Aksioni i zhvilluar sot nga FNSH, RENEA dhe forcat Shqiponja vuri në pranga dy persona te Komuna e Parisit.
Ata ishin shpallur në kërkim dhe konsideroheshin si persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Në prangat e policisë ka rënë Barush Bregu, 33 vjeç dhe i lindur në Shkodër.
Ai ishte fshehur në Komunën e Parisit, në një pallat të cilin e kishte marrë me qera.
Policia ka publikuar videon nga arrestimi i tij. Në këtë video shihen specialët e RENEAS dhe FNSH teksa ngjisin shkallët e pallatit me mjete të sofistikuara dhe të përgatitur për rrezikun.
Siç njofton policia, ky shtetas rezulton i dënuar me 4 vite burg për kultivim të bimëve narkotike, e kryer në bashkëpunim, në vitin 2016, si dhe me masë sigurie “Arrest në burg”, për armëmbajtje pa leje.
Ai gjithashtu dyshohet të jetë pjesë e një grupi kriminal në Shkodër, ndërsa ka dyshime të forta se ai ka gisht edhe në disa ngjarje të rënda, që kanë tronditur kryeqendrën e veriut.
Së bashku me 33-vjeçarin, efektivët arritën të prangosnin në flagrancë edhe shtetasi B. Ç. 21 vjeç, banues në Shkodër për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.