MENU
klinika

Detajet

Programi i qeverisë, sa mln lekë do të marrin mbi 500 mijë të rinj?

18.05.2019 - 19:42

Rreth 500-550 mijë të rinj në të gjithë vendin nga mosha 15 deri 29 vjeç do të jenë përfitues direkt dhe jo direkt të një fondi total prej 6.2 milionë lekësh për periudhën 2019-2021.

Qeveria ka hartuar një projektligj i cili është depozituar për diskutim në komisionet parlamentare ku parashikon që t’i japë më shumë vëmendje rinisë në vend, përmes mekanizmave fuqizues si dhe mbështetje financiare.

Projektligji synon plotësimin e kuadrit ligjor ekzistues që ndikon tek të rinjtë si edhe rritjen e pjesëmarrjes të të rinjve në proceset politikëbërëse dhe vendimmarrëse.

Nëpërmjet këtij projektligji synohet përcaktimi i rolit dhe i përgjegjësive të institucioneve publike në nivel qendror dhe vendor në fushën e mbrojtjes dhe të fuqizimit të të rinjve, duke propozuar edhe ngritjen e strukturave të reja në nivel bashkie, të dedikuara për adresimin e çështjeve të të rinjve.

Projektligji, propozohen veprimtaritë, mënyrat dhe zërat e financimit. Financimi dhe bashkëfinancimi i politikave, programeve, projekteve e veprimtarive rinore propozohet të planifikohet dhe të realizohet nëpërmjet fondit grant të dedikuar për rininë, lidhur me:

a) financimin e ndërtimit apo të rikonstruksionit të objekteve publike dhe infrastrukturës rinore;
b) financimin e projekteve të organizatave rinore e për të rinjtë;
c) bashkëfinancimin për pjesëmarrje në programe ndërkombëtare; gjithashtu, propozohet që fondi i projekteve për zhvillimin dhe financimin e objekteve e të infrastrukturës rinore shpërndahet mbi bazën e projekteve që paraqiten nga subjektet sipas këtij ligji.