MENU
klinika

Balzaku i kujtesës fotografike

Shkrimtar i artit absolut

20.05.2019 - 15:17

   Sot është përvjetori i lindjes së shkrimtarit, poetit dhe dramaturgut të madh francez Honore dë Balzak. Me një personalitet të fortë, sa brilant, aq edhe kokëfortë, i dashuruar pas absolutes, në shtegtimin e jetës ulje-ngritjet e tij qenë vërtet marramendëse. Rridhte nga një familje e pasur borgjeze. Krijimet e para artistike nuk u pritën mirë nga kritikët, gjë që e çuan Balzakun të hidhej në aktivitete të tjera, herë si botues, herë si printues apo në blerjen e fonderisë së shkronjave, aktivitete të cilat rezultuan me faliment, duke e zhytur në borxhe.

Duke filluar nga viti 1830, aktiviteti letrar i Balzakut u bë i furishëm, aq sa në gjashtëmbëdhjetë vjet ai shkroi një shumicë romanesh, në “Revue de Paris”, në “Revue des Deux Mondes”, por edhe vëllime, shkrime pa fund, pa llogaritur tregimet e vazhdueshme, anekdotat, karikaturat dhe artikujt e kritikës letrare. Suksesi i parë publik qe “Lëkura e shagrinit” dhe, tre vjet më vonë, “Xha Gorioi”. Sot, Honore dë Balzak konsiderohet si një nga eksponentët kryesorë të romanit realist.

 

 

 

Sidoqë të ishte, Balzaku “realist” nuk kënaqej së imituari realen. Në kryeveprën e panjohur, ai shpjegon metodën e tij: “Misioni i artit nuk është të kopjojë natyrën, por ta shprehë atë. […] Ne duhet ta kuptojmë frymën, shpirtin, fizionominë e gjërave dhe qenieve”. Në parathënien e “Lëkura e shagrinit” Balzaku i sheh shkrimtarët si parashikues që trillojnë të vërtetën: “Në rastin e poetëve ose shkrimtarëve të vërtetë filozofikë, ekziston një dukuri morale, e pashpjegueshme, e padëgjuar, për të cilin shkenca vështirë se mund të japë shpjegim. Është njëlloj imazhi i dytë, që u lejon atyre të mendojnë të vërtetën e të gjitha situatave të mundshme; më mirë akoma, nuk e di se çfarë pushteti i mbart aty ku duhet të jenë, ku duan të jenë. Ata e shpiknin të vërtetën me analogji…”. Ja përse “piktori më i nxehtë, më i saktë i Firences nuk ka qenë kurrë në Firence!”. Nëse Viktor Hygo mishëron dëshirën për të zgjuar përmes poezisë dimensionin epik, Balzaku është Homeri i vërtetë i shekullit të nëntëmbëdhjetë.

 

 

 

 

“Balzaku është mishërimi i literaturës së përgjithshme, duke imponuar modelin e romanit si një kronikë të shoqërisë” – shprehet François Taillandier.

Balzaku dallohej për stilin karakteristik, shpeshherë fillonte me një temë relativisht të thjeshtë dhe një draft të shkurtër, por në punë e sipër idetë e freskëta zaptonin përmbajtjen derisa në përfundim historia shtjellohej përtej synimit të tij të parë. Problemi ishte zgjerimi i vazhdueshëm dhe plotësimi i historisë origjinale, duke bërë përherë ndryshime, edhe pasi kishte dalë nga printeri. Skeleti origjinal i historisë plotësohej vazhdimisht derisa merrte përmasat e një romani të plotë, veçse me një kosto vërtet shkatërruese. Edhe pasi romani ishte i shtypur, ai shpesh do të paraqiste variacione të reja për temën, në çdo botim të ri. Metoda e Balzakut ishte padyshim përforcimi, theksimi dhe plotësimi.

 

 

 

Dallohen devijime të gjata nga tema, ku transmeton njohuritë e veta shumë të hollësishme për procedurat ligjore, manipulimet financiare ose proceset industriale, por në të mirë të tij, stili është jashtëzakonisht grafik, i shpejtë dhe therës, gjithsesi i pasur me sarkazëm, zgjuarsi dhe vëzhgime psikologjike. Zotërimi i gjuhës ishte i pakrahasueshëm, njëherazi mjeshtër i jashtëzakonshëm i dialogut. Balzaku konsiderohet si gurthemeli i romanit realist, po ashtu njihet si krijues i teknikës së romanit tradicional, ku ngjarjet përcjellëse dhe logjike përcaktohen nga një vëzhgues i gjithëdijshëm (narratori i gjithëdijshëm), kurse karakteret paraqiten në koherencë. Balzaku kishte fuqinë e jashtëzakonshme të vëzhgimit dhe kujtesën fotografike, sikurse aftësinë intuitive për të kuptuar dhe përshkruar sjelljet, ndjenjat dhe motivet e njerëzve të tjerë. Ishte i vendosur në ilustrimin e raportit kauzë-efekt, apo të rrethit shoqëror dhe karakterit.

 

“Një grua e bukur i pëlqen syrit, një e mirë kënaq zemrën; njëra është xhevahir, tjetra është thesar”.

 “Martesa është një luftë gjithëpushtetëse, para së cilës, bashkëshortët kërkojnë qiellin për bekimin e saj”.

“Dashuria ndjen tmerr për gjithçka që nuk është dashuri”.

“Sëmundja e kohës sonë është superioriteti. Ka më shumë shenjtorë sesa breza”.

“Arti është natyra e përqendruar”.

“Veshja është shprehja e shoqërisë”.

“Askush nuk e dashuron një femër thjesht se është e bukur apo e shëmtuar, budallaqe apo inteligjente. Ne dashurojmë sepse thjesht dashurojmë”.

 “Sa më shumë dikush të gjykojë të tjerët, aq më pak dashuron ai vetë”.

“Është e thjeshtë të ulesh dhe të presësh lajme. Vështirësia qëndron në faktin se duhet të çohesh dhe të realizosh vepra”.

“Dashuria është një lojë, ku gjithmonë do të jetë dikush që do të mashtrojë”./Konica.al

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit