Të gjithë përdoruesit e autostradës Tiranë-Durrës janë njoftuar nga ARRSH që të kenë kujdes, pasi do të nise rehabilitimi i ndriçimit në këtë aks.
Konkretisht rehabilitimi do të ndodhë nga km 0+000 deri në km 14+750, segmenti rrugor ish-Dogana-Qafë Kashar -Vorë.
Njoftimi i ARRSH
Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Policia e Qarkullimit Rrugor informojnë se, duke nisur nga dita e Mërkurë datë 8 Maj 2019 ora 08:00 në mëngjes deri në datë 17.07.2019, në kuadër të projektit “Mirëmbajtja dhe Siguria Rrugore Bazuar në Rezultate”, financim i Qeverisë së Shqipërisë dhe Bankës Botërore, do të realizohen punime në rrugë si më poshtë vijon:
– Rehabilitim i sistemit te ndriçimit në Autostradën Tiranë-Durrës, nga Km 0+000 deri në Km 14+750, Segmenti rrugor: ish Dogana-Qafë Kashar-Vorë.
Qarkullimi i mjeteve në pjesën ku do të kryhen punimet do të jetë me shpejtësi të reduktuar, lëvizja e mjeteve do të drejtohet në 1 korsi (Punimet kryhen vetëm gjatë njërit drejtim të rrugës) dhe do të realizohet në përputhje me sinjalistikën e vendosur sipas Planit të Menaxhimit të Trafikut të miratuar.
Punonjësit e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Policisë së Qarkullimit Rrugor dhe kompanisë së mirëmbajtjes do të jenë në terren për mbarëvajtjen e ndërhyrjes dhe orientimin e trafikut sipas planit të menaxhimit të miratuar.
ARRSH dhe Policia e Qarkullimit Rrugor kërkojnë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e drejtuesve të mjeteve dhe bizneseve te zonës gjatë procesit të ndërhyrjes në këtë segment rrugor, respektimin në mënyrë rigoroze të sinjalistikës provizore të vendosur, rregullat e qarkullimit rrugor, si dhe udhëzimet e Policisë Rrugore në terren.