MENU
klinika

Bukëpjekësi i rrezikshëm për komunizmin

Pse u vra bashkëpunëtori më i afërt Hoxhës, cili ishte ai?

26.05.2019 - 16:16

     10  FAKTE të rëndësishme mbi të vërtetat e pathëna më parë:

1- Ishte një nga personazhet më të rëndësishme të rezistencës komuniste gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri: Vasil Shanto.

2-Vasil Shanto ka qenë pjesëmarrës në mbledhjen themeluese të Partisë Komuniste të Shqipërisë, më 8 Nëntor 1941,në Tiranë.

3-Vasil Shanto ishte një nga bashkëpunëtorët e afërt të Qemal Stafës e më pas edhe të Enver Hoxhës.

4-Vasil Shanto ishte veprimtar aktiv i Partisë Komuniste dhe komandant i njësiteve guerile në Shkodër dhe Tiranë. Ai organizoi dhe mori pjesë në disa aksione e atentate ndaj personave të ndryshëm.

5-Vasil Shanto u arrestua tri herë në jetën e tij për veprimtari komuniste.

6-Më 4 Shkurt 1939 Gjykata e Posaçme për Faje Politike e dënoi Vasil Shanton me 10 vjet burg.

7-Vasil Shanto vuajti dënimin në Burgun e Beratit deri më 7 Prill 1939, kur ky burg u shpërthye dhe u liruan të  gjithë të burgosurit.

8-Më 18 shtator 1942 kryetari i Komisionit, Qazim Mulleti,vendosi internimin e familjes së Vasil Shantos nga Tirana.

9-Më 29 maj 1943 Gjykata e Posaçme e Shtetit e dënoi me vdekje në mungesë Vasil Shanton për 5 akuza,mes tyre më e rënda ishte për kryengritje të armatosur.

10-Në momentin e vrasjes së Vasil Shantos u kap rob Miladin Popoviçi, i cili ishte bashkë me të.

 

 

 

 

 

DEKLARATA TË BUJSHME PËR VRASJEN

Beqir Xhepa,korrieri i Qemal Stafës

“Jo vetëm që Vasil Shanto ishte i atij mendimi, por që nga ajo kohë e deri ditën që u vra, ai i kishte të ftohura marrëdhëniet me Enver Hoxhën. Këtë gjë e dinë mirë shumë nga komunistët e asaj kohe që jetojnë akoma edhe sot, të cilët e dinë që edhe Vasili u vra gjatë një shërbimi që i kishte ngarkuar Enver Hoxha”

 

10 MISTERE

 

  • Si ka mundësi që Vasil Shanto, një personazh shumë i rëndësishëm i Partisë Komuniste dhe themelues i kësaj partie caktohej në detyrën e rëndomtë të shoqëruesit të Vukmanoviç Tempos?
  • Si ka mundësi që Vasil Shanto u vra menjëherë pas kthimit nga shoqërimi që i bëri Vukmanoviç Tempos, emisarit Jugosllav, në një udhëtim të tij nga Korça në Tiranë?
  • Si ka mundësi që Vasil Shanto ishte në ilegalitet të plotë dhe kërkohej, por u caktua shoqërues në një udhëtim të gjatë?
  • Kush e caktoi Vasil Shanton si shoqërues të Vukmanoviç Tempos nga Korça në Tiranë?
  • Përse Vasil Shanto i tha Naxhije Dumes se ky kishte për të qënë udhëtimi i fundit në jetë?
  • Në cilat rrethana u bashkua me Vasil Shanton në Kolashin të Malit të Zi, Miladin Popoviçi?
  • Si ka mundësi që ndërsa Vasil Shanto dhe Reshit Rusi mbetën të vrarë nga forcat e xhandarmërisë, Miladin Popoviçi u dorëzua duke rënë rob?
  • Pse është mbajtur i fshehtë fakti që në momentin e vrasjes së Vasil Shantos ka qënë i pranishëm Miladin Popoviçi?
  • Si ka mundësi që pas dëshmisë së tij Miladin Popoviçi u lirua?
  • Si ka mundësi që vetëm 7 muaj pas vrasjes së Vasil Shantos, Partia Komuniste Jugosllave urdhëroi që Miladin Popoviçi të largohej nga Shqipëria dhe të shkonte në Kosovë?

 

TË DHËNA NË SHIFRA

 

10 VJET BURG – U dënua Vasil Shanto në shkurt të vitit 1939 për prirjet e tij komuniste.

100 KOPJE TË FOTOGRAFISË – Së Vasil Shantos përgatiti Kuestura e Tiranës për identifikimin dhe kapjen e tij si person i rrezikshëm.

5 VJET INTERNIM TË FAMILJES – Së Vasil Shantos vendosi kuestura më 18 shtator 1942,duke e larguar nga Tirana. Arsyetimi ishte se Shanto konsiderohej si person i rrezikshëm dhe se familja e ndihmon qëllimisht qëndrimin e tij në arrati.

 

 

Vasil Shanto ishte një nga simbolet e rezistencës së Luftës së Dytë Botërore, të komunistit dhe të idealistit. Në ditën e parë të shkurtit të vitit 1944 bashkë me Reshit Rusin dhe Miladin Popoviçin, po përpiqeshin të kalonin kufirin e Malit të Zi, nëpërmjet liqenit të Shkodrës. Dhjetëra forca xhandarmërie ishin vënë në ndjekje dhe në momentin kur ata tentuan të hipnin në një varkë,xhandarët hapën zjarr kundër tyre dhe Shanto dhe Rusi mbetën të vdekur, ndërsa Popoviçi u dorëzua.

 

SKENA E VRASJES

 

Besohet se mes Vasil Shantos, Reshit Rusit dhe forcave të xhandarmërisë ka pasur shkëbim zjarri. E, megjithatë, Vasil Shanto ka mundur të zhdukë disa material kompromentuese. Pranë trupit të vrarë xhandarët gjetën hirin e letrave dhe dokumenteve që kishin djegur në momentet e fundit. Por bashkë me Vasil Shanton dhe Reshit Rusin ka qënë edhe një person i tretë, për të cilin është folur shumë pak. Në një procesverbal të Xhandarmërisë së Shkodrës,më 14 Shkurt 1994, shkruhet e plotë dëshmia e Miladin Popoviçit, që përpara xhandarmërisë është prezantuar me emrin Naum Zafirof që kishte qënë bashkë me Vasil Shanton dhe Reshit Rusin në këtë përpjekje me armë. Popoviçi ishte një emisar i Partisë Komuniste të Jugosllavisë, që u dërgua në Shqipëri për të ndihmuar themelimin e Partisë Komuniste të Shqipërisë. Ai jo vetëm mori pjesë në mbledhjen themeluese të kësaj partie, por ishte njënga bashkëpuntorët e Enver Hoxhës edhe për shumë vite. Sipas të dhënave, në fillim të vitit 1944 Miladini është bashkuar me Vasil Shanton në Kolashin të Malit të Zi, në rrethana misterioze. Xhandarmëria e Shkodrës pasi mori informacion se Vasil Shanto ndodhej në zonën e Vrakës, u vu në ndjekje. Naum Zafirof dëshmon:

 

“Më datë 29 kallnuer 1944, kena nisë udhëtimin tue udhëtue atë ditë dhe atë natë gjithë natën. Herë rrugës e herë nëpër male kena mbërrijtë në vendin ose ma mirë me thanë në katundin ku jena takue me patrullat e gjindarmërisë, rezultati i të cilit duket. Gjatë udhëtimit Vasili na ka porositë që të ecshim me vëmendje dhe pa zë, përse ishte friga që do të hetojshim prej ndonjë patrulle. Unë kam qënë i armatosun me një mashinë dore tip ingleze,e cila ka pas një krahën me 32 copë fishekë,Vasili ka pas edhe ai mashinë të tipit gjerman, por nuk e di sa municione ka pasë, por vetëm mbaj mend që ka pas tre krahna në çantën e mashinës e cila sigurisht që do të kenë qenë e mbushun. Më duket se ka pasë edhe një revolver, por nuk e mbaj mend mirë. Vasili ka pasur edhe bomba, por nuk e di sa ka pasë”

 

Ndërsa Vasil Shanto dhe Reshit Rusi mbetën të vrarë, Naum Zafirof, më saktë Miladin Popoviçi, u zu rob. Ai e dëshmon kështu momentin e dorëzimit, por edhe reagimin e Vasilit Shantos:

 

“Në rastin që jemi takue me gjindarmët… kena tentue me ikë nji rruge që të çonte rrazë malit,por edhe atje kemi pa vendin të rrethuem.Atëherë unë tue e pa vedin në rrezik,mbasi gjindarmët shtieshin gjithnjë kundra nesh,bërtita “mos shtini, mos shtini”dhe me këtë rast kam hedhë mashinën(armën) për tokë dhe jam zanë  rob prej gjindarmëve, unë me mashinë nuk kam mujtë me shtie asnjë fishek, pse ndjekja që na u ba ishte e shpejtë… nësa Vasili edhe mbas dorëzimit tem ka shti me bombë e me mashinë kundër gjindarmëve”

 

Është shumë e dyshimtë se si më pas, Miladin Popoviç është liruar. Në shtator të vitit 1944, ai urdhërohet të largohet nga Shqipëria, për të shkuar në Kosovë, ku pak muaj më vnë do të vritej.

 

 

 

 

 

SI U ORGANIZUA VRASJA E VASIL SHANTOS

 

Mëngjesin e të martës së 1 shkurtit 1944 banorët e fshatit Vrakë janë zgjuar nga të shtënat e armëve. Një repart i Xhandarmërisë së Shkodrës po ndiqte tre persona për t’i kapur, por rezistenca e tyre bëri që ndjekja të fillojë me të shtëna armësh nga të dyja palët. Nga thellësia e viteve na vjen dëshmia e një banori të fshatit, që ka parë të gjithë skenën. Marash Berisha, djali i Prekë Ukë Lulashit, i cili pati pasoja nga regjimi komunist, jep një variant tejet interesant për këtë ngjarje:

“ Njerëzit e ngarkuar me këtë punë e kanë ruajtur, gjersa janë future në fshatin Vrakë dhe e kanë qëllluar, teksa po i drejtohej lundrës në breg të liqenit të Shkodrës. Vrakaçorët sapo dëgjuan pushkët, dolën jashtë për të marrë vesh se çfarë ishin këto pushkë dhe njerëzit e Enverit hapën fjalën  se “ kanë ardhur Hallunoviçtë me vra gjakësit”. Kjo përkonte me një rast hasmërie,që fisi shkodran i Hallunoviçve kishte me fisin e Dem Metajve në Vrakë. Këta të fundit lëshuan kushtrimin te meshkujt e fisit të tyre që banonin në Guci dhe ne Grudë të re. Sapo dëgjuan kushtrimin, rreth 40 meshkuj nga këto fshatra morën armët dhe u nisën drejt Vrakës për të luftuar Hallunoviçtë. Sapo kanë hyrë në Vrakë, kanë shkrehur armët,për të treguar se erdhën e për të parë se ku janë hasmit e tyre. Por ne fakt, ata nuk panë asnjë person nga fisi i hasmit, por panë vetëm të vrarë në breg të liqenit Vasil Shanton së bashku me Reshit Rusin. Pas i identifikuan mirë dhe kur e panë se këta dy persona nuk kishin lidhje me hasmin, u kthyen në shtëpinë  e tyre”.

 

KOMUNISTI I BINDUR VASIL SHANTO

 

Për të kuptuar përse Vasil Shanto ishte bërë komunist, mjafton të lexojmë deponimet e tij në proçesin gjyqësor në Gjykatën e Posaçme, për Faje Politike, në seancën e datës 4 Shkurt 1939. Ja si i është përgjigjur pyetjes së gjykatësit përse ishte komunist.

 

“Jam i bindur  se komunizmi duhet patjetër të ekzistojë në Shqipni dhe këtë bindje e kam formue nga vuejtjet e klasës punëtore, bile zoti kryetar ju deklaroj haptaz e 90 për qind e bukës që bahet prej furrtarëve sot asht e infektueshme prej turbekulozit, mbasi shegertët që shërbejnë ndër furrtarë nuk kanë kurrë pushim e duke punue natë e ditë, e duke fjetur mbi thasë të miellit e, ndonjëherë, në çimento dhe ushqimin e kanë të keq, e shpërblehen pak. Këtë e di se jam vet furrtar, prandaj edhe unë vendosa të bëj propagandë dhe ç’do të bahet më vonë nuk e di, se kjo nuk varet prej nesh, po prej punëtorëve dhe katundarëve të cilët vuajnë”.

 

Por nga bindja për një jetë dhe rend më të mirë Vasil Shanto kaloi në aksione me armë. Me 20 maj 1943 ai u dënua me vdekje nga një gjykatë në Tiranë për pesë vepra penale: përgjegjës për fajet e organizimit dhe drejtimit subversiv, ideator për të zhvilluar diktaturën e një klase shoqërore mbi të tjerat,propagandë subversive, kryengritje e armatosur dhe përdorim armësh kundër shtetit dhe kundër objekteve private e shtetërore. Më 18 Shtator 1942 Kuestura e Tiranës kishte vendosur internimin e familjes së tij për 5 vjet nga Tirana.Për italianët pushtues Vasil Shanto ishte një terrorist komunist, ndërsa për komunistët ishte një hero. Nga kjo datë, Vasil Shanto ishte personi më i kërkuar në Shqipëri. Në Arkivin e Shtetit janë më dhjetëra e qindra kërkesat dhe informacionet e lëshuara nga zyrtarët e milicisë së asaj kohe që kërkojnë patjetër arrestimin e Vasil Shantos, i deklaruar si i arratisur.

 

Shkëputur prej “100 vrasjet më të bujshme” (Në historinë e shtetit shqiptar në të gjitha trojet shqiptare, 1912-2017), me autor Roland Qafokun./Konica.al

Përshtati: Hera Lera

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


E fejuara u vetëvra fill pas tij

Cili ishte vërtet Kajo Karafili, pse dhe si u vra?


U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit