MENU
klinika

Ministria e Turizmit shpall tenderin

Pesë planet për bregdetin, zonat ku do të investohet

23.05.2019 - 17:23

Ministria e Turizmit ka shpallur tenderin për realizimin e 5 planeve të detajuara për zonat bregdetare të vendit.

Tenderi me vlerë 68.1 milion lekë mbyllet me datë 3 qershor 2019.

Referuar dokumenteve të tenderit, ky projekt është ndërtuar për të përftuar pesë Planet e Detajuara të Zonës së Rëndësisë Kombëtare (PDZRK), përkatësisht PDZRK Baks-Rrjollë, PDZRK Rana e Hedhun – Port Shëngjin, PDZRK Tale, PDZRK Grykë-Derdhja e Ishmit, PDZRK Spille.

Të dhëna për zhvillimin turistik të 5 zonave.

  • Baks-Rrjoll:

Zona është e përshtatshme për zhvillimin e turizmit të (kompleksit të) resorteve me karakter pushim/ argëtimi dhe kurativ, për shkak të tipareve të veçanta të klimës dhe rërës së pasur me jod në këtë pjesë të bregut të Adriatikut. Sportet ujore, si surfing, mund të pasurojnë ofertën turistike të resorteve dhe mundësojnę diversifikimin e grupeve të targetuara turistike.

Shërbimet hoteliere duhet të jenë të destinuara për struktura me 4 yje e sipër. 80% e zhvillimit duhet të jetë i destinuar për shërbime në formën e strukturave kompakte apo të shpërndara (vila) dhe vetëm 20% i destinuar për banesa të dyta (real-estate), në formën e strukturave individuale (vila, jo apartamente shume-katëshe).

  • Rana e Hedhun – Port Shëngjin:

Zona ka kufizime fizike dhe shtrihet në një brez të ngushtë bregdetar, ku fasha e rërës e përshtatshme për aktivitete ditore të plazhit mund të mbartë shumë herë më shumë turistë sesa mund të mbartë fasha tokësore turistë të akomoduar.

Gjithashtu, për shkak të kapaciteteve të limituara të plazhit në pjesën jugore të Portit, zona në fjalë mund të shërbejë për shfryrjen e turizmit ditor, i cili sjell turistë lokale, apo nga zonat veri-lindore të Shqipërisë dhe Kosova. Prezenca e monumentit të natyrës Rana e Hedhun është një tjetër atraksion që sjell turistë ditor në këtë plazh të Adriatikut. Për këto arsye zona duhet të destinohet për funksione të turizmit masiv ditor të rërës dhe diellit e sporteve ujore dhe në pjesët e ndërtueshme duhet të destinohet për shërbime hotelerie duke filluar nga 4 yje e sipër. 100% e zhvillimit të ri duhet të jetë i destinuar për shërbime.

Strukturat e akomodimit rekomandohet të jenë kompakte. Zona duhet të sistemohet nëpërmjet një shëtitoreje bregdetare dhe një ballinë ujore, ku në fashën e parë (fasha ranore) duhet të vendosen strukturat e përkohshme të shërbimit të plazhit, në fashën e dytë strukturat e qendrueshme të shërbimeve gastronomike dhe të mirëqenies, si bare e resorante, spa dhe të ngjashme, ndërsa në brezin e tretë strukturat e shërbimit hotelier.

Në këtë zonë të destinuar për turizmin ditor dhe masiv, duhet të sigurohet akses shumë i mirë dhe mjedise të mjaftueshme parkimi, apo sistem transporti të kompletuar (stacione), i cili të jetë në harmoni (fizikisht dhe vizualisht) me zonën turistike. Aksesi, parkimi dhe transporti janë elementë shumë të rëndësishëm projektimi dhe njëkohësisht baza për zhvillimin cilësor të kësaj zone.

  • Tale:

Zonë e përshtatshme pë zhvillimin e turizmit masiv ditor të rërës dhe diellit e sporteve ujore, ndërsa në pjesët e ndërtueshme e përshtatshme për resorte dhe shërbime hoteliere të një cilësie që fillon nga 3 yje e sipër. 100% e zhvillimit të ri duhet të jetë i destinuar për shërbime.

Strukturat e akomodimit rekomandohet të jenë kompakte. Zona duhet të sistemohet nëpërmjet një shëtitoreje bregdetare dhe një balline ujore, ku në fashën e parë (fasha ranore) duhet të vendosen strukturat e përkohshme të shërbimit të plazhit, në fashën e dytë strukturat e qendrueshme të shërbimeve gastronomike dhe të mirëqenies, si bare e resorante, spa dhe të ngjashme, ndërsa në brezin e tretë strukturat e shërbimit hotelier.

Në këtë zonë të destinuar për turizmin ditor dhe masiv, duhet të sigurohet akses shumë i mirë dhe mjedise të mjaftueshme parkimi, apo sistem transporti të kompletuar (stacione), i cili të jetë në harmoni (fizikisht dhe vizualisht) me zonën turistike. Aksesi, parkimi dhe transporti janë elementë shumë të rëndësishëm projektimi dhe njëkohësisht baza për zhvillimin cilësor të kësaj zone.

  • Grykëderdhja e Ishmit:

Zona është pjesë e Rezervatit Natyror të Menaxhuar Patok-Fushëkuqe-Ishëm. Njihet gjithashtu edhe si një nga zonat, e cila në një pjesë të saj vuan ndotjen mjedisore të Lumit Ishëm, lumi që buron nga trevat e Tiranës dhe mbledh ujrat e një pellgu të populluar me ndërtime formale dhe joformale.

Zhvillimi i zonës për qëllime të turizmit të natyrës, sportit dhe aventurës, është një mundësi me përfitime të dyfishta: promovimi i vlerave të zonës së mbrojtur dhe rehabilitimi mjedisor i saj, janë mundësi të shtuara përkrah përfitimeve që mund të sjellë aktiviteti turistik. Zona është e përshtatshme për krijimin e një resorti natyror në përputhje me natyrën e zonës së mbrojtur. Strukturat e akomodimit turistik duhet të jenë me natyrë të përkohshme, të lidhura me tokën në mënyrë lehtësisht të çmontueshme.

Këtu kërkohet që zhvillimi i zonës t’i dedikohet ‘glamping’, një koncept inovator që kombinon eksperiencën e eksplorimit dhe përjetimit të drejtëpërdrejtë të natyrës me komoditetin e akomodimit. Glamping është një formë kampimi, ku akomodimi bëhet në struktura me më shumë hapësirë dhe komoditet se ato që gjenden në kampet tradicionale. Glamping është një fjalë e përbërë nga dy fjalë të tjera dhe do të thotë: ‘glamourous camping’.

Kjo formë e zhvillimit të turizmit është sezonale dhe është e këshillueshme të përdoret në zonat që kanë bukuri natyrore të çmuara (të cilat mund të kenë edhe status mbrojtje). Ky lloj aktiviteti turistik mund të jetë i preferuar nga të gjitha moshat, por mund të parapëlqehet sidomos nga të rinjtë dhe nga ata që preferojnë një dozë aventure në pushimet e tyre. Zhvillime të tilla shoqërohen edhe me aktivitete kulturore si koncerte e festivale, masive e të zhurmshme. Ndaj, zhvillimi i zonës duhet të shoqërohet edhe me struktura të përkohshme për akomodimin e këtyre aktiviteteve, të vendosura në kohë dhe hapësirë në mënyrë të atillë që të mos krijojnë konflikt me natyrën e qetë të zonave për ‘glamping’.

Sidoqoftë, pritet që studimi të vlerësojë dhe të këshillojë lidhur me këtë ‘bashkëjetesë’. Tipologjia e strukturave duhet të jetë në formën e tendave tekstile të kombinuara me elementë druri. Zhvillimi i resortit ‘glamping’ duhet të menaxhohet nga një strukturë e vetme menaxheriale për të garantuar integritetin mjedisor dhe funksional të resortit natyror. 100% e zhvillimit të ri duhet të jetë i destinuar për shërbime.

  • Spille:

Zona është e përshtatshme për zhvillimin e turizmit të integruar masiv ditor dhe atij të (kompleksit të) resorteve me karakter pushimi/ argëtimi. Pjesa veriore e zonës, në afërsi të zonave të banuara duhet të zonohet për zhvillimin e strukturave hoteliere dhe shërbimit të turizmit masiv ditor, ndërsa pjesa jugore e zonës, në drejtim të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta dhe grykëderdhjes së Shkumbinit, për shkak të shtrirjes së gjerë të zonës në një fashë të bregdetit të patrazuar nga ndërtimet e paplanifikuara dhe tipareve të veçanta të klimës e brezit të pishave në këtë pjesë të Adriatikut, duhet të zonohet për zhvillimin e kompleksit të resorteve elitare.

Sportet ujore, si surfing, mund të pasurojnë ofertën turistike të zonës dhe të mundësojnë diversifikimin e grupeve të targetuara turistike. Për shkak të bregdetit ranor kjo zonë është e përshtatshme për resorte të drejtuara drejt turizmit familjar. Shërbimet hoteliere duhet të jenë të destinuara për struktura me 4 yje e sipër. 80% e zhvillimit duhet të jetë i destinuar për shërbime në formën e strukturave kompakte apo të shpërndara (vila) dhe vetëm 20% i destinuar për banesa të dyta (real-estate), në formën e strukturave individuale (vila, jo apartamente shume-katëshe).

Zona duhet të sistemohet nëpërmjet një shëtitoreje bregdetare dhe një balline ujore, ku në fashën e parë (fasha ranore) duhet të vendosen strukturat e përkohshme të shërbimit të plazhit, në fashën e dytë strukturat e qendrueshme të shërbimeve gastronomike dhe të mirëqenies, si bare e resorante, spa dhe të ngjashme, ndërsa në brezin e tretë strukturat e shërbimit hotelier.

Në fashën më të thellë, duhet të akomodohen strukturat e banesave të dyta. Në këtë zonë të destinuar për turizmin ditor dhe në masë, duhet të sigurohet akses shumë i mirë dhe mjedise të mjaftueshme parkimi, apo sistem transporti, i cili të jetë në harmoni (fizikisht dhe vizualisht) me zonën turistike.

Aksesi, transporti dhe parkimi janë elementë shumë të rëndësishëm projektimi dhe njëkohësisht baza për zhvillimin cilësor të kësaj zone