasanit dhe Shkodrës, përkatësisht Gledian Llatja dhe Valdrin Pjetri. Socialistët kanë vendosur që në përballjen elektorale t’u besojnë kandidimin 6 deputetëve, të cilët pas zyrtarizimit ligjor do të duhet të dorëzojnë mandatin e ligjvënësit.
Kryesia e PS-së mësohet se do të pasohet me mbledhjen e Asamblesë Kombëtare, që mendohet të zhvillohet të premten më datë 10 Maj. PS shqyrton kandidaturat e saj pak ditë para afatit ligjor, 13 Maj, të depozitimit të listave pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Partia Socialiste është e përqendruar në zgjedhjet lokale, pavarësisht se partitë kryesore opozitare nuk do të jenë pjesë e garës politike, pasi nuk janë regjistruar në KQZ dhe kanë deklaruar se do pamundësojnë zgjedhjet.
Ndërkohë nga ana tjetër kreu i PS-së, vetë Edi Rama, në një prononcim për mediat, pas mbledhjes së kryesisë ka njoftuar, se të shtunën do të konsolidohet lista me kadidatët për zgjedhjet e 30 qershorit.
Lidhur me mungesën e opozitës, Rama shprehet i keqardhur por jo i mërzitur që nuk do të ketë kryetarin e PD përballë në zgjedhjet lokale.
Kështu ka deklaruar kryeministri Edi Rama pas mbledhjes së Kryesisë së PS-së. Ai tha se uron që të jetë një rrugë me kthim por se nuk do bëjë asnjë përpjekje që të kthehen nga ajo rrugë.
“Duhen gjëra shumë më të mëdha që unë të mërzitem. Unë sigurisht jam i keqardhur, që opozita e PD-së dhe e simotrës së saj të vogël LSI-së ka vendosur të shkojë në një rrugë pa krye. Unë uroj të jetë një rrugë me kthim për ta por s’kam ndërmend të bëj asnjë përpjekje që ata të kthehen nga ajo rrugë. Sistemi është bërë që të garantojë pjesëmarrjen e gjithsecilit po askush nuk është i detyruar të marrë pjesë me zor. Kur nuk ndjen detyrim ndaj atyre që përfaqëson, ka marrë fund. S’ka asgjë që e detyron palën tjetër, në këtë rast shumicën qeverisëse që të tërheqë me zor në procesin zgjedhor ata që nuk do të marrin pjesë në zgjedhje. Momenti i pazakontë”, tha Rama.