Sekretari Organizativ i Partisë Demokratike, Sahit Dollapi, i cili u arrestua nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, është lënë i lirë.
Pasi u mbajt për rreth 2 orë në ambientet e Policisë, Sahit Dollapi u shoqërua me një autoambulancë në Spitalin e Traumës.
Ndërkohë mëngjesin e sotëm mësohet se Dollapi është lënë i lirë, ndërsa policia është larguar nga ambientet e spitalit rreth orës 02:00 të mëngjesit.
Dollapi ka deklaruar se është dhunuar nga efektivët e policisë dhe ka kërkuar ndihmë të specializuar në ambientet spitalore.
Autoambulancën, që transportoi Dollapin, mësohet se e shoqëruan edhe katër grupe të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë.
Ai u zgjodh Sekretar Organizativ i PD-së në janar të këtij viti dhe ka udhëhequr të gjitha protestat e organizuara nga opozita, nga 16 shkurti dhe në vazhdim.
Ditën e sotme rreth orës 11:00 pritet të zhvillohet një tjetër protestë para ambienteve të Drejtorisë së Policisë në lidhje më shoqërimin dhe dhunimin e sekretarit organizativ të PD-së, Sahit Dollapi. Në protestë pritet të jetë prezent edhe kreu i PD, Lulzim Basha.