MENU
klinika

Këshilla nga Fan Noli

Si u bëra shkrimtar?

24.05.2019 - 13:00

   Fan Noli si për formimin e tij poetik, si për shprehjen gjuhësore qëndron më vete në literaturën shqiptare. Ai nuk është poeti i lartësive eterike, por është shkrimtari i plisit të dheut. Është një Ante i literaturës sonë, që i merr fuqitë prej mëmës tokë. Ai ka të vetën diçka demoniake, e cila mbase është vetia e parë e njeriut krijues, cilësia e mirëfilltë e furor poeticus, e marrëzisë së poetit të vërtetë.

Në fushën e kësaj literature ai nuk është një fill bar, që sot bleron e nesër thahet; nuk është as lule, që sot shkëlqen e nesër vyshket. Ai na paraqitet si një lis i moçëm e plot gdhenj, lis i vetmuar, po me rrënjë ngulur mirë në të thellat e dheut. E këtillë mbetet edhe gjuha e tij. Në këtë nuk ndihet ëmbëlsia e flladit të verës, sesa furia e murrërit të dimrit. Ajo nuk ka aromën e luleve, po ka erën e shëndoshë të dheut. Ka dhe diçka prej pikash të rënda e të idhëta, në të shprehet ana e rëndë e jetës shqiptare.

 

Dr. Eqerem Çabej

(“Nëntori” Nr.4/1965)

 

 

 

 

Ja sesi e përshkruan Noli, të qenit shkrimtar:

 

Si u bëra shkrimtar. Disa nga ju mund të pyesin pse zgjodha një temë që nuk hyn këtu. Po ua them arsyen: Disa nga ju mund të bëhen shkrimtarë. Një herë e pyetën Napolonin, për disa bujq që po punonin tokën: “Si mendoni, a kanë ndopak ambicie këta njerëz?” Napoloni u përgjigj: “Ju nuk mund ta imagjinoni se sa shumë napolonë, janë duke punuar tokën në fermë. Ata s’kanë pasur rast të bëhen napolonë. Ata mund të ishin bërë napolonë më të mirë sesa jam unë”.

Dijetari francez i shekullit XIX, Hipolit Ten në një nga librat e tij mbi artin, i përmend me radhë faktorët që ndihmojnë në krijimin e artit. “Një nga faktorët, – thotë ai, – është frymëzimi, faktori tjetër është tregu, një tjetër faktor është teknika dhe faktori tjetër është vlerësimi”.

Çfarë kupton ai me frymëzim? Artisti do të riprodhojë atë që ai sheh rreth tij dhe që e frymëzon atë. Marrim për shembull njeriun e shpellave. Njeriu i shpellave e siguron jetesën duke gjuajtur kafshë. Çdo ditë ai sheh kafshë. Dhe natyrisht, ai i zbukuron muret e shpellës së tij me piktura të kafshëve. Marrim për shembull, skulpturën në Greqinë e lashtë. Ju e dini se në çdo qytet kishte një kult për atletikën. Çdo qytet kishte një gjimnaz ku të rinjtë stërviteshin në gara vrapimi, mundjeje, hedhje disku, gjuajtje me shigjetë. Artisti duke i parë të gjithë këta të rinj, ai thjesht i riprodhonte ata dhe ja pra, se si lindi skulptura në Greqi. Tregu është shumë i domosdoshëm për artistët që të sigurojnë jetesën. Hiqu tregun artistëve dhe ata do të vuajnë nga uria. Natyrisht, që kishte një treg për skulpturat, të gjitha faltoret në Greqinë e lashtë ishin të zbukuruara me statuja, të gjitha shtëpitë dhe sheshet e qyteteve ishin të zbukuruara me statuja.

 

 

 

 

Një tjetër faktor është teknika. Njerëzit duhet ta mësojnë e ta studiojnë mirë mjeshtërinë e artit. Gjëja e parë që do të bëjë çdo artist për të siguruar jetesën është të prodhojë vepra arti, pastaj t’ua mësojë të tjerëve si t’i bëjnë ato. Dhe së fundi, vlerësimi. Çdo artist duhet të jetojë në një ambient vlerësues. Natyrisht, paraja e ndihmon atë të sigurojë jetesën, por, përveç kësaj, atij i nevojitet diçka më shumë:ai ka nevojë për vlerësim, ai ka nevojë për njerëz që të vlerësojë artin e tij.[…]

Frymëzimi im është po ai i të gjithë pionierëve të tjerë të Rilindjes Shqiptare, që filloi më 1870 pas luftës ruso-turke, kur Shqipërinë e kërcënonte copëtimi. Më 1872 Konstandin Kristoforidhi përktheu “Dhjatën e Re”. E përmend këtë, sepse është libri i parë shqip që kam lexuar. Edhe në atë ngulmim shqiptar në Trakë, kaq larg nga Shqipëria ishin rreth 20 a 30 kopje. Ka shumë të ngjarë që disa misionarë i shpërndanë këta libra falas. Të gjithë kishin nga një kopje. Në kohën që më ra në dorë ky libër, kisha bërë rreth dhjetë vjet greqisht, studime në gjuhën greke, e megjithatë nuk mund ta kuptoja “Dhjatën e Re” në greqishten origjinale. Megjithëse nuk kisha studiuar shqip në asnjë shkollë, unë munda ta kuptoja atë shumë lehtë. Ai ishte libri i parë që më dha një ide se ç’mund të bëhet me një gjuhë të gjallë, një gjuhë që kuptohet nga i gjithë vendi. Pra, ky ishte me pak fjalë frymëzimi im. Ishte fryma e shekujve XIX e XX. Unë nuk mund t’i shpëtoja kësaj atmosfere. […]

 

 

 

 

Për ata që duan të bëhen shkrimtarë, po u jap disa këshilla si të bëhen shkrimtarë të mirë. Përpiquni të shkruani për ato që i keni provuar vetë në jetë. Ç’është e vërteta, librat më të mirë që janë shkruar deri më sot janë pak a shumë librat autobiografikë. Shembulli më i mirë për këtë është ai i Servantesit. Servantesi harxhoi gjithë jetën duke shkruar sonete e drama që askush nuk i lexon. Më vonë, kur ishte në burg e nuk dinte ç’të bënte, ai shkroi “Don Kishotin” dhe u bë menjëherë i famshëm. Pra kjo është këshilla ime për ata që kanë ambicje letrare: Shkruani autobiografinë tuaj, por pa fshehur gjë. Pranoni të gjitha mëkatet tuaja, ashtu siç bënte Zhan Zhak Ruso. Pra, shkruani çdo gjë, pranoni çdo gjë dhe të jeni të sigurt se do të shkruani një libër shumë interesant. Nëse ju vjen turp t’i thoni disa gjëra, atëherë i vini me shënim në fund të faqes dhe i këshilloni lexuesit në parathënie të mos i lexojnë shënimet.

Një këshillë tjetër që mund t’u jepja atyre që kanë ambicje letrare është ajo që ka dhënë G. Dë Mopasani: “Kur përshkruani diçka, jepni të gjitha detajet. Detajet nuk duhet të konsiderohen si të parëndësishme. Përkundrazi, gjëja më e rëndësishme është detaji, sepse tema mbi të cilën po shkruajmë libra mund të përmblidhet në disa faqe, ndërsa detajet janë pa fund”. Dhe më poshtë vazhdon: “Kur përshkruani diçka që keni parë e jetuar vetë, përpiquni të jepni sa më shumë detaje”./Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Shqipëria në testamentin e Konicës

“Ti Imzot Noli dhe ti Lamja i vogël”