MENU
klinika

Pas tarifave të Trump

Presidenti i Meksikës: Nuk do të provokohemi nga SHBA

31.05.2019 - 17:48

Presidenti i Meksikës ka këmbëngulur se qeveria e tij nuk do të provokohet, pasi Presidenti Donald Trump njoftoi shkallëzimin e tarifave për të gjitha mallrat.

Andrés Manuel López Obrador përshkroi sloganin e Trump, “America First”, si një gabim dhe tha se drejtësia universale ishte më e rëndësishme se kufijtë. Tregjet e aksioneve kanë parë humbje të mëdha pas njoftimit të Trump.

Presidenti tha se kishte urdhëruar ministren e tij të jashtme të udhëtojë të premten në Uashington.

“Unë dua të këmbëngul që nuk do të bien në ndonjë provokim, se do të veprojmë me kujdes në lidhje me autoritetet e Shteteve të Bashkuara në lidhje me Presidentin Donald Trump”, tha ai.

Në një letër drejtuar homologut të tij amerikan, López Obrador tha se Meksika ishte duke respektuar përgjegjësinë e saj për të shmangur “sa më shumë të jetë e mundur dhe pa shkelur të drejtat e njeriut, kalimin [e migrantëve] nëpërmjet vendit tonë”.

Presidenti i SHBA Donald Trump ka njoftuar sot se do të vendosë tarifa për të gjitha mallrat që vijnë nga Meksika, duke kërkuar që vendi të frenojë imigracionin e paligjshëm në SHBA.

Në një postim në Twitter, Trump tha se që nga 10 qershori do të vendoset një tarifë prej 5% dhe ngadalë do të rritet “derisa të përmirësohet problemi i emigracionit të paligjshëm”.

Shtëpia e Bardhë tha të enjten se presidenti do të përdorte Aktin Ndërkombëtar të Fuqive Ekonomike të Emergjencave për të zbatuar tarifat e reja në Meksikë.

Njoftimi erdhi në të njëjtën ditë kur Shtëpia e Bardhë i tha Kongresit se kishte planifikuar të vazhdonte një marrëveshje të re tregtare me Meksikën dhe Kanadanë.