MENU
klinika

Procedurat e reja

Trualli i dhënë për ndërtim, si përcaktohet pronësia?

22.05.2019 - 20:44

Qeveria vendos procedurat për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore.

Vendimi ka për qëllim vendosjen nën një regjim të rregullt juridik të procedurës së ndjekur nga ana e njësive të qeverisjes vendore për kalimin e pronësisë së trojeve të dhëna për ndërtim, për efekt regjistrimi në regjistrin e pasurive të paluajtshme dhe heqjen e kufizimeve nga regjistri i pasurive të paluajtshme, kur aktet e kalimit të pronësisë janë regjistruar më parë.

Sipas VKM-së së miratuar dje me këtë vendim do të realizohet regjistrimi i akteve të kalimit të pronësisë, në rastet kur ato nuk janë regjistruar më pare dhe përfundimi i procedurave të kalimit të pronësisë mbi këto troje nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, në rastet kur nuk janë përmbyllur dhe regjistrimin e akteve të kalimit të pronësisë në regjistrin e pasurive të paluajtshme.

Vendimi përcakton se kanë të drejtë të përfitojnë nga dispozitat e këtij vendimi subjektet që, sipas rastit,:

a) janë pajisur nga organet vendore me dokumentacion pronësie mbi tokën, pavarësisht mangësive në procedurë. Këto subjekte përfitojnë regjistrimin e dokumentit të pronësisë ose heqjen e kufizimit nga regjistri, pas plotësimit të mangësive, sipas rregullave të këtij vendimi; ose

b) nuk janë pajisur nga organet vendore me dokumentacion pronësie mbi tokën, por për ta është miratuar të paktën vendimi i këshillit të organit vendor për dhënien e truallit për ndërtim, përpara hyrjes në fuqi të këtij vendimi. Në favor të këtyre subjekteve përfundohen procedurat e kalimit të pronësisë dhe kryhet regjistrimi i dokumentacionit të pronësisë dhe/ose heqja e kufizimit nga regjistri, sipas rregullave të këtij vendimi.

Bashkia, në territorin e së cilës gjendet pasuria e paluajtshme, është organi që ngarkohet për plotësimin e mangësive të dokumentacionit ose, sipas rastit, për përfundimin e kalimit të pronësisë.

Procedurat sipas këtij vendimi nisin me kërkesë të subjektit të interesuar. Kërkesa paraqitet, sipas rastit,:

a) pranë drejtorisë vendore të ASHK-së, kur kërkohet regjistrim i dokumentacionit të pronësisë, heqje e kufizimit nga regjistri ose çdo shërbim tjetër që lidhet me pasurinë e paluajtshme, nëse ajo është regjistruar më parë. Kur drejtoria vendore e ASHK-së konstaton se është i nevojshëm plotësimi i mangësive ose përfundimi i kalimit të

pronësisë, ajo njofton bashkinë kompetente për kryerjen e veprimeve përkatëse, sipas procedurave të parashkuara në këtë vendim;

b) pranë bashkisë kompetente, në rastet e parashikuara në pikën 11, të këtij vendimi.

konica ekonomiakonica ekonomia mobile

Në rast se bashkia nuk kryen veprimet e nevojshme brenda 3 (tre) muajve, subjekti i interesuar mund të ngrejë padi pranë gjykatës kompetente kundër mosveprimit administrativ.

PROCEDURA PËR PASURITË E REGJISTRUARA

Kur toka është e regjistruar dhe subjekti i interesuar paraqet kërkesë për shërbim, drejtoria vendore e ASHK-së verifikon dokumentacionin arkivor të regjistrimit dhe, në varësi të rastit, vepron, si më poshtë vijon:

a) Kur rezulton se përmbushen kushtet sipas pikave 6 ose 7, të këtij vendimi, heq kufizimin (nëse ka të tillë) nga regjistri i pasurive të paluajtshme dhe realizon shërbimin e kërkuar; ose

b) Kur toka i përket ende përfituesit fillestar të saj dhe konstatohen mangësi, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga administrimi i kërkesës, i kërkon bashkisë të vendosë në dispozicion kopje të dokumentacionit që mungon, sipas pikës 6, të këtij vendimi, (sipas rastit: konfirmimin për vendimmarrjen e këshillit të organit vendor, aktin e kalimit të pronësisë, konfirmimin për pagesën e çmimit të tokës apo dokumentacionin për ndërtimin).

Në rastin e shkronjës “b”, të pikës 8, nëse bashkia konstaton se për pasurinë dokumentacioni është i plotë, i dërgon drejtorisë vendore të ASHK-së, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga administrimi i kërkesës, kopje të dokumentacionit të kërkuar. Drejtoria vendore e ASHK-së heq kufizimin (nëse ka të tillë) nga regjistri i pasurive të paluajtshme dhe realizon shërbimin e kërkuar nga subjekti i interesuar, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga administrimi i përgjigjes nga bashkia.

Nëse bashkia konstaton se për pasurinë dokumentacioni nuk është i plotë, por ekziston të paktën vendimi i këshillit të organit vendor për dhënien e tokës për ndërtim, ajo procedon, sipas rastit,: a) duke i kërkuar subjektit përfitues të shlyejë pjesën e mbetur të çmimit të shitjes, të përcaktuar në aktin e kalimit të pronësisë; dhe/ose b) duke thirrur subjektin përfitues për lidhjen e kontratës noteriale për kalimin e pronësisë mbi tokën, nëse ajo nuk është lidhur më parë, pasi të jetë shlyer vlera e plotë e çmimit të shitjes.

Çmimi i shitjes do të jetë sipas vlerës së referencës në momentin e miratimit të vendimit të këshillit të organit vendor për dhënien e tokës për ndërtim.

Brenda 15 ditëve nga plotësimi i dokumentacionit të mësipërm, bashkia njofton drejtorinë vendore të ASHK-së, duke i përcjellë kopjen përkatëse. Drejtoria vendore e ASHK-së heq kufizimin (nëse ka të tillë) nga regjistri i pasurive të paluajtshme dhe realizon shërbimin e kërkuar nga subjekti i interesuar, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga administrimi i përgjigjes nga bashkia.

Nëse pas 3 (tre) muajve nga paraqitja e kërkesës, sipas shkronjës “b”, të pikës 8, bashkia nuk i ka kthyer përgjigje as ASHK-së, as nuk ka njoftuar subjektin për plotësimin e dokumentacionit, ky i fundit mund të ngrejë padi kundër mosveprimit të bashkisë, pranë gjykatës administrative kompetente.