MENU
klinika

Makinat e para i solli Zogu

Shqipëria kur kishte jo më shumë se 375 makina

27.05.2019 - 16:35

   Të apasionuar apo jo, pas makinave, të gjithëve nga pak, na ka rënë rasti të shohim ose të prekim makina që prindërit ose gjyshërit tanë i kanë përdorur vite më parë.

Kemi dëgjuar apo mbajmë mend, jo pak histori ku tregohet sesa e vështirë ishte për të gjetur automjete dhe për të lëvizur nga njëri qytet në tjetrin. Sigurisht, atëherë as që diskutohej për makina personale, përveç atyre që kishin “kuadrot e lartë të partisë” ose ata që gëzonin një pozitë të caktuar.

Automjetet e para në Shqipëri, kanë hyrë pas vitit 1925, koha kur presidenti i Republikës (që më pas, do të ishte dhe mbreti i Shqipërisë) Ahmet Zogu, ndërmori disa reforma për sa i përket automobilave.

 

 

 

 

Deri me ardhjen e komunizmit, makina e asaj kohe njihej me emrin “Fiat”, me të gjitha nënllojet e saj, si p.sh. Fiat 603, Fiat 15, autobusi MAN, Fiat 1100 etj. Targat e para shqiptare kishin një formë drejtkëndëshe, ishin në ngjyrë të bardhë me shkronja të zeza, vendosur në një rresht.

Një shkronjë tregonte prefekturën dhe shoqërohej nga një numër progresiv. Traga e pjesës së përparme të makinës ishte me madhësi më të vogël e tipit ”italian”, duke mbajtur shkronjat ndërkombëtare të përfaqësimit, pra shkronjat AL.

Ndërs ato diplomatike fillonin me shkronjat fillestare CD, ushtaraket me shkronjat SU (Shërbimi Ushtarak) dhe targat qeveritare me shkronjën Z (Zyrtare). Në vitin 1929, në Shqipëri qarkullonin vetëm 375 makina gjithsej.

Pas vitit 1939, situata në Shqipëri ndryshoi për shkak të pushtimit italian, gjë që solli dhe ndryshimin e targave dhe adoptimin e një formati tjetër shkrimi, p.sh. Tirana, kryeqyteti shkruhej si “Roma” dhe jo më me një shkronjë, pra “Tiranë”.

 

 

 

 

Viti 1943 ishte koha kur italianët ikin nga Shqipëria dhe vendi bie nën një diktaturë shumë të fortë, ashtu si edhe në vendet e tjera komuniste. Tanimë, ishte plotësisht e ndaluar për qytetarët që të blinin makina dhe ishte e ndaluar të mbanin edhe ato ekzistuese.

Pra, pronarët tashmë e 6 000 automjeteve që ishin deri në vitet 1950, nuk ishin më fisnikët shqiptarë, por vetë shteti. Në këtë kohë edhe targat u kthyen në thelb, si ato të para vitit 1939, duke u shtuar vetëm dy yje të kuq.

 

 

 

 

Kështu filloi edhe regjimi që do të zgjaste për plotë 45 vite, ku njerëzit do të fillonin të njiheshin me biçikletat sesa me automjetet. Nëse ishe zënë ngushtë ose kishe punë nga një qytet në një tjetër, njerëzve u duhet të sfiliteshin, duke u zgjuar që herët në mëngjes, për të udhëtuar majë karrocerisë së një Zisi, Gazi ose Skode.

Në zonat më të urbanizuara gjeje edhe trena apo autobusë, madje në qytete kishte edhe taksi, që gjithsesi ishin një luks dhe nuk mbulonin çdo destinacion të kërkuar.

Në shumë zona të thella të vendit, transporti ishte një aventurë me vete dhe një rast shprese, për ndonjë prej  mjeteve rastësore që mbulonin ato akse.

 

 

 

 

Autobusi “Skoda 706 RTO” i prodhimit çek, ka qenë “legjenda” e mjeteve të transportit rrugor të udhëtarëve në Shqipërinë e viteve 1970-’80. Gjendja e tyre shumë e mire, ka arritur të mbajë edhe gjatë viteve 2000, transportin tonë publik brenda qytetit.

Por, dikur ishte edhe Uzina Mekanike e Shkodrës, ajo që i riparonte dhe i mirëmbante këta autobusë, duke u mbuluar totalisht gjurmët që u linin vitet dhe dëmtimet e rrugëve problematike shqiptare.

 

 

 

Gjatë këtyre viteve një rol shumë të rëndësishëm kanë pasur dhe kamionët IFA, të konsideruar si automjetet më të mira të ushtrisë shqiptare, gjatë viteve 1985-1999, që mund të gjenden ende sot, në zonat e thella e malore të Shqipërisë.

Ky kamion legjendar, që vijon të përdoret edhe sot në shumë shtete, si një mjet praktik dhe shumë funksional ushtarak, dikur ishte krenaria e transportit ushtarak edhe në Shqipëri.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Miti i industrializimit në Shqipërinë komuniste

Propaganda: Në njërën dorë kazmën, në tjetrën pushkën