MENU
klinika

Deklarata

Situata politike/ Peleshi: S’ka marrëveshje pa dialog!

30.05.2019 - 17:38

Ish-zv. Kryeministri, Niko Peleshi foli rreth situatës aktuale politike ku tha se nuk mund të ketë një marrëveshje me opozitën pa zhvilluar dialog.

Peleshi tha se qeveria ka qenë gjithmonë e gatshme për të dialoguar me opozitën, me qëllim zgjidhjen e ngërçit politik.

“Që të arrish në një marrëveshje politike duhet të ulësh, të flasësh të dialogosh. Nëse PS, kryetari i partisë, kryeministri nuk do të kishte qenë i gatshëm të ulet në tavolinë diskutimi, pra edhe unë do isha me opinionin që PS po i ikën një marrëveshje të mundshme.

Ne e kemi përsëritur se jemi të gatshëm të dialogojmë dhe flasim. Themi që nuk jemi të gatshëm të diskutojmë mbi kushtetutën sepse nuk e kemi ne në dorë kushtetutën. Por nuk mund të pretendohet të ketë një marrëveshje kur njëra palë nuk pranon të ulet dhe dialogojë.

Është fakt që Kushtetuta është mbi të gjitha, edhe mbi Presidentin. E vlerësoj deklaratën e Presidentit, i cili ofrohet siç i takon mes palëve për të bërë ç’është e mundur gjithçka ai ka në dorë për një kompromis apo zgjidhje të këtij ngërçi. Nga ana tjetër nuk besoj se mund të ketë pasur parasysh instrumente që tejkalojnë kushtetutën. Data e zgjedhjeve është shpallur nga Presidenti në limitin e vet kushtetues”, u shpreh ai.

Deputeti i PS tha se kërkesa për qeveria tranzitore është një zgjatim i asaj që u bë në maj të 2017, duke theksuar se një gjë e tillë do të çimentonte një precedent të keq.

“Nëse do të ishte zgjedhje këtë herë atëherë qeveria e tranzicionit të jepet nga mazhoranca sa herë që ta kërkojë opozita edhe për arsye të paarsyeshme. Nuk mendoj se nëse bëjmë diçka të ngjashme me marrëveshjen e 2017 do të dalim gjëkundi. Madje koha në tregoi se koncesioni që PS i dha opozitës duke i dhënë gjysmën e vet dhe shumë institucione, nuk besoj se një përsëritje e atij skenari do ti shërbente situatës.

Përkundrazi do të çimentonte një precedent të keq. Pretendimi i sotëm për një qeveri tranzitore është një zgjatim i asaj çka ndodhi në majin e para dy viteve. Nuk them se ishte marrëveshje e keqe, por efekti anësor i një marrëveshje të mirë sic ishte 17 maji është ky që po paguajmë sot”, përfundoi Peleshi.