MENU

Flet guvernatori

Sejko zbardh strategjinë për rritjen e kreditimit

11.05.2019 - 18:34

Guvernatori Gent Sejko ka bërë të ditur planin e masave që ka ndërmarrë dhe do të ndjekë i Banka e Shqipërisë për rritjen e kreditimi.

Sekjo pohon se Kreditimi është rritur në mënyrë të moderuar gjatë viteve të fundit. Por për shkak të disa faktorëve – mbiçmimi i kursit të këmbimit (portofoli shprehet në lek) dhe nxjerrja e kredive me probleme jashtë bilanceve të bankave – teprica e kredisë ka rënie.

Kredia ka pasur një rritje prej 5 % vitin e kaluar dhe 6% në tremujorin e parë të viti 2019, e zhveshur nga këta faktorë. Kjo rritje ka qenë dhe më e lartë sesa niveli i rritjes së PBB-së, që ishte 4.1% për vitin 2018.

Kuptohet, kjo rritje është e moderuar dhe ne kërkojmë të kemi një rritje edhe më të lartë të kredisë në mënyrë që të ndikojë në stimulimin dhe nxitjen e rritjes ekonomike të vendit, punësimit, pagave, e kështu më radhë”-tha Sejko.

Sipas Guvernatorit Banka e Shqipërisë ka marrë disa masa, një ndër të cilat ka qenë plani i masave për reduktimin e kredive me probleme.

Ky plan është hartuar jo vetëm për të përmirësuar bilancet e bankave dhe stabilitetin financiar të vendit, por kryesisht për nxitjen e kreditimit. Ai ka rezultuar pozitiv dhe ka bërë që raporti i kredive me probleme të ulet nga niveli 25% në vitin 2013 në 11% në fund të vitit 2018.

“Banka e Shqipërisë ka marrë dhe shumë masa të tjera mikro dhe makroprudenciale, të cilat kanë pasur efektin e tyre.

Disa prej këtyre masave kanë qenë të lidhura me mjaftueshmërinë e kapitalit të bankave dhe stimulimin e kreditimit në raport me mjaftueshmërinë e kapitalit, duke u kujdesur për ndikimin që këto masa do të kishin në tepricën e likuiditetit.

Pra, bankat janë stimuluar që depozitat ose likuiditetet e tepërta të përktheheshin më shumë në kredi për ekonominë sesa të mbaheshin si vendosje në bankat e huaja.

Ne po vazhdojmë ti ndjekim të gjitha masat, si ato të përcaktuara në planin e masave për uljen e kredive me probleme, ashtu edhe ato me karakter makroprudencial.

Kemi bërë disa takime me biznesin dhe sektorin bankar. Kemi bashkëpunuar ngushtë me sektorin bankar në mënyrë që të stimulohet kreditimi në mënyrë të kujdesshme në ekonomi”- deklaroi Sejko.

Ne jemi duke punuar edhe mbi ndryshime të tjera rregullative për të stimuluar kreditimin, por gjithmonë në mënyrë të kujdesshme që të mos krijojmë përsëri kredi me probleme.

Në vijim, ne do të bashkëpunojmë ngushtë me Shoqatën Shqiptare të Bankave dhe shoqatat e biznesit në mënyrë që të vazhdojë kreditimi në ekonomi.

Duhet theksuar se një normë rritje e kredisë prej 6% është një normë e mirë në një situatë rreziqesh. Në analizat tona ne parashikojmë që rreziqet janë në kahun e poshtëm.

Prandaj dhe  sektori bankar dhe sistemi financiar duhet të ecin në mënyrë të kujdesshme, të ndikojnë në rritjen ekonomike të vendit, të ushtrojnë rolin dhe funksionin e tyre në kreditim, por të japin kredi të shëndetshme.

Pra, të jepen kredi për projekte serioze të cilat të jenë të kthyeshme. Nga ana tjetër, duhet të kemi dhe një kërkesë të shëndetshme agregate që vjen si pasojë e tregut. Nuk janë vetëm bankat shkaktare kryesore të situatës së kreditimit.

Duhet të kuptojmë që bankat janë njëra palë, pala tjetër janë ekonomia, tregu, dhe projektet. Bankat financojnë projekte të cilat plotësojnë kriteret e financimit. Sa më shumë projekte të mira të ketë aq më shumë bankat do t’i përgjigjen këtyre projekteve.

Tregu ka një tepricë likuiditeti të mjaftueshme të cilën ne po përpiqemi ta përkthejmë në kredi për ekonominë”-mbyll argumenin Guvernatori i Bankës së Shqipërisë .

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Takimi në Bukuresht

Sejko: Borxhi privat nën kontroll