MENU
klinika

6 kriteret që njofton TIA

Siguria në Rinas/ Hapet tenderi, ftohen kompani të huaja

17.05.2019 - 17:33

Në kohën që kompanisë në shërbimin e sigurisë ICTS Albania në aeroportin ‘Nënë Tereza’ po i përfundon kontrata, TIA ka hapur garën duke ftuar kompani ndërkombëtare për shërbimin e sigurisë në aeroport.

Sipas njoftimit zyrtar të Aeroportit të Rinasit, në tender ftohen të marrin pjesë kompani me përvojë ndërkombëtare në fushën e sigurisë në aeroporte.

Pas ngjarjeve të ndodhura në pistën e aeroportit të vetëm shqiptar, ku në një afat të tre vjecar u grabitën miliona euro, TIA kërkon të lidhë kontratë 5-vjeçare me një tjetër kompani për shërbimin e sigurisë në aeroport por këtë radhë me eksperiencë ndërkombëtare.

Kompania që do të përzgjidhet fituese duhet ndër të tjera të kryej edhe një sërë shërbimesh.

1. Kontrollin e pasagjerëve dhe bagazheve të dorës
2. Skanimi i bagazheve
3. Ngarkimin e mallrave dhe postës
4. Kontrollin e automjeteve në aeroport, stafin, ekipet dhe kontrollin e dokumentave të udhëtimit
5. Ruajtja dhe patrullimi i aeroportit
6. Monitorimi i aeroportit përmes sistemeve të sigurisë

Gara për kompanine e re do ta zgjas 4 javë dhe sherbimi është planifikuar të fillojë në korrik të 2019.

Pas një vlerësimi të kujdesshëm të brendshëm, TIA do të njoftojë dhe ftojë vetëm kandidatët e përzgjedhur, nëse në gjykimin e TIA-s ata e përmbushin treguesin e përvojës minimale, rreth procedurave të mëtejshme që duhet të ndiqen duke përfshirë detaje lidhur me natyrën e shërbimeve dhe kriteret në lidhje me kërkesat teknike, financiare dhe ligjore që duhet të përmbushen nga kontraktori i mundshëm.

Prej vitit 2005 ICTS Albania është kompania e cila është e kontraktuar nga Tirana International Aeroport për sigurinë në aeroport.

Kjo kompani nga të dhënat zyrtare të bilancit ka realizuar një qarkullim vjetor prej 309 milionë lekësh, rreth 2.5 milionë euro në vitin 2017.

Një shumë kjo që është arkëtuar me qëllim që firma të garantojë sigurinë në aeroport, për të cilin ka të angazhuar 152 punonjës.