Kryeministri Rama nga foltorja e Kuvendit u është përgjigjur akuzave të opozitës në lidhje me shifrën rekord dhënë për dy rrugë 30 km me një shumë 260 mln euro.
Në lidhje me këtë kosto të lartë, Rama tha se rrugët janë të standartit A me vepra brenda dhe 13 vjet kosto mirëmbajtjeje në kontratë.
Çfarë tha Rama në Kuvend?
“Është e paimagjinueshme që km e rrugëve të trajtohen si metra teritali, shet e blen terital dhe ndryshon çmimi sipas madhësisë së kostumit, por për km rrugë duhet të shohin cfarë ka në ato km.
Nuk i bihet shkurt e të thuash si ka mundësi për 17 km rrugë kaq shumë para.
Dhe ja si ka mundësi, së pari njëherë ne e kemi thënë: sapo të mbyllim rrugët e lëna rrugëve do bëjnë rrugë të standardeve evropiane, të dyja rrugët që do të ndërtohen janë standardi A. Rrugë të tillë kemi vetëm një pjesë të rrugës së Kombit.
Rruga Milot-Balldren ka dy tunele, dy ura, atë mbi Drin me 224 metra hapësirë drite dhe mbi Mat me 624 metra mbi hapësirë drite, 6 nyje mbikalime dhe nënkalime, dhe duke qenë rrugë e standardit A do të jenë një rrugë ku nuk do të bashkëjetojnë automjetet me bagetitë dhe ku nuk do të lejohet transformimi i rrugës në korridor mes pishinash, magazinash, trampolinash, varreza makinash e me radhë.
Në atë shumë ka 13 vjet mirëmbajtje, rruga e Kombit kushtoi mbi 1 miliardë dhe nuk ka mbaruar akoma, kërkon para, së dyti nuk përmbush standardin A në gjithë gjatësinë e vet dhe së treti nuk është se garanton atë që ne u detyruam ta bëjmë me vendosjen e pagesës, mirëmbajtjen, ndërsa në këto kontrata kemi mirëmbajtjen për 13 vjet. cdo gjë është në përgjegjësinë e kompanive.
E fundit, janë kompanitë që investojnë kapitalin e tyre dhe shteti paguan vit pa viti, nuk janë para që jepen menjëherë.