MENU
klinika

Detaje

“Tradhtoi” partinë BD, KQZ çon në Prokurori kandidatin e Kavajës

23.05.2019 - 11:30

Pas tërheqjes nga kandidatura për kryetar bashkie në Kavajë, KQZ ka çuar në Prokurori Bledar Sinellën.

Sinella, kandidat i partisë ‘Bindja Demokratike’, dorëzoi në KQZ kërkesën për të mos u bërë pjesë e garës.

Në shkresën e dërguar në KQZ ai nënvizoi faktin se nuk ka qenë dakort për kandidaturën.

– Kërkesa për tërheqjen e kandidaturës

DREJTUAR: KOMISIONIT QENDROR TË ZGJEDHJEVE

KOMISIONIT ZONAL TË ADMINISTRIMIT TË ZGJEDHJEVE (KZAZ) KAVAJË NR. 42

LËNDA: SHPREHJE VULLNETI PËR TË MOS KANDIDUAR DHE NJOFTIM PËR TËRHEQJEN NGA KANDIDIMI

Disa ditë më parë, jam kontaktuar nga Bindja Demokratike për të vlerësuar mundësinë për kandidimit tim për Bashkinë Kavajë. Kam shprehur dakordësinë në parim, me premtimin se do të diskutoja përfundimisht mbi këtë mundësi në një moment tjetër, pasi të mblidhja edhe firmat mbështetëse të qytetarëve.

Në media jam njohur me faktin se Bindja Demokratike e ka depozituar kandidaturën time në KQZ, pa marrë dakordësinë time përfundimtare mbi këtë veprim dhe pa më dhënë mundësinë që të testoja mbështetjen nëpërmjet nënshkrimit të jo më pak se 1 % të listës së zgjedhësve, siç ligji e kërkon.

Për këtë arsye, deklaroj me përgjegjësi të plotë ligjore se unë nuk kam paraqitur asnjë dokument të nënshkruar prej meje as në KZAZ Kavajë nr. 42, as në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Nisur nga mungesa e mbështetjes nëpërmjet nënshkrimit të jo më pak se 1 % të listës së zgjedhësve, si dhe situatës politike në vend, duke qenë i ndërgjegjshëm mbi pasojat që ka për Kavajën dhe Shqipërinë zhvillimi i zgjedhjeve pa opozitën, gjykoj se unë nuk mund të bëhem pjesë e këtyre zgjedhjeve.

Si qytetar i Kavajës, qytet i cili ka nisur i pari përpjekjet për rrëzimin e regjimit diktatorial, emri dhe figura ime nuk më lejon që unë të shërbej si fasadë e përpjekjes për të rikthyer edhe një herë në Shqipëri një regjim tjetër njëpartiak. Zgjedhjet janë të vërteta, kur ka garë reale dhe kur zhvillohen në një klimë që mundëson shpalosjen e alternativave për qytetin. Kjo nuk është e mundur të ndodhë në 30 Qershor.

Vlerësoj se beteja për zgjedhje të lira e të ndershme është rruga e duhur për Kavajën dhe Shqipërinë dhe jo zgjedhjet fasadë.

Në këto rrethana, deklaroj largimin nga Bindja Demokratike dhe tërheqjen time nga kandidimi për Bashkinë e Kavajës.

Lutem ndjekjen e procedurave ligjore për mosregjistrimin apo çregjistrimin tim si kandidat, përsa kohë unë nuk kam shprehur dakordësinë time për kandidim dhe nuk kam plotësuar personalisht deklaratën e kandidimit për Kryetar Bashkie apo Formularin e Dekriminalizimit.

Me konsideratë të lartë,

BLEDAR SINELLA