MENU
klinika

Periudha Janar-Prill

Rritet numri i personave që humbën jetën në aksidente

21.05.2019 - 14:29

Në katër muajt e parë të këtij viti humbën jetën 62 persona nga aksidentet automobilistike. Në të njëjtën periudhë të një viti më parë janë shënuar 61 viktima.

Pavarësisht bilancit si 4 mujor marrë më vete vetëm muaji prill duket se ka një rënie të numrit të aksidenteve dhe pasojave prej tyre në tërësi.

Instituti i Statistikave raportoi se në muajin Prill 2019 numërohen 112 aksidente rrugore nga 134 aksidente të ndodhura në Prill 2018, duke u ulur me 16,4 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

“Në Prill 2019, numri i të aksidentuarve (të vrarë dhe të plagosur) është 147 persona nga 168 që ishte një vit më parë, duke u ulur me 12,5 %.

Numri i të aksidentuarve në katër mujorin e parë të vitit 2019, është 630 persona nga 651 persona duke u ulur me 3,2 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2018.

Në muajin Prill 2019, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 14 persona duke mbetur i pandryshuar, krahasuar me Prill 2018.

Në katërmujorin e parë 2019, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 62 nga 61 që ishte një vit më parë”, thuhet në njoftimin e INSTAT.

Në një analizë të shkakut të aksidentit në prill 2019 raportohet se aksidentet rrugore në 84,8 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit.

Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup mosha 25 –35 vjeç, duke zënë 33,9 % të numrit të aksidenteve gjithsej.

Aksidentet në këtë grup moshe janë ulur me 17,4 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në katërmujorin e parë 2019, aksidentet rrugore, në 16,0 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së këmbësorit.

Gjatë kësaj periudhe, numri i aksidenteve sipas sjelljes së këmbësorit është ulur 25,0 %, krahasuar me një vit më parë” njoftoi INSTAT.