MENU
klinika

Nga Financial Times

Rikthimi i parezistueshëm i miliarderëve italianë

01.05.2019 - 19:55

14 vite më parë, kur punoja si reportere në Romë, rrugës për në shtëpi hasa Silvio Berluskonin, të rrethuar nga truprojat përpara kryeministrisë. Fytyra e tij e qeshur, enkas për kamerat, si gjithnjë, kërkonte me sy për gazetarë me të cilët të fliste.

Lajmi që donte të jepte, personalisht, ishte për një ndryshim qeveritar që do ta lejonte miliarderin e mediave në Itali të vazhdonte e të bëhej kryeministri më jetëgjatë. I mbajta shënim fjalët e tij, ia dërgova një kryeredaktori dhe shkova në shtëpi.

E pashë sërish gjatë viteve, edhe në një mbrëmje që nuk harrohet lehtë, kur ftoi me shaka gazetarët nga Financial Times, Economist dhe Wall Street Journal për një festë “bunga-bunga”. Këtë javë, Berluskoni u dërgua me urgjencë në spital, për një operim të papritur, dhe u detyrua të anulojë një tjetër konferencë për shtyp, kur do të jepte një tjetër lajm për gazetarët.

Mjeku tha se Berluskoni është gati të kthehet në front, brenda pak ditësh. Dhe ai s’është i vetmi miliarder në Itali që po përpiqet të rikthehet prapë në krye, edhe pse të gjitha shenjat u thonë që duhet ta lënë me aq.

Dy 80-vjeçarë të tjerë duket se po kthehen në ballë të bizneseve që kanë themeluar vetë. Luçiano Beneton është kthyer të drejtojë grupin e tij të veshjeve, ndërsa Leonardo Del Vekio, jetimi që ngriti kompaninë botërore të syzave, Luxottica, i befasoi të gjithë kur deklaroi se do ta vazhdonte drejtimin edhe pas bashkimit me “Essilor” të Francës.

Sigurisht, të vazhdosh të punosh kur je 80 vjeç është diçka për t’u lëvduar, dhe s’është dukuri ekskluzive e Italisë. Uoren Bufet, në SHBA, është një investues veteran që javën e shkuar tha për Financial Times se po argëtohej më shumë se çdo 88 vjeçar tjetër në botë, duke drejtuar kompaninë e tij.

Por këmbëngulja e Berluskonit, Benetonit dhe Del Vekjos sjell pyetjen interesante, për jetëgjatësinë e egoizmit mes super-të-pasurve që i kanë ngritur bizneset vetë.

Të tre këta biznesmenë janë kthyer në krye kur kanë ndier se grupi që kanë krijuar ka nisur të futet në krizë, dhe kanë menduar se s’mund ta zgjidhë askush tjetër veç tyre. Të gjithë janë pronarë dhe themelues të bizneseve të tyre, ndaj mund të bëjnë ç’të duan. Madje, mund të ndihen të shfajësuar edhe po të dështojnë.

Rikthimi i Berluskonit në biznes dhe politikë vjen pasi francezi Vinsent Bolore i bleu një pjesë të perandorisë mediatike, ndërsa mbështetjen politike ia morën populistët e rinj. Berluskoni e largoi Bolorenë, pas kësaj.

Benetton u kthye sepse nuk e shihte dot më rënien e kompanisë. Ai ka nisur një ndryshim rrënjësor nëpër dyqanet e Benetton, dhe organizoi një shfaqje mode te Java e Modës së Milanos.

Del Vekjo sikur është rinuar nga bashkimi i kompanisë së tij me Esilorin francez, sipas njerëzve që ka pranë. Ai nuk sheh asnjë arsye se pse duhet t’ua lërë francezëve drejtimin, duke qenë aksioneri më i madh. Me më shumë se 30% të aksioneve, ai mund të mbizotërojë.

Megjithatë, nevoja për të bërë heroizma të tilla po u vjen për shkak të dështimeve të mëparshme që i kanë nisur po vetë. Këto probleme nuk do të kishin ndodhur sikur këta drejtues të kishin angazhuar menaxherë të kualifikuar, që vite më parë, e të kishin zbatuar plane për kalimin e pushtetit.

Italia është sot një vend i zemëruar, i mbushur me frikë dhe rënie ekonomike, pjesërisht për shkak të lëvizjeve ekonomike që nisën që kur Berluskoni ishte në pushtet, por edhe falë brezit të vjetur që nuk diti t’u bëjë vend të rinjve.

Salvini, drejtuesi i zgjuar dhe i frikshëm i ekstremit të djathtë, që është njëkohësisht kryeministër në pritje, përfitoi nga mundësia vetëm sepse Berluskoni nuk diti t’i hapë rrugë një trashëgimtari politik në qendrën e djathtë.

Media italiane, e zvogëluar për shkak të ligjeve shtrembëruese që u vunë në zbatim kryesisht për shkak të konfliktit të interesit që kishte Berluskoni, tani janë të brishta përpara korporatave që blejnë e shkatërrojnë.

Zara spanjolle dhe H&M suedeze po mbizotërojnë në terrenin që duhej t’i shkonte natyrshëm Benetonit, vetëm sepse themeluesi italian nuk mundi ta pranojë kërcënimin që i vinte nga “moda e shpejtë”.

Dhe kthimi i Del Vekjos në front bëri që të largoheshin drejtues të talentuar, që ishin zhvilluar brenda kompanisë. Ata kanë shkuar në kompani të tjera të mëdha, si Eataly, Brunello Cucinelli dhe Lavazza, në vend që të vazhdonin të drejtonin shkrirjen e Esilor Luxotikas për vitet e ardhshme.

Koha është diçka që tetëdhjetë-vjeçarët nuk e kanë përkrah.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Do të kandidojë në zgjedhjet europiane

82 vjeç por nuk heq dorë nga pushteti, rikthehet Berluskoni