MENU
klinika

TVSH-ja në hapat e furnizimit

Telekomunikacioni në sitën e Tatimeve

14.05.2019 - 15:25

Në rubrikën “Tatimet Këshillojnë”, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka informuar të gjithe bizneset e sektorit mbi “TVSH-ja në hapat e furnizimit – Kartat me parapagim ose mbushja/rimbushja me kohë bisede/abonime televizive”.

Sipas DPT, operatorët kryesorë të telekomunikacionit dhe të transmetimeve televizive tokësore dhe satelitore, llogarisin dhe paguajnë TVSH për vlerën e plotë të kartave të parapaguara, ose të kodeve dhe paketave tarifore të telekomunikacionit/abonime transmetimi televizive me parapagesë, që ata u furnizojnë distributorëve të tyre.

Furnizimi i këtyre kartave, ose kohës bisedore nëpërmjet kodeve tarifore ose paketave, ose abonimeve të transmetimit televiziv nga distributorët, nuk është objekt i aplikimit të TVSH-së, pasi TVSH është aplikuar për çmimin përfundimtar nga operatori kryesor që furnizon shërbimin e telekomunikacionit ose shërbimin e transmetimit televiziv.

Kujdes!

Distributorët nuk kanë të drejtë të zbresin vlerën e TVSH-së së faturuar nga operatorët kryesorë për furnizimin e kryer, përderisa ata nuk kanë të drejtë të aplikojnë TVSH për furnizimet e mëtejshme të kryera në fazat pasardhëse.

Për qëllime dokumentimi të çdo transaksioni që kryejnë në fazat pasardhëse, distributorët duhet të lëshojnë faturë tatimore pa llogaritur TVSH, në të cilën çmimi i këtyre furnizimeve është i barabartë me çmimin përfundimtar (përfshirë TVSH-në) të faturuar prej operatorit kryesor në momentin e furnizimit të këtyre produkteve.

Faturimi i komisionit

Ndërkohë, distributorët e këtyre produkteve të parapaguara, i faturojnë operatorit kryesor vlerën e komisionit që ato përfitojnë për shërbimin e ndërmjetësimit që kryejnë.

TVSH e llogaritur në këtë rast, është e zbritshme për operatorin kryesor. Nëse distributori i nënshtrohet regjimit të biznesit të vogël sipas ligjit, ai nuk llogarit TVSH për komisionin. Të gjitha transaksionet e kryera si më sipër regjistrohen nga secila palë në librin e shitjes dhe të blerjes.

Distributori faturën e blerjes e regjistron si blerje me TVSH jo të zbritshme dhe faturën e shitjes e regjistron si shitje pa TVSH. Faturën për komisionin e regjistron si shitje me TVSH.

Distributori ka të drejtë të zbresë TVSH-në për furnizimet e marra për qëllime të veprimtarisë së tij të tatueshme si distributor.

Qarkullimi i distributorit në përputhje me ligjin Nr. 92/2014, datë 24.07.2014 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, është qarkullimi i realizuar për të gjitha transaksionet e kryera prej tij (shitjet e kartave/paketave ose abonimeve dhe komisioni) dhe llogaritet në bazë të çmimit gjithsej, që duhet të paguajë blerësi.

Furnizuesit e ndërmjetëm

Operatorët kryesorë të telekomunikacionit mund të zgjedhin të aplikojnë furnizimin e kartave të parapaguara ose kohës bisedore nëpërmjet kodeve tarifore ose paketave të parapaguara, me anë të distributorëve /furnizuesve të ndërmjetëm, duke zbritur direkt në faturë vlerën e ndërhyrjes në treg për të gjithë distributorët/furnizuesit e ndërmjetëm.

Operatori kryesor që zgjedh të aplikojë furnizimin e kartave të parapaguara ose kohës bisedore nëpërmjet kodeve tarifore ose paketave të parapaguara, duke zbritur d irekt në faturë vlerën e ndërhyrjes në treg të hallkave pasardhëse, duhet paraprakisht të depozitojë në drejtorinë rajonale tatimore përkatëse, një deklaratë me shkrim, ku të shprehet zgjedhja e dëshiruar.

Kjo deklaratë duhet të përmbajë veç të tjerash, listën e distributorëve/furnizuesve të ndërmjetëm. Në rast se operatori kryesor zgjedh të aplikojë zbritjen direkt në faturë, për vlerën e ndërhyrjes në treg, duhet ta bëjë këtë për të gjithë distributorët/furnizuesit e tij të ndërmjetëm dhe për një periudhë jo më pak se 12 muaj të njëpasnjëshëm.

Gjithashtu, nëse operatori kryesor heq dorë nga zgjedhja, me qëllim që të aplikojë furnizimin e kartave të parapaguara ose kohës bisedore nëpërmjet kodeve tarifore ose paketave të parapaguara, atëherë ai duhet të njoftojë paraprakisht organin tatimor.

Edhe në këtë rast operatorët kryesorë llogarisin dhe paguajnë TVSH për vlerën e plotë të kartave të parapaguara, ose të kodeve tarifore/paketave tarifore të telekomunikacionit, që ata u furnizojnë distributorëve/ndërmjetësve të tyre.

Operatori kryesor zbret direkt në faturë vlerën e ndërhyrjes në treg për të gjithë furnizuesit e mëvonshëm, pa ndikuar TVSH-në e llogaritur, si mqë lart.

Furnizimi i këtyre kartave, ose kohës bisedore nëpërmjet kodeve tarifore ose paketave nga distributorët/furnizuesit e ndërmjetëm në furnizimet e mëtejshme, nuk është objekt i aplikimit të TVSH-së, pasi TVSH është aplikuar për çmimin përfundimtar nga operatori kryesor që furnizon shërbimin e telekomunikacionit.

Në çdo rast furnizimi tek furnizuesit e ndërmjetëm bëhet duke zbritur direkt në faturë vlerën e ndërhyrjes në treg, pa llogaritur TVSH.