Ditën e djeshme pas përfundimit të takimit me kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi, kryedemokrati Basha deklaroi se do të vijojë aksioni i opozitës për mosbindje civile.
Ashtu sikurse është paralajmëruar edhe ditën e sotme, opozita do vijojë aksionin e nisur rreth një javë më parë.
Opozita do të përshkallëzojë sot aksionin e saj të mosbindjes civile, duke bllokuar rrugët kryesore në 12 qarqe të vendit.
Partia Demokratike u ka bërë thirrje qytetarëve t’i mbështesin në të 12 protestat 120-minutëshe që do të zhvillohen sot, në orën 18:00, në të gjithë vendin.
Në krye të protestave do të jenë ishdeputetët e opozitës dhe krerët e partive të koalicionin opozitar.
Strukturat e PD-së në të gjithë vendin janë njoftuar të mbështesin protestat në nivel qarku, ndërkohë që pritet që për 120 minuta qarkullimi i mjeteve në të gjithë vendin të jetë i paralizuar.