MENU

Pagesa për rrugën

Rikonfirmon Balluku/ Tiranë-Durrës, në shtator hapet tenderi

16.05.2019 - 19:34

Në shtator qeveria pritet të hapë tenderin për të zgjedhur fituesin për zgjerimin e rrugës Tiranë-Durrës dhe pas përfundimit të saj dhe rikonstruksionit të rrugës Tiranë-Plepa, autostrada me trafikun më të madh në vend do të bëhet me pagesë.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku sqaroi sot se pas hapjes së tenderit do të shihen kostot dhe tarifa më e leverdishme, ndërsa pranoi se ka një interes të shprehur nga një kompani indiane, por nuk do të ketë kufizim vetëm te kjo oferta.

Pas ndërtimit të rrugës dhe rehabilitimit të Tiranë Plepa, ata që do e përdorin autostradën do të paguajnë me telepass, në bazë të kilometrave që do të përshkruajnë.

Balluku shtoi se nuk ka asgjë konkrete për tarifën dhe gjithçka do të vendoset pasi të shihen të gjitha ofertat.

“Është një projekt afatgjatë, po shikohet nga ekspertët e ministrisë për t’u vlerësuar dhe nuk ka një propozim sa i takon pagesës. Kjo do ndodhë pas realizimit të projektit, flitet për një afat kohor të largët. Do ketë një pagesë të përshkallëzuar, jo çdo dalje do paguhet, është në varësi të gjatësisë së rrugës që do përshkruajë çdo automjet. E dyta, kushdo të jetë fituesi duhet të rehabilitojë rrugën pa pagesë Tiranë-Plepa. Pra Shqipëria do përfitojë edhe një rrugë të dytë të zgjeruar dhe me parametra europianë. Pas kësaj do filllojnë punimet në rrugën Tiranë-Durrës. Është një proces kompleks. Do të ketë një dialog publik. Të gjitha rrugët që në të ardhmen do të jenë me pagesë, por do të kenë gjithmonë rrugë alternative. Asnjë mundësi e vetme nuk do të jetë asnjëherë me pagesë”-tha sot Balluku.

Ministrja nuk sqaroi nëse koncesionari do e ndërtojë rrugën me fondet e veta dhe investimin do ta nxjerrë nga tarifat që do mbledhë, apo do të marrë pagesa dhe nga buxheti i shtetit.

Më herët, në projektbuxhetin e vitit 2019, qeveria shqiptare kishte bërë të ditur se planifikonte të jepte me koncesion e Autostradën, Tiranë – Durrës kundrejt vlerës 49 miliardë lekë ose rreth 385 milionë euro.

Projekti përfshin ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës.