Shprehja e mësipërme që është popullore dhe ma citon im atë, që nga fëminia e hershme, i përket fshatarëve. Lidhet me një proces të njohur, për ata që punojnë në kohën e korrjeve. Të zënë me procesin e punës, ata e çojnë prodhimin e mbledhur në duaj në cepin e arës dhe vazhdojnë të punojnë…
Procesin e vëzhgon qetësisht gomari i fshatarit, i cili, vete dhe ha po qetësisht të korrat, misër a grurë.
Duket folur me ironi, se lideri i opozitës, në një mënyrë a tjetër është mësuar me historinë e 2011-ës, në zgjedhjet lokale, kur në mes të Tiranës, fitoi në tavolinë pa e vrarë mendjen. Në momentin që procesi i votimit kishte mbaruar për Kryetarin e madh, pra, të Bashkisë qëndrore, po jo në tri kutitë e tjera, ku palët nuk kishin interes të madh, papritur u vu re se i ishin hedhur në kuti fletë që, pastaj Komisioni Qëndror i Ristanit, i quajti të hedhura gabimisht…
Nuk ishte e vështirë të kuptoje se ishim brenda procesit të gomarit në polloge. Ironia nuk ka të bëjë me procesin. Pra, ishte gabim a mirë, të ndërroje rregullat në mes të lojës? Apo të numëroheshin edhe njëherë kutitë, që nuk kishin lidhje me procesin? Dukej, shumë thjesht, se numri i votave në total, në kuti, ishte më i madh se numuri i pjesëmarrësve. Kaq mjaftonte të kujtoje pollogenë, cituar më sipër.
Dikur jam tallur në televizion, kur analizonim zgjedhjet me këtë proces, duke thënë se ishin ngatërruar jo vetëm mollët me dardhat, po numri dardhave, pra i votave për kryetarin, ishte më i madh nga sa kishin hedhur njerëzit.
Arvizu, para disa kohësh, kësaj radhe jo në cilësinë e ambasadorit i ardhur në Tiranë, theksoi se në të vërtetë, kjo shaka e rëndë shënoi fillimin e fundit të PD-së. Në turpin e procesit, do shënuar akoma se ai që legjitimoi atë, ishte ish-Kryetari i Komisionit Zgjedhor, i cili, pak kohë pas përfundimit të zgjedhjeve përfundoi njeriu i dytë i PD-së.
Nëse procesin do ta merrnim të njëjtë me vjedhjen e një banke, do të habiteshim. Zakonisht, në raste të tilla, grupi, pas operacionit merr shpërblimin dhe zhduket pa u takuar më, me organzatorin.
Kohë më pas, duke analizuar ngjarjet qetësisht, mendova se procesi dukej i detyruar. Nëse PD do humbte edhe Tiranën, atëherë do të kishte humbje në gjithë Shqipërinë. Çka, me hir a pahir, do të impononte zgjedhje të parakohshme. Besoj që ka mundësi edhe vetë Arvizu, të ketë mbyllur sytë bashkë me të huajt e tjerë, për këtë shaka të rëndë. Pra, mendoi për stabilitetin e vendit…
Por, ndërkaq, si dhe të huajt e tjerë, mbajti shënim për ngjarjet dhe tha pak kohë më parë, drejpërdrejt, çka cituam më sipër.
Duket, se situata po përsëritet. Opozita përmend në përgjithësi vjedhje dhe në veçanti e lidh këtë proces, me dy dosje që më duket, kanë numurat 139 dhe 182.
Çfarë duhet menduar?
Së pari, këto dosje që thekson opozita i duhen paraqitur publikut, me të gjitha hollësitë. Nëse opozita i ka, duhet t’i nxjerrë dhe t’ia hedhë publikut për t’i parë. Nëse nuk i ka, atëherë duhet t’i kërkojë. Pastaj do të ishte me vend të bënte si opozita e dikurshme, të njihte rezultatin. Pra, të shërbenin këto si dosje demaskuese. Unë nuk besoj që Rama, do të bënte të bënte si Berisha, pra, të shpallte tender për blerje benzine për t’i djegur në breg të lumit kutitë…
Në një analizë të ftohtë, por gjithsesi personale, përsëritja e shakasë së gomarit në polloge është shumë më e thellë.
Në rezultate paraprake të nxjerra prej dy instituteve kohët e fundit, rezulton në njërin, se pozita e tanishme ka epërsi të thellë ndaj koalicionit PD dhe LSI. Analiza e problemit të shpie në idenë se, kjo ka ardhur nga koalicioni i PD me LSI, në 2009 deri në 2013. Aq sa vota i mungojnë PD i janë shtuar LSI, thjesht, votat kanë qarkulluar nga një parti në tjetrën. Në favor të hipotezës duket fakti se, brenda dy muajsh nga koha e njërit sondazh duket një forcim i PD-së në kurriz të LSI-së. Dhe kjo, pothuaj në 90 për qind të qarqeve. E kam shpjeguar shpesh këtë dhe për disa vite. Megjithatë dhe do të ishte interesante për atë që merret me sondazhe, të ndërtojë grafikun e votave PD dhe LSI, nga 2009 deri në 2017.
Një institut tjetër, nxjerr përfundimet që në momentin që po kalojmë, votat e opozitës, janë më shumë se të pozitës. Mund dhe të jetë e vërtetë, si opsioni i parë dhe ai i dytë. Në favor të përfundimit të dytë, shkon ideja se PS, ka mbledhur edhe 21 parti të tjera, për të garantuar veten në zgjedhjet e reja të qershorit.
Vetë nuk i besoj institutet dhe përfundimet e sondazheve të tyre. Por, në prirje për të ndihmuar opozitën le të supozojmë, se ka vlerë varianti që e nxjerr atë shumicë. Kjo do të thotë, se më e mira që mund të bëjë ajo, është t’i mbledhë gjithë votat e saj në një sigël dhe të provojë hipotezën. Kjo do t’i jepte pastaj, një program të qartë sesi mund të vepronte më tej…
Besoj se edhe Basha, me gjithë kërcënimet andej-këndej, praktikisht këtë po bën. Po përpiqet të ngrejë moralin e të tijve dhe të mbyllë problemet me votat që kanë rrjedhur te LSI. Bashkimi i përkohshëm në një sigël dhe karikimi i trupave nën një komandë përkohësisht, është i lidhur me një farë zbori të përbashkët, që të vjetrit e njohin. Nëse arrin të trembë dhe Ramën, që vërtet të ikë, arrin shumë më tepër. Do të ishte thuajse të përsërisje gomarin në polloge… Çka besoj, nuk ngjan, por i shërben propagandës ditore…
A do të ishte kjo, rruga më e drejtë?
Besoj, do të ishte këshilla më e sinqertë, por dhe ndihma më e sinqertë dhënë opozitës. Veprimet e tjera, si ato të zgjedhjeve në 2011, në Tiranë, ku arrihet fitorja në tavolinë, me kutitë që nuk janë reale, apo qoftë edhe marrëveshja e 2017-ës, nuk bëjnë gjë tjetër veçse të kujtojnë shprehjen e titullit të artikullit
-Shiko, se u mësuat si gomari në polloge…
Shprehja nuk kërkon të fyejë njeri, por thjesht është brenda moralit të thënies së mësipërme, apo konkluzionit që vjen nga sjelljet e tanishme të opozitës.
Nuk ka asnjeri, të të lërë zgjedhjet në tavolinë dhe ca më shumë, t’i prishësh zgjedhjet.