MENU
klinika

Nga Luan Rama

“Princi i vogël” dhe një dashuri qiellore…

06.05.2019 - 18:21

E kam patur gjithnjë zakon të shtrihesha në bar, me sytë nga qielli dhe të humbisja në botën tjetër, atë të qiellit dhe të alkimisë të ngjyrës së kaltër me retë. Kjo shpesh ndodhte natën, dhe sigurisht, për të parë yjet, për të udhëtuar nëpër galaktikë, në morinë e yjeve – planete.

Nuk di se kur filloi kjo aventurë ajrore, në ç’vit, por di se kur për herë të parë lexova Princin e vogël të Antoine de Saint Exupery, sikur zbulova një të ngjashëm e që atëherë, ai princ i vogël më bëri të udhëtoj akoma më shumë, jo vetëm për të zbuluar kubenë qiellore, por edhe për të kuptuar botën ku jetoj, këtë të prekshmen, të jetës së përditshme, të lindjes, të rritjes, të kujtimeve dhe gjithçkaje që ndodhte rreth nesh, mbushur me dëshira, dasma, dehje, lodhje dhe vdekje.

Vallë Princi i vogël ishte një roman për fëmijë? Shpesh nëpër librari e shoh këtë libër në rradhën e librave për fëmijë, ndërkohë që ai libër është sa për fëmijët aq dhe për të rriturit, një roman për njeriun e çdo lloj moshe, për atë dhe botën që e rrethon, paçka se Princi shëtit nëpër galaktikë, ndoshta për ti bërë gjërat më të dukshme, më të kapshme. E adhuroj këtë libër që më bën të mendoj aq shumë për veten dhe botën.

Në vitet e para si kineast, bashkë me një mikun tim nisëm përkthimin e Princit të vogël. Ishte një aventurë e dëshirës, e njohjes, pasi ne s’kishim përkthyer asnjëherë ndonjë tekst letrar. Më kujtohen ende ato fletë të holla ku përshkruheshin aventurat e atij djaloshi të vogël në planete të tjerë. Por Princi i vogël ishte më shumë se fëmijë. Kush vallë fshihej pas atij personazhi, pas atij djaloshi që bisedonte me një pilot, në mos vetë Exupery, i cili në atë kohë donte të riniste një jetë të re me gruan e tij pas aq grindjeve, moskuptimeve dhe largimeve, kur ai duhej të bënte linjat e largëta ajrore nëpër Ande, Kordiliere, Guatemalë apo Tokën e zjarrtë. Madje dhe në veshjen e Princit të voogël, në atë shallin e verdhë rreth qafës, shumë miq të shkrimtarit pilot Exupery, kishin parë gruan dhe të dashurën e tij, Konsuela (Consuela Suncin Sandoval), me shallin e saj hedhur rreth supeve. Kur shkruante Princin e vogël, Exupery ishte në New York. Ishte viti 1943, kohë lufte. Librin ai e shkroi në apartamentin ku rrinte me të shoqen.

Madje mbrëmjeve të vona i lexonte shpesh pasazhe të romanit, si të ishte konsulentja e tij e afërt. Aty lexonin, putheshin, dashuroheshin e pastaj grindeshin, sepse shkrimtari ishte në çaste të vështira të jetës së tij, larg Francës së pushtuar, Francës kolaboracioniste dhe ndodhte që në orën dy të natës ai ti kërkonte ti bënte vezë të skuqura. Jo rrallë, pas zënkave të forta, Konsuelo lutej: «Zot, bëmë të ngjashme me të, ashtu siç do burri im. Shpëtoje burrin tim që ai të më dojë vërtetë, pasi pa të do të jem një jetime e madhe. Bëj o Zot që ai të vdesë i pari mes ne të dyve që të mos vuaj kaq shumë nga ankthet që ai ka…” Por Konsuela e dinte, siç do të thoshte më vonë pas lufte, se ”ajo ishte trëndafili në duart e Princit të vogël”. Ashtu i kishte thënë dhe ai një ditë: “E di? Trëndafili je ti, por unë asnjëherë nuk u kujdesa për të. Gjithnjë të gjeja të bukur…” Në një nga letrat që i dërgonte, kur u nis në front ai i shprehte keqardhjen që nuk shkroi në fillim të librit se atë libër ia kushtonte asaj.

Lexon sot Princin e vogël dhe shpesh ndalesh gjatë në episode të mrekullueshme dhe plot imagjinatë që të venë në mendime. Një botë që vetëm një pilot ndoshta me atë ekperiencë ajrore do të mund ta shkruante. Dhe ja, një cast, dhelpra i thotë Princit të vogël: “Koha që ke humbur për trëndafilin tënd, e bën atë tepër të rëndësishëm…” Për shkrimtarin, Princi i vogël ishte një metaforë. A nuk shkruante ai se “vetëm fëmijët i kuptojnë të vërtetat më të thjeshta të botës dhe se çelësi i kuptimit është frut i pafajësisë së tyre”. Po, Exupery e shihte veten, si dhe Konsuelon, të pafajshëm nga zemërimet e tyre dhe se në fund të fundit ata ishin vërtet të pafajshëm dhe se gjithçka bëhej në emër të dashurisë. Princin e vogël Exupery e shkroi brenda tre muajsh në apartamentin e tyre në New York. “Parapëlqej të shkruaj natën, – shënonte ai. – Dita shpesh shkon me konferenca, mbledhje, vizita. Rrallë filloj të shkruaj në orën 11 të natës. Para vetes mbaj gjithnjë një tabaka me gota kafeje. Kështu jam i lirë të shkruaj me orë të tëra, pa u lodhur dhe pa patur dëshirë të fle. Asnjëherë nuk e di se në çfarë ore do më kapë gjumi. Fle pa e kuptuar dhe kur zgjohem është ditë dhe kokën e kam poshtë krahut. Vetëm kështu mund të shkruaj.

Kur libri fillon, ai më ngërthen gjatë gjithë kohës…” Duke treguar për historinë e Princit të vogël, dhe historinë e një aksidenti të tij ajror kur ra në mes të shkretëtirës dhe ashtu gjithë plagë duhej të bridhte ditë të tëra gjersa të pikëtakonte njerëz, Exupery kujtonte: “Kështu jetova pa folur me askënd gjersa pata avarinë në shkretëtirën e Saharasë, këtu e gjashtë vjet më parë. Dhe meqë s’kisha me vete as mekanik, as pasagjerë, atëherë u përpoqa të mbijetoja. Për mua ishte një çështje jete dhe vdekje. Kisha ujë vetëm për tetë ditë. Ditën e parë fjeta mbi rërë njëmijë milje larg vendeve të banuara Isha një i vetmuar më shumë se sa dikush që i ka shpëtuar mbytjes së një anije dhe majë një trapi ka mbetur në mes të oqeanit. Dhe atëherë imagjinoni habinë time kur një zë më zgjoi duke më thënë: “Ju lutem… më vizatoni një dele! – Ashtu?… – Vizatomë një dele!”

Dhe atëherë kërceva në këmbë sikur të më kishte goditur rrufeja. Fërkova fort sytë dhe vështrova, duke parë një qenie të vogël që më shikonte me një pamje hijerendë. Nëse një ditë udhëtoni nëpër shkretëtirën e Afrikës, vështrojeni me kujdes atë peizazh dhe ju do ta njohni atë me siguri. Po të kaloni andej, ju lutem mos nxitoni, prisni pak nën qiellin me yje. Nëse një fëmijë vjen drejt jush, nëse ai u buzëqesh, nëse ka flokë të artë, nëse nuk u përgjigjet kur e pyet, ju do ta merrni me mend se cili është ai. Atëherë silluni mirë me të. Mos e lini të trishtë dhe më shkruani shpejt që ai është kthyer…»

Dhe kështu, nga dita në ditë, në roman, Princi i vogël i tregon aviatorit të vetmuar në dramën e tij historinë personale dhe të planetit ku jeton, asteroidit B612, «pak më i madh se një shtëpi», ku ai vëzhgon galaksinë, lëvizjen e planeteve, lindjen e perëndimin e diellit. Një ditë ai ishte i pranishëm në çeljen e një trëndafili të mrekullueshëm, ku ai e kupton se dashuria ka dhe gjemba. Atëherë vendos ta lerë planetin e tij dhe të zbresë në planete të tjera për të njohur miq të rinj…

I shkruar në prani të saj, shkrimtari në fakt i rikthehej itinerarit të dashurisë së tij me të, jetës së tyre të përbashkët, mungesës dhe dëshirës për të mos humbur njëri-tjetrin, ndarjes dhe ribashkimit, pendesës dhe kërkimit të ethshëm të lumturisë. Eshtë e bukur kur në takimin mes Princit të vogël dhe atij, Princi e pyet se përse pi. Dhe ai i përgjigjet se dehet nga trishtimi dhe se ka turp për këtë. Ky episod ishte një përjetim real i shkrimtarit, i cili ato kohëv pinte vazhdimisht, pasi mes tij dhe asaj vazhdonin zënkat, moskuptimet, xhelozitë. Ishte më shumë xhelozia e tij. Por ai ne fund të fundit vetëm atë donte dhe shpresonte se do ti përkushtohej përjetësisht.

Misioni i fundit

Pas botimit të romanit Princit të vogël, fama e Exupery-së u bë akoma më e madhe, nisur fillimthi me veprat e njohura botërisht si Pilot lufte, (Pilote de guerre) Toka e njerëzve (Terre des hommes) dhe Fluturimi natën, (Vol de nuit) libra që hynë në historinë e letërsisë franceze të shekullit XX, të cilat tërhoqën kineastë të shumtë  amerikanë e francezë për të realizuar filma. Një ndër ta ishte dhe regjisori Jean Renoir autori i filmit “Iluzioni i Madh” dhe Exupery filloi të shkruante dhe si skenarist. Edhe pse pas botimit të Princit të vogël urimet i vinin nga e gjithë bota, kjo përsëri nuk e mbushte shpirtin e tij që tashmë ishte bërë disi fatalist, përballë një France të mundur dhe kotësisë së tij përballë fateve të kombit. Tashmë mendonte gjithnjë e më shpesh vdekjen. Dhe kur mendonte këtë kthente kokën nga e dashura e tij.

Madje edhe në një nga letrat e fundit ai i shkruante se tani «vdekja nuk i bënte aspak përshtypje”. «Unë jam si pema e një pylli sipër të cilit nderet sopata e druvarit dhe Zoti do më presë dhe mua, si një ngrehinë të rrënuar». Exupery kishte zbarkuar në Marok dhe priste angazhimin e tij në frontin aleat. E vetmja dhimbje ishte Konsuelo që e kishte lënë të vetmuar, por shpresa se shumë shpejt do të ktheheshin së bashku në Francën e çliruar i jepte forcë. Konsuelo nga larg i shkruante: ”Nuk dua të jesh i trishtë. Unë e pranoj me dëshirë luftën tënde, në shkretëtirë, me avionët e tu dhe kjo s’është e lehtë për ty, apo jo fëmija ime e shtrenjtë. E shikon, qielli ynë na do dhe unë besoj se ti dhe unë jemi të veçantë, fëmijë të mbrojtur nga Zoti. As e keqja e natyrave tona të zjarrta dhe të çmendura nuk na shkatëroi. Dhe atëherë mendo i dashuri im se sa gëzim do të ketë për trëndafilin tënd, trëndafili yt që mburret dhe thotë: Unë jam trëdafili i mbretit, unë jam e ndryshme nga gjithë trëndafilët e tjerë, pasi ai kujdeset për mua dhe më bën të mbahem gjallë, të marr frymë. Dhe unë i dashur do të tregoj netët e pritjes, netët e lotëve dhe të shpresës, duke pritur mbretin tim…”

Ai e donte shumë Konsuelon dhe kujtonte se një sfidë e re do ta kthente furishëm tek ajo. Dhe sfida ishte të shkonte në frontin e luftës, në emër të Francës. Të fluturonte sërrish me misione akoma më të rrezikshme. Dhe ai iu bashkua aviacionit  të Aleatëve, pranë flotiljes amerikane. Lufta vazhdonte. Në atë kohë amerikanët ishin pajisur me një tip të ri avioni mjaft të shpejtë «P-38 Lightning» dhe ai ëndërronte të fluturonte me të. Por tashmë Exupery nuk ishte më ai piloti i ri i fuqishëm. Majft aksidente kishin lënë gjurmë në itinerarin e tij si aviator, edhe pse ishin udhëtime të gjata e të rrezikshme ku kishte rrezikuar jetën ku mund të mos ngrihej më në këmbë e që njëkohësisht kishin cënuar disi famën e tij si një pilot i jashtëzakonshëm.

Por ai quhej Exupery dhe nuk donte të tërhiqej. Miqtë e tij i kërkuan gjeneralit Ejzenhauer që ti jepte mundësinë të inkuadrohej në misionet luftarake amerikane drejt Mesdheut, Italisë, Korsikës dhe jugut të Francës. Më së fundi ai u inkuadrua në unitetin “2/33”. Gëzimi i Exupery-së ishte i jashtëzakonshëm. Dhe ky ishte një përjashtim, pasi aviatorët lejoheshin të fluturonin deri në moshën 30 vjeçare ndërkohë që ai ishte 44 vjeç. Plot entusiazëm ai i shkruante Konsuelos së dashur: ”Së fundi kam bërë disa fluturime me avionin “P-38”, një avion i mrekullueshëm. Do kisha qenë i lumtur ta kisha këtë dhuratë në 25 vjetorin tim, por tashmë e shoh me melankoli se pas meje kam lënë 43 vjet dhe 6500 orë fluturime… Tashmë nuk kam më frikë të vdes në luftë…

Pas disa inkursioneve zbuluese, më 31 korrik të vitit 1944 ai u nis përsëri drejt brigjeve franceze. Franca ishte ende e pushtuar dhe bateritë ajrore gjermane kërcënonin rrezikshëm avionët e Aleatëve që survejonin përqëndrimet ushtarake të Wermaht-it. I vetëm, ai ishte nisur nga Korsika drejt Savoie. Fluturonte në një kohë me re. Meditonte gjithnjë siç ndodhte kur ishte gjithnjë me avionin e tij. Konsuelo… dashuria e tij. C’bënte vallë tani? Me siguri priste me padurim mbarimin e kësaj lufte… dhe pastaj jeta e ëmbël do të niste, bredhjet, dehja me botën, romanet. Madje tani dhe Konsuelo shkruante dhe pëlqente shumë pikturën. Pak kohë më parë ai i kishte dërguar një letër prej dymbëdhjetë faqesh ku i shkruante per të nesërmen e Francës dhe nevojën e bashkimit, për ndërtimin e një shoqërie të re moderne, ku ndër të tjera shtonte:

«E dashur, dua të të tregoj një ëndërr që e pashë kur ne ishim ndarë. Isha në një livadh, por toka ishte e shkretë dhe pemët të thara. S’kishte asnjë lloj arome, shije. Dhe papritur toka u rigjallërua dhe pemët gjelbëruan. Gjithçka mori aromë dhe shije, dhe kjo ishte tronditëse për mua. Unë e di përse. Dhe atëherë thoja: Konsuelo u rishfaq, ajo është aty. Ti ishe kripa e tokës, ti kishe zgjuar dashurinë time për gjithçka. Konsuelo, unë e kuptova që të doja përjetësisht…» Exupery fluturonte nëpër erë, nëpër re… Me atë ai ishte njohur kur kishte qenë në Buenos Aires me një kompani ajrore dhe kur mbante një konferencë letrare në Alliance Française. Sapo ishte kthyer me avion nga Toka e Zjarrtë. Atëherë Konsuelo ishte vejushë, burri i saj Gomez Carrillo, shkrimtar dhe diplomat kishte vdekur, duke e lënë atë fare të re, 26 vjeçare, ndërsa ai ishte piloti i jashtëzakonshëm dhe shkrimtari i njohur… Atë ditë ai nuk i bëri fare komplimente, madje e ngacmoi se ishte e dobët dhe e shkurtër. E zemëruar nga fjalët e tij, ajo kishte bërë të largohej menjëherë por ai e kishte ndaluar. Më së fundi i kërkoi ta merrte me avion bashkë me ca miq dhe ti bënte një shëtitje mbi qytet. Dhe ata shkuan. Dhe rrugës ajo i kishte thënë: «Ndërsa ti je si një ari i dhjamur!»… Por menjëherë ai i ishte lutur: «Atëherë, a nuk do më zbutësh?!… dhe ai kërkoi ta puthte, por ajo e refuzoi. Ishte ende e zemëruar. Atëherë ai i tha se avioni kishte difekt dhe se mund të rrëzoheshin mbi Rio de la Plata… Ishte një shaka, siç bënte gjithmonë dhe kjo Konsuelon e bëri të qeshte shumë.

31 korrik 1943. Exupery fluturonte mbi Mesdhe dhe tashmë retë e rrethonin ngado. Po i afrohej gjithnjë e më shumë brigjeve të jugut francez. Dhe ja, lidhja me radion u ndërpre. Ora kalonte dhe në pikën e nisjes pritej mbërritja e Exupery-së si një dita më parë. Por ai po vononte. Diçka duhej të kishte ngjarë. Vallë e kishin diktuar? E kishin qëlluar?…. Vallë ishte zenë rob apo kishte rënë në greminat e detit?… Kështu ngrysej nata e po kështu dhe netë të tjera pa asnjë shenjë. As nga bateritë gjermane nuk kishte asnjë lajm nëse gjermanët kishin hedhur ndonjë avion amerikan. Exupery ishte zhdukur… Të gjithë e kuptuan se ai nuk do të kthehej më. E megjithatë shpresa i mbante. Ishte një shpresë që venitej gjithnjë e më shumë.

Më së fundi, dhe Konsuelon e njoftuan për zhdukjen e tij. Muaj të tjerë do të kalonin, në pritje, ankth, pagjumësi, në shpresë. Franca u çlirua. Më së fundi dhe Konsuelo e kuptoi se e humbi Princin e saj: «I dashuri im… Po të nisem që kaq larg, me tren, me avion, nën det apo përmes tokës, kam përshtypjen se nuk do mund të arrij deri tek ty. Tonio, Tonito, burri im, biri im, kambana ime, bëj që të rrahin kambanat e mëdha, pasi unë nuk po mbushem dot me frymë. Duke të pritur e bëra gjigande dallgën që të të sjellë deri këtu. Po këputem si gjethet, po bie me shiun. Nuk mund të ecë, nga fakti se pres një çast që të shoh sytë e tu, rrumballakë, si lule. A nuk e sheh se unë s’mund ta ujis pemën e festës së Krishtlindjes, që ajo të rritet? Burri im i yjeve, unë kam këmbë e duar të vogla, eja të më ndihmosh. Nuk e di si kam ecur që nga fëmijëria deri më sot.

Jeta ime ishte një trallisje e madhe. Tashmë flokët e më janë gri dhe kam aq shumë lotë në gojë çka do më mjaftonte të pija gjithë jetën time. Përse Tonio, Tonio im, burri im, e keqja dhe e mira ime, qielli dhe ferri im, përse u nise për të mos u kthyer më. Nuk mund ta besoj, oh, nuk dua ta di, ti u nise me avionin tënd më 31 korrik, me një mision lufte dhe nuk u ktheve më. Asnjë lajm nga ty dhe viti po mbaron. Duhet ta pranoj, dhe nëse e pranoj, këtë do ta bëj për të të dashur akoma më shumë, siç do të të doja po të rivije. Ashtu si dhe ti do të bëje të njëjtën gjë për mua. O, Zoti im me kurorën me gjemba në kokë, ma shkul zemrën, pasi kam shumë dhimbje. Ti e di Tonio që për mua ti ishe gjithçka. Pa ty unë jam një hiç… Tonio im, tani jam vetëm. Ti nuk u ktheve, por ti je brenda meje, i përjetshëm, fëmija im, burri im, të kam në krahë si Princin e vogël, ne jemi të pacënueshëm. Të pacënueshmit e vërtetë, ata që janë si ne dhe që janë në dritë, në pastërtinë e krijimit. Lexoj e rilexoj letrën tënde të fundit… Më ka prekur ajo që ti më së fundi e kishe kuptuar Konsuelon tënd të vogël, “penën e artë”, siç e quaje shpesh… Ti më thoje gjithnjë: Tregomë një histori Konsuelo ime vogël.

Nganjëherë kur jam i humbur mes yjeve apo kur nuk e di ku është drejtimi polar apo ajo dritë mbi tokë që më jep sinjale, atëherë them se është Konsuelo që më thërret dhe të siguroj që unë të shoh. Dhe kështu nisem të vij tek ty,ku më thua ti. Historitë e tua më udhëheqin… Më ndihmo o Zot. S’kam asnjë që të dua, që ta pres, që ta përqafoj. Shtëpia më është bërë e vogël, vetëm dritarja është hapur që qielli mund të hyjë atje ku ai shkoi për të mos u kthyer më. Ma kthe atë Ati im, bëj një mrekulli. Nëse ti do ma kthesh me dashurinë e tij, unë do ta kreh, do ta laj, do ta puth dhe bashkë do të vijmë deri tek ty…”

Konsuelo shkruante e përhumbur në botën e saj të kujtimeve, të zisë, ku fjalët e ëmbla të Antonios së saj i rivinin në një refren të përditshëm, të përnatshëm, dhe ku ai i rishfaqej ashtu i buzëqeshur, në shtrat, në rrugë, duke pirë së bashku një kafe.

Vdekja është gjithnjë e dhimbshme, por kur nuk e ke atë para sysh, kur nuk e realizon dot vdkjen e njeriut të shtrenjtë, kjo lloj vdekje mbetet enigmatike dhe merr përmasa akoma më të dhimbshme. E vështirë të mbash zinë e njeriut që është pjesë e jetës dhe historisë tënde. Dhe Konsuelo për vite të tëra i kthehej kësaj enigme, kësaj zhdukje të mistershme, kësaj vdekje të pashpallur. Si vallë kishte vdekur? A kishte vuajtur shumë?

A e kishte realizuar ndarjen me pjesën tjetër të botës, me dashurinë e tij? Vallë në xhepat e tij a i kishin mbetur ende letra të tjera që ai s’kish mundur ti dërgonte drejt saj, si ajo letër kur pak ditë me parë ai i kishte shkruar: «Të falenderoj e dashur që bëre aq përpjekje të mbeteshe gruaja ime. Tashmë që jemi në luftë dhe të humbur në pafundësinë e këtij planeti, si ngushëllim kam veç një yll që është drita e shtëpisë sonë. Zogu im i vogël, mbaje atë të dlirë…» Vallë Princi i vogël i shkretëtirës a e kishte pikëtakuar aviatorin e ëmbël atë çast të goditjes fatale kur binte në errësirën e madhe të natës, të natës së tij të fundit?

Konsuelo do ta mbante gjithnjë të shtrenjtë kujtimin dhe veprën e të dashurit të saj. Ishte ajo që merrte pjesë në shumë veprimtari në kujtim të Exupery-së, siç shkruan dhe në shënimet e saj të botuara më pas «Kujtimet e trëndafilit». Në vitin 1964, ajo pikturonte në atelierin e mikut të saj Salvador Dali, të cilin e kishte njohur në New York, në fundin e luftës. Dhe në tablotë e saj ishte gjithnjë portreti i Tonios së saj.

Edhe sot, kur qëndroj të kundroj retë, qiellin, ndodh të kujtohem për Exupery-në dhe të imagjinoj udhëtimet e Princit të vogël, atë aventurë të bukur galaksie por që në fund të fundit është vetë bota njerëzore të rruzullit tonë. Ndodh gjithashtu që shpesh të kaloj nga shtëpia parisiane e tij, nga  ajo ndërtesë “haussmaniane” në Parisin VII, ku një pllakë përkujtimore ballë kupolës së artë të kishës Saint-Louis në Invalides, u tregon turistëve se aty ka jetuar Antoine de Saint Exupery… E mua, duke parë gjithë këto, mëk ujtohet një poezi e nënës së tij, e cila e kuptoi që ai s’do të kthehej më dhe ato ditë të lirisë së Francës  kishte shkruar një lloj elegjie që të vret shpirtin:

«Ngado e kërkoj fëmijën tim

dritën që linda

që klitha për ta nxjerrë në jetë

dhe ende sot unë klith

sepse nuk di asgjë për të

asnjë lajm, as dhe një varr

uria e tij për dritën ishte e tillë

sa ai u bë pelegrin i yjeve.

O pelegrin i qiellit

a mbërrite në lëndinat e Zotit?

Ah sikur ta dija,

atëherë do qaja më pak nën shaminë time…

Piloti i luftës Antoine de Saint-Exupery nuk do të kthehej më kurrë, edhe pse mbeti i pranishëm në shumë, miliona dashuri. Ndryshe nga aventura e tij qiellore, tashmë, nga fundi i detit, ku më së fundi u gjetën dhe pjesët e avionit të tij, ai mund të vëzhgojë gjatë natës qiellin me yje dhe të udhëtojë sërrish për të rigjetur Princin e vogël dhe për të parë sërrish trëndafilin e tij të dikurshëm.

 

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit