MENU
klinika

Nga Lis Bukuroca

Pse ateistët janë më inteligjentë se njerëzit fetarë?

29.05.2019 - 21:09

Të gjitha revistat dhe gazetat gjermane publikuan rezultatin nga testi i IQ me fetarët dhe jo fetarët.

Sipas psikologëve besimi fetar është instikt dhe njerëzi jo fetarë posedojnë aftësi më të mëdha reagimi, se sa fetarët. Ata kanë vlerësuar IQ-testet nga fetarët dhe jo fetarët dhe dallimi është për katër deri në tetë pikë. Kur kemi probleme, reagimi për zgjidhje të tyre është i ndryshëm te besimtarët.

“Me fjalë të tjera, feja është një instinkt, por për të analizuar situatat e caktuara në mënyrë racionale në vend të ndjekjes së reagimeve instinktive, kërkohet inteligjencë. Njerëzit inteligjentë janë më të aftë për reflektuar për to,” konstaton në bazë të vlerësimeve të testeve psikologu Dutton.

Reagim instiktiv është të goditet, të rrahet një sulmues. Një person inteligjent do të përmbahet dhe do të kërkojë zgjidhje më të mira. Grupi jo-fetar kishte nivelin më të lartë të inteligjencës, 103, kurse besimtarët arritën një IQ mesatare prej 97 – një dallim minimal, por i dukshëm. Inteligjenca mesatare në popull është 100, kurse e fetarëve, bie nën mesataren.

Në studimin e tyre, Edwar Dutton dhe Dimitri Van der Linden theksojnë se dallimet në inteligjence njiheshin tashmë në Greqinë e lashtë dhe në Romë. Atëherë konsiderohej i drejtë mendimi se “budallenjtë” kanë prirjen ndaj fesë, “njerëzit e mençur” – p.sh. filozofët, natyralistët, por edhe burrështetasit – ishin më shumë skeptikët, që nuk besonin në perënditë e popujve të lashtë.

Në një studim tjetër nga Thomas Bouchard dhe Laura Koenigs nga Universitetit i Minesotës është gjetur se religjioni deri në një masë trashëgohet, por i cili me rritjen e inteligjencës bie.

Sipas rezultateve të studimit, besimi është rreth 40 deri 60 për qind i trashëguar – kjo është një vlerë e ngjashme me trashëgimin e talentit për muzikë.
Kosova në hartën e besimtarëve në Europë zë vendin e parë me bindje fetare, kurse të fundit me arsim, të PISA-së. Studimi pra tregon qartë degradimin e inteligjencës në Kosovë dhe rritjen e religjionit.

Edhe psikologu evolucionar Satoshi Kanazawa i “London School of Economics and Political Science”, konstaton se me rritjen e inteligjencës, besimi fetar bie. Në Shqipëri dhe Kosovë ndodh e kundërta!

Në një studim të mëparshëm Kanazawa, psikolog i psikologjisë evolucionare, ka zbuluar se njerëzit inteligjentë qëndrojnë më gjatë zgjuar natën, por flenë më gjatë dhe ngrihen më vonë se ata më pak inteligjentët. Tani, Kanazawa argumenton edhe se njerëzit konservatorë kujdesen për veten dhe familjen. Ata kanë IQ më të vogël se të majtët dhe liberalët në politikë, që kanë më shumë empati dhe kujdesen shumë për të tjerët. Pra konservatorët, si cilësi të trashëguar nga evolucioni, kanë kujdestarinë për hordhin e vet.

Po pse atëherë fitojnë në zgjedhje mesatarët dhe jo intelegjentët?

Këtë ka zbuluar në vitet e 90 Michel Hogg, gjersa studionte teorinë e identiteti social. Konstatimi i tij ishte se njerëzi zgjedhin njeriun mesatar me të cilin mund të identifikohen. Këtu gjendet shpjegimi pse Rexhep Qosja votohet me një për qind, por Ramush Haradinaj e Thaçi durohen si kryeministër dhe kryetar! Kjo është edhe arsye pse partitë nacionaliste, të djathta ekstreme që janë raciste, ksenofobike, mund edhe të fitojnë shumë votues! Kjo është arsyeja pse brohoritet Erdogani, Putini dhe Trumpi! Ata për nga inteligjenca përfaqësojnë shumicën, ku çdo “budallai” i krijohet shpresa se mund të ngrihet në yll!

Se psikologët kanë të drejtë, mund të argumentohet me gati 20 shekuj prapambetje kur më pak inteligjentët kishin pushtetin fetar dhe politik. Kjo vërehet edhe sot lehtë, kur krahasohet besimi fetar në vende të ndryshme dhe arritjet shkencore, ekonomike dhe në art, shkurt në të gjitha fushat e jetës.

Aty ku besimi fetar është i madh, nuk prodhohet asgjë me vlerë për t’u shitur diku. Shkollat nuk prodhojnë dijetarë, por besimtarë!

Meqenëse sipas psikologjisë me rritjen e inteligjencës bie besimi, klerikët kanë bërë çdo gjë të mundur të pengojnë vetëdijesimin, arsimin dhe përparimin. E kanë bërë me luftë, me djegie, me prerje kokash, me propagandë, derisa nga Revolucioni Francez janë mbështetur për mur dhe u dëbuan nga jeta publike.

Klerikët thonë se mbi ne përgjon një perëndi e gjithëfuqishme dhe e gjithëdijshëm, e cila brenda një sekonde, mund të ndryshojë universin, miliarda galaktika apo t‘i shkatërrosh të gjitha, por edhe pse ka aq shumë fuqi, ai nuk ka forcë të pengojë vdekjen e tre milion fëmijëve brenda vitit në Tokë nga uria.

Merre me mend ti je ai zot për shembull, por nuk ke as fuqi të marrësh vendim, se cili njeri mund të punojë në ndërmarrjen tënde, edhe atë, tash e dhjetëra shekuj! Pra, shefi i një restoranti ka më shumë fuqi dhe inteligjencë dhe zgjedh vet kamerierët, por jo zoti i gjithëfuqishëm dhe i gjithëdijshëm dhe i madh, klerikët!

Ti mund të presësh ndihmë nga qielli, por zgjidhjet janë vetëm në tokë.

Nëse dëshiron njeri të ri, mos helmo, mos indoktrino fëmijën me dogma fetare mizantrope, sepse me zotin i anulohet liria e të menduarit dhe i urdhërohet besimi, izolimi, racizmi, mungesa e tolerancës, i imponohet frika se një krijesë hyjnëre e vështron 24 orë në ditë dhe i humbet besimi në vetvete! Ai duhet të bëhet kreator i jetës, jo kopje e profetëve të huaj të vetëshpallur! Kur kihet parasysh se sa njohuri kishin profetët, atëherë mund të kuptohet se a duhet të merren seriozisht, e pastaj ata jetonin edhe nga 900 vjet, kur gati asnjë njeri nuk dinte as të numërojë, as të shkruajë.

Pas këtij zbulimi se religjioni dëmton inteligjencën, kemi edhe një arsye shkencore, por mos u habitni nëse lexoni edhe të kundërtën: domethënë se fetarët janë më të mençur, sepse ka edhe psikologë që janë fetarë, por ka edhe shumë njerëz të pasur që paguajnë “zbulime” të tilla, si dikur me qindra punime shkencore, se duhani nuk dëmtonte shëndetin e njeriut.

Tani kemi edhe rezultatin se religjioni dëmton psikikën, rrjedhimisht përparimin!

Mijëra familje pa energji elektrike

Kaos në Britani nga stuhia ‘Bert’!

Vangjeli: Sky ECC u përdor nga politikanë, ministra e gjyqtarë…

“Prokuroria ka në dorë ‘ditarin’ e botës së errët të krimit”

“Bllokim total i Tiranës! Qytetarët do të vuajnë, por…“

“Mosbindja civile” protestë më 26 nëntor, Paloka zbardh skenarin