MENU
klinika

Kontributi i "Trëndafilit të bardhë"

Si Geraldina e bindi Zogun të strehonte hebrenjtë në Shqipëri?

07.05.2019 - 21:07

“Trëndafili i Bardhë” i Hungarisë dha një kontribut të çmuar në shpëtimin e hebrenjve në Shqipëri

Mbretëresha e bukur Geraldinë, “Trëndafili i Bardhë” i Hungarisë, po i shpeshtonte qëndrimet e saj në vendin tonë kur ishte vetëm e fejuara e mbretit Zog dhe vendi i kishte hyrë shumë në qejf.

Qëndronte një kohë të gjatë dhe e mbështeste pa kufi burrin që më vonë do të bëhej bashkëshorti i saj, por e gjithë kjo po ndodhte në një kohë shumë të trazuar, kur Hitleri kishte marrë pushtetin dhe po kërcënonte çifutët e kur Italia po kërcënonte realisht vendin tonë. Ja si kanë rrjedhur të gjitha ngjarjet me radhë…

Më 12 mars 1938, nga Tirana mbërrin një lajm i tmerrshëm tanket gjermanë kishin hyrë në Austri. Ëndrra e Hitlerit për të bashkuar “Gjermaninë e Madhe”, e kundërshtuar nga Musolini në vitin 1934, realizohet në favor të evolucionit diplomatik të ngjarjeve. Kësaj radhe, Italia nuk i kundërvihet Anschluss-it.

Agresioni i saj kundër Etiopisë më 1935-ën, e kishte mbuluar me turp në sytë e demokracive perëndimore. E kritikuar nga pjesa më e madhe e Lidhjes së Kombeve, e izoluar diplomatikisht, ajo ishte e detyruar të hiqte dorë nga afrimi që planifikonte të bënte me Anglinë.

Nga ana e saj, Gjermania naziste i ofroi një aleancë politike: Boshtin Romë-Berlin, si edhe gjithë mirëkuptimin e saj. Që atëherë, ishte e natyrshme që dy diktaturat do të procedonin me një ndarje të heshtur të sferave të tyre të ndikimit në Evropë.

Italia, do të hiqte dorë nga rajonet e saj në Danub, për t’u përqendruar tek ato të Mesdheut, duke i lënë Hitlerit dorë të lirë në Austri.

Nga ana e tyre, pasi ndoqën pa thënë asnjë fjalë riarmatimin e Gjermanisë dhe militarizimin sërish të zonës së Renanias, demokracitë perëndimore e toleruan këtë shkelje të Traktatit të Versajës.

Në këtë muaj ogurzi marsi, Franca, e mbërthyer nga kriza të pareshtura qeveritare dhe Britania e Madhe, ku Kryeministri i ri, Neville Chamberlain, nuk rresht së nxituri që Hitleri tregonte forcë në mënyrë të përsëritur dhe e braktisën Austrinë, duke e lënë fatin e saj. Mungesa e reagimeve të regjimeve parlamentare mund të mos i nxiste fashistët dhe nazistë të kryenin ushtime të tjera.

Vetëm njëmbëdhjetë ditë pas aneksimit të Hitlerit thërriti gjeneralin Keitel, komandantin e lartë të Austrisë, forcave të armatosura, për të diskutuar me të planin e sulmit të befasishëm të Çekosllovakisë, viktimës së ardhshme.

Siç e parandien mbreti Zog, ekspanisoni gjerman në Lindje gjallëron interesat e Italisë kundrejt vendeve të Mesdheut: Jugosllavisë, Greqisë, por natyrisht, do të fillojë nga Shqipëria. Disa ditë pas pushtimit të Austrisë, konti Ciano shkruan në ditarin e tij në lidhje me mbretërinë e vogël të Ballkanit:

“Pyes veten nëse situata në përgjithësi dhe Anschluss-i në veçanti, na mundësojnë që të hedhim një hap më tej drejt dominimit gjithnjë e më të plotë të këtij vendi që do të jetë yni”.

Lajmi i aneksimit të Austrisë e trishtoi Geraldinën. Ai vend të cilin ajo e do shumë, iu bashkangjit Rajhut III! Shumë pjestarë të familjes së saj jetojnë ende atje; Seherr-Thoss-ét, kundërshtarë të përhershëm të ideologjisë naziste, kanë një kështjellë në Klagenfurt.

Shqetësimi i vajzës së re dhjetëfishohet nga mërzia e pafund e baroneshës, Rüling, e cila është vieneze dhe ka marrë letra alarmuese nga nëna e saj, ku i shkruan për shtimin e tensioneve që prej fillimit të krizës.

Kjo prekje e drejtpërdrejtë e Geraldinës, nga kjo fazë e re e politikës së jashtme gjermane, është vërtet pikënisja e saj për interesimin ndaj çështjeve të politikës ndërkombëtare. Për momentin, këto interesa janë ende të përziera me një Iloj optimizmi të saj, si vajzë e sapo fejuar dhe e lumtur:

“Në praninë time, mbreti e hapte rrallë këtë temë; ai punonte shumë dhe nuk donte që çastet e shlodhjes të prisheshin. Por, qysh me hyrjen e trupave gjermanë në Vienë, m’u duk se për herë të parë ai është i shqetësuar dhe i acaruar. Unë për vete isha e tronditur dhe, duke u përpjekur të qetësoja baroneshën Ruling, u shkreha në lot. Atëherë mbreti më thotë: ‘Mbaji lotët për ne, pasi, për fat të keq, do të jemi viktimat e radhës… ‘ Por, thellë-thellë, unë nuk besoja fare, isha krejt e thithur në jetën time e në plotinë e saj…”

Mes viktimave të radhës, Zogu nuk harron hebrenjtë e kërcënuar nga nazizmi. Në atë kohë, në Shqipëri nuk numërohen më shumë se dyqind hebrenj, por, nën shembullin e Mustafa Qemalit në Turqi, sovrani lehtëson ardhjen e tyre në territorin shqiptar nga 1929-ta dhe, para së gjithash, duke filluar nga hipja në pushtet e Hitlerit më 1933.

Ai u përgjigjet pozitivisht kërkesave të formuluara nga Komisariati i Lartë për Refugjatët i Lidhjes së Kombeve Ose nga Herman Bernstein- i ambasador i Shteteve të Bashkuara në Tiranë – edhe ai vetë me origjinë hebraike.

Shumë hebrenj, prej të cilëve nëpër arkiva gjejmë letra prekëse, i shkruajnë personalisht mbretit, për t’i kërkuar mbrojtje dhe ndihmë. Ai u jep të gjithëve pasaporta dhe favorizon ata që dëshirojnë të vendosen në toka të kultivueshme.

Në Shqipëri mikpritja është e shenjtë, as edhe një refugjat i vetëm nuk u dorëzohet xhelatëve. Në prill 1931, Albert Ajnshtajni mori dokumentet e udhëtimit, falë ndërmjetësimit të doktor Jani Bashos, mjek i Zogut.

“Për mbretin, kjo ishte nder dhe detyrë” do të shpjegojë Geraldina në një intervistë, duke pohuar se i shoqi e kishte takuar flzikantin e madh dhe i kishte akorduar fonde, para nisjes për në Shtetet e Bashkuara, dy vjet më pas.

Po në atë vit, më 1938, pasi mësoi për Anschluss-in, Geraldina, ndërhyn vetë për të shpëtuar të gjithë hebrenjtë, sidomos hungarezët që njeh familja e saj dhe që kërkojnë ndihmë.

Mbreti i dha menjëherë porosi ambasadorit të tij në Vienë”, do të shpjegojë më vonë ajo në një intervistë.

Më 6 shkurt 1939, një qarkore e ministrisë së brendshme drejtuar ambasadorëve shqiptarë, urdhëron që t’u japin viza turistike për një muaj hebrenjve që dëshirojnë të shkojnë në Shqipëri.

Sipas historianit amerikan Bernd J. Fisher, këto nisma mundësuan shpëtimin e gati dy mijë hebrenjve, pa folur për ata -pa dyshim të shumtë – të cilët shqiptarizuan emrin apo që u konvertuan, për t’u fshehur më mirë. Më 2005-ën, Muzeu Përkujtimor i Holokaustit (Yad Vashcm) në Jeruzalem identifikoi dy mijë e gjashtëqind e dyzet persona të shpëtuar.

Gjatë fejesës së saj, Geraldina mëson gjithnjë e më tepër për kërcënimin italian ndaj Shqipërisë, që po bëhej gjithnjë e më i dukshëm. Mbreti nuk flet për këtë.

Parapëlqen të rrijë me të fejuarën e vet e të bisedojë, për projektet që dëshiron të realizojë. I tregon gjithashtu edhe për reformat kryesore që ka ndërmarrë për të modernizuar vendin.

Arsimi publik i detyrueshëm, për shembull, të cilin iu desh ta ngrinte nga e para, i frymëzuar nga modeli francez, si nga përmbajtja e programeve, ashtu edhe nga aspektet organizative.

Geraldina, zbulon jo pa habi, se sa i mirëpritur është ndikimi francez në Shqipëri: zgjedhja e frëngjishtes si gjuhë e kulturës, marrëveshjet arkeologjike, me të cilat lidhet emri i Léon Rey-t, profesor nga Parisi, i cili bashkëpunonte me shkollat e mesme të Tiranës, Shkodrës dhe Elbasanit…

Ekziston madje edhe një diplomë shqiptare, e barazvlefshme me atë të njohur nga ministria e Edukimit Publik të Francës, e cila u jep të diplomuarve shqiptarë të drejtën për t’u regjistruar në universitetet franceze. Mes tyre figuron edhe një farë Enver Hoxha, themeluesi i Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe drejtues i vendit pas Luftës së Dytë Botërore, ku vendosi diktaturën më gjakatare komuniste të Evropës Lindore.

Përsa i përket shëndetësisë publike, çka Geraldina e ka shumë për zemër, kryhet një përpjekje e madhe për formimin e mjekëve dhe për hapjen e spitaleve moderne në qytete, si edhe dispanseri në fshatra.

Mbreti i bëri thirrje Institutit Rockfeller, për të tharë moçalet në zonat periferike të Tiranës, në kuadrin e luftës kundër malarjes.

“Çdo ditë, mësoja gjëra të reja mbi vendin dhe zakonet e tij, mbi personalitetin e burrit tim të ardhshëm. Ai më vinte vazhdimisht në dijeni për projektet e tij të ardhshme dhe më fliste tepër seriozisht. E mahnitur nga bukuria e vendit, unë shihja mundësi të mëdha turistike, të cilat do të ndihmonin për zhvillimin e Shqipërisë dhe do t’i sillnin kapitale. Bregdeti shqiptar kishte plazhe të mrekullueshme dhe po ashtu vende ideale për sporte dimërore. Nuk mbetej tjetër përveçse të vendoseshin teleferikët, të shtroheshin pistat, të ndërtoheshin shtëpitë prej druri. I zbavitur nga entuziazmi im, mbreti më përgjigjej se të gjitha këto do të m’i linte mua në dorë, pasi ai, vetëm pesëmbëdhjetë vjet në pushtet, mezi ia kishte dalë të formonte shtetin!”

Gjatë kohës, që vajza e re jeton ditë të lumtura idilike, shqetësimi i familjes Apponyi rritet. Presionet dhe intrigat bëhen gjithnjë e më të shumta, me qëllim që martesa, data e së cilës është lënë për në 27 prill të dështojë; shtypi italian përhap enkas fjalë të pavërteta të sajuara, ku gjoja bëhet e ditur prishja e ardhshme e fejesës.

E sigurt për dashurinë e saj dhe e shqetësuar kryesisht për kryerjen e detyrave që e presin, Geraldina nuk merret fare me thashetheme të tilla.

“Unë vetëm ëndërroja dhe përpiqesha të kuptoja sa më shumë, në mënyrë që të isha gati e të bëhesha e denjë për atë që më priste.”

E zënë me eksursionet e përditshme, me takimet kokë më kokë me mbretin, me kurset e mësimit të gjuhës dhe historisë së Shqipërisë, vajza e sapofejuar i frekuenton pak mjediset e oborrit. Por, edhe aq sa shkon, i mjafton të vërë re një urrejtje të fortë ndaj italianëve, për të cilët flitet me një përbuzje të papërmbajtur.

Pas disa kohësh, Gerladina e pyet mbretin për arsyet e kësaj armiqësie kundrejt një shteti të konsideruar si mik, i cili i jepte Shqipërisë kapitale, ekspertizë dhe mjeshtërinë për ndërtimin e saj.

Duke pasur parasysh se sa të pafundme ishin skutat e politikës së jashtme e që një vajze të re mund ťi duken të pakuptimta, Zogu, për herë të parë, i shtjellon aspektet e ndryshme të aleancës me Italinë. Sigurisht, shpenzimet e kryera nga ana e Italisë për punime me interes të përgjithshëm, bëheshin për ťi siguruar Shqipërisë mundësi zhvillimi ekonomik.

Ndërtimi i rrugëve, i hekurudhave apo urave, fuqizimi i portit të Durrësit, punimet për tharjen e kënetave dhe bonifikimi i tokave, shfrytëzimi i konçesioneve të minierave dhe të zonave naftëmbajtëse, e gjitha kjo ishte e domosdoshme për vendifl dhe nuk mund të realizohej pa bashkëpunim me jashtë.

Zogu i pohon po ashtu të fejuarës së tij, se Italia i kishte akorduar një vit më parë një borxh prej gjashtëdhjetë milion lirash, për katër vjet. Bëhet fjalë, jo vetëm për të përfunduar një fazë të punëve publike, por, para së gjithash, për të siguruar një ndihmë ushqimore urgjente për Shqipërinë, e kërcënuar për shkak të thatësirës së madhe, nga mungesa e shirave.

Ndërkohë, kjo mbështetje financiare nuk është aspak pa interes dhe mbreti, prej kohësh, ka të gjitha arsyet të dyshojë në besnikërinë e aleatit të tij të fuqishëm. Duke pasur parasysh situatën ndërkombëtare dhe politikën Hitleriane, të favorizuar nga dobësia e diplomacive britanike dhe franceze, ndaj dhe rreziku ishte më i madh se kurrë.

Marrë me shkurtime nga Josephine Dedet: “Geraldina, mbretëresha e shqiptarëve”

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët