Mundësitë dhe sfidat e marrëdhënieve tregtare Kosovë-Shqipëri.
Kjo ishte tema e takimit që mblodhi këtë në datë 22 maj 2019 në Tiranë, Forumin Ekonomik Mbarë-Shqiptar. Me një pjesëmarrje të sipërmarrjes nga të dy vendet, drejtuesit kryesorë të qeverive që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me sipërmarrjen, forumi nxori një sërë problematikash që nuk gjejnë ende zgjidhje në marrëdhëniet tregtare mes dy vendeve.
Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Nikolin Jaka i cili moderoi panelin e forumit në nisje të fjalës së tij evidentoi qartë problematikat që janë mes dy vendeve tona, duke kërkuar nga panelistët të mos mbeten më në kuadrin e fjalëve, por të zgjidhjeve konkrete. Astrit Panxha drejtori Ekzekutiv i Forumit ekonomik mbarë-shqiptar do të nxirrte në pah si neglizhencë nga ana e qeverive “mungesën e analizave të mjaftueshme të problematikave. Ndoshta në këtë aspekt ministritë e qeverisë duhet të bëjnë një pyetësor drejtuar bizneseve të Shqipërisë se cilat janë problemet e tregtisë me Kosovën”.
Në takim dolën në pah edhe barrierat tregëtarë që kanë vendet mes njëri-tjetrit. Sipas një studimi të kryer dy vite më parë për barrierat tregtare Shqipëri-Kosovë dhe anasjelltas, rezulton që:
- Në pjesën e Shqipërisë sipërmarrësi duhet të paguajë për të eksportuar:
-23 euro agjencinë doganore;
-10 euro pagesën e terminalit;
-15 euro pagesën për certifikatën fito sanitare;
-22 euro skanerin;
-72 euro në doganë;
- Në pjesën e Kosovës sipërmarrësi duhet të paguajë për të eksportuar:
-30 euro agjencia doganore;
-40 euro terminali;
-68 euro certifikata fito-sanitare;
-Shtoji kësaj shifre edhe tarifën e Rrugës së Kombit.
Kryetari i Dhomës së Tiranës, Jaka bëri të qartë se tashmë duhet të kalohet në një stad tjetër të një ekonomie komplementare.
“Ne duhet të jemi gati për një agjendë tjetër që është agjenda e një ekonomie komplementare pse jo e dirigjuar dhe e orientuar në sektorë të ndryshëm të ekonomisë nga politika dhe qeveria e dy vendeve, sepse vërtet mund të ketë nisma që jo pak herë në tryezat tona i kemi ngjizur, problem është se kush sektor performon, që të kemi një trinom sipërmarrjeje. Pra Maqedoni – Shqipëri – Kosovë për të implementuar projekte specifike, qoftë për Maqedoninë Veriperëndimore, qoftë në Kosovë, qoftë në Shqipëri”.
Sipas zotit Jaka biznesi mezi pret që të ketë projekte që krijojnë siguri dhe stabilitet dhe kjo mendoj që është pika e parë që qeveritë tona duhet të kenë parasysh që të bëjnë projekte dhe të trajtojnë me politika rregullatore dhe reformatore sektorë që performojnë dhe realizojnë fitime që bëjnë të mundur financimin.
Forumi Ekonomik Mbarë Shqiptar kishte takimin e tretë të tij dhe vuri në qendër të takimit edhe një herë shqetësimet më të mëdha që kanë bizneset e të dyja vendeve dhe se si mund të përmirësohen marrëdhëniet tregtare.