MENU
klinika

Studimi

Sëmundjet alergjike/ Gjithçka duhet të dini!

29.05.2019 - 17:35

Stina e pranverës, ‘ringjallja’ e natyrës sjell gëzim për shumë njerëz, ndërsa për individët që vuajnë nga sëmundjet alergjike sjell shqetësime të mëdha.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për rreth 50 milionë persona, kjo stinë nënkupton teshtima, prurit, lotim të syve dhe bllokim të hundëve me një kosto prej 18 miliardë dollarë.

Studimet tregojnë se nivelet e dioksidit të karbonit në atmosferë janë rritur, duke mbështetur të dhënat për ngrohjen globale; pemët po prodhojnë më shumë polene dhe për më shumë kohë, pra do kemi sasi më të larta e kohëzgjatje më të madhe të poleneve në ajër dhe rrjedhimisht kemi rritje të ekspozimit ndaj tyre.

Jo vetëm alergjia ndaj poleneve por dhe ndaj alergenëve të tjerë si pluhuri i shtëpisë (akarienet) apo mykrat po rriten në prevalencë dhe në severitet në të gjithë botën dhe do vazhdojnë të jenë një shqetësim përderisa temperaturat dhe ekspozimi po rriten.
Studiuesit kanë raportuar që ndryshimet në klimë imponojnë simptoma të ndryshme në pacientët alergjikë ndaj poleneve. Tashmë pacientëve duhet t’ja fillojmë trajtimin 2 javë më herët në këto 10 vitet e fundit në krahasim me më parë.

Alergjia nga polenet ul cilësinë e jetës duke ndikuar në funksionet fizike, psikologjike dhe sociale të individëve alergjikë.

alergji-ne-syte-konica.al

Shenjat dhe simptomat e pacientëve me polinozë janë teshtima (5-10 teshtima në grup ose breshëri), të kruara dhe rrjedhje të hundëve, të kruara të shprehura dhe lotim të syve, bllokim të hundëve, marrje fryme. Mund të shkaktojë dhe sinusitis. Gjithashtu pacientët janë të lodhur, të irrituar, kanë gjendje ankthi, depresion, dëshpërim dhe ulje të energjive. Simptomat e alergjisë nga polenet kanë dhe kosto ekonomike si humbje të ditëve të punës ose ulje të përqëndrimit dhe produktivitetit në shkollë.

Për pacientët me alergji nga polenet ka shumë vlerë vendosja në kohë e diagnozës dhe marrja e mjekimit të duhur. Mënyra më e mirë për të menaxhuar simptomat e alergjisë është mjekimi përpara fillimit të sezonit polenik. Specialistët alergologë kanë aftësinë profesionale për të identifikuar dhe vërtetuar alergjinë dhe për të këshilluar mbi trajtimin dhe masat mbrojtëse që mund të ulin simptomat dhe të rrisin cilësinë e jetës.

 Çfarë është alergjia nga polenet (Alergjia e barit)?

Alergjia nga polenet, e quajtur ndryshe “Alergjia e barit” ose “Polinoza”, është një patologji alergjike që prek mukozën e hundës dhe të syve. Ajo zakonisht karakterizohet nga rinorea e ujshme, bllokimi i hundëve, lotim të syve, të kruara (prurit) të syve, të hundës, të veshëve dhe fytit. Këto simptoma shkaktohen nga hipersensibilizimi ndaj poleneve që qarkullojnë në ajër si: polenet e barërave, pemëve, e shkurreve. Kur alergeni bie në kontakt me imunoglobulinat (IgE) në inde dhe në mukozën nazale (të hundës) aty çlirohen mediatorë të shumtë si histamina, leukotriene etj, që çojnë në shfaqjen e simptomave alergjike.

A janë personat alergjikë ndaj poleneve, të ndjeshëm dhe ndaj alergenëve të tjerë të ambientit apo ushqimore?

kolana e librave

Personat alergjikë nga polenet mund të jenë të ndjeshëm dhe ndaj alergenëve të tjerë. Për shembull, “sindroma alergjike polen-ushqim” e njohur ndryshe dhe si “sindroma orale alergjike” është një tip i Alergjisë Ushqimore që shfaqet në individë të sensibilizuar ndaj poleneve. Pacientët ndjejnë prurit dhe/ose irritim dhe/ose edemë të lehtë të gjuhës dhe fytit menjëherë pas ngrënies së frutave të papërpunuara (si mollë, dardhë, luleshtrydhe, pjeshkë, qershi dhe disa lloje frutash të thata) ose perime të papërpunuara. Simptomat shfaqen si urtikarie kontakti në orofaring, sepse këto ushqime përmbajnë proteina të lidhura me polenet, të cilat japin reaksionet e kryqëzuara alergjike.

Në lidhje me këto ushqime, shumë pacientë që kanë alergji nga polenet mund të kenë alergji edhe ndaj mykrave. Me ngrohjen e motit, kemi shtim të lagështirës brenda në ambiente të mbyllura që favorizon rritjen e mykrave. Moti i ngrohtë favorizon prodhimin e mykrave, të kërpudhave. Izolimi i shtëpive, mosajrosja e tyre, ajri i kondicionuar janë akuzuar gjithashtu si nxitës të rritjes së përqëndrimit të pluhurave të shtëpisë apo të kërpudhave, myqeve.

Si mundet alergjia nga polenet të dëmtojë cilësinë e jetës?

Shenjat dhe simptomat prezente në pacientë gjatë sezonit alergjik prishin cilësinë e jetës. Bllokimi i hundëve është i lidhur me prishjen e gjumit, me zgjime të shpeshta natën, që çojnë në lodhje dhe pagjumësi dhe ulin gjithashtu funksionet konjitive. Këto shoqërohen me çrregullime të performancës në punë e shkollë, çrregullime të sjelljes dhe vëmendjes në fëmijë.

Çfarë duhet të bëjnë personat me alergji nga polenet, për t’u përshtatur ndaj efekteve të ndryshimeve klimaterike?

Pacientët me alergji nga polenet duhet të jenë të vetëdijshëm për ndryshimet që mund të ndodhin në zonën e tyre për t’i ndihmuar ata të përshtaten. Këto ndryshime përfshijnë zgjatjen e sezonik polenik, rritjen e intensitetit të alergjisë dhe shfaqjen e papritur të poleneve të reja në disa zona.
Për pacientët është shumë e rëndësishme të kenë një diagnozë të saktë dhe një mjekim të përshtatshëm.

Mjeku specialist alergolog vendos diagnozën, shpjegon pacientin për masat parandaluese dhe kujdesin që duhet të ketë në periudhën e polenizimit; përcakton mjekimin e duhur, i cili në rastin e rinitit është i personalizuar në varësi të severitetit të simptomave. Gjithashtu harton një plan ndjekjeje të saktë dhe paraqet alternativat terapeutike siç është mjekimi dhe imunoterapia specifike ndaj alergenëve.

Imunoterapia specifike me alergenë është i vetmi mjekim sot që mund të modulojë dekursin e sëmundjes, ndihmon në uljen e simptomave dhe nevojën për mjekim, por nëse ajo kryhet sipas protokolleve të standardizuara nën ndjekjen rigoroze të mjekëve alergologë, të familjarizuar tashmë me këto skema.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Kujdesi ndaj insulinave

A ndodhin alergjitë nga insulina?