MENU
klinika

Marrëveshja tregtare

Trump: Huawei, pjesë e marrëveshjes me Kinën

24.05.2019 - 17:24

Presidenti i SHBA Donald Trump ka thënë se Huawei mund të jetë pjesë e një marrëveshjeje tregtare ndërmjet SHBA dhe Kinës, pavarësisht se firma e telekomunikacioneve është “shumë e rrezikshme”.

Lufta e tregtisë SHBA-Kinë është përshkallëzuar në javët e fundit me rritjen e tarifave dhe kërcënimet e vazhdueshme. Uashingtoni ka synuar gjithashtu ta vendosë firmën në listën e zezë tregtare.

SHBA argumenton se Huawei përbën një rrezik të sigurisë kombëtare, ndërsa Pekini akuzon SHBA për “ngacmimin” e kompanisë.

“Huawei është shumë i rrezikshëm”, iu tha gazetarëve Trump në Shtëpinë e Bardhë të enjten. “Ju shikoni se çfarë kanë bërë ata nga pikëpamja e sigurisë, nga pikëpamje ushtarake”.

Javën e kaluar, administrata Trump shtoi Huawei, krijuesin e dytë më të madh në botë të smartfonëve, në “listën e njësive” të saj, që ndalon kompaninë nga blerja e teknologjisë nga firmat amerikane pa miratimin e qeverisë.

Por Trump ka thënë se është “e mundshme” që kompania mund të jetë pjesë e ndonjë marrëveshjeje tregtare me Pekinin. “Nëse bëjmë një marrëveshje, unë mund të imagjinoj që Huawei të përfshihet ndoshta në ndonjë formë apo pjesë të saj”, tha ai.

Huawei përballet me një reagim në rritje nga vendet perëndimore, të udhëhequra nga SHBA, mbi rreziqet e mundshme që paraqiten duke përdorur produktet e saj në rrjetet e ardhshme mobile të 5G. Disa vende kanë ngritur shqetësime se pajisjet Huawei mund të përdoren nga Kina për spihunazh, akuza që kompania i ka mohuar.

Huawei ka thënë se puna e tij nuk paraqet ndonjë kërcënim dhe se është i pavarur nga qeveria kineze.

“Përgjigja më e mirë ndaj ngacmimeve të SHBA është se firmat kineze vazhdojnë të rriten më shumë”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Tregtisë të Kinës Gao Feng në një konferencë në Pekin të enjten.

Më parë këtë muaj, SHBA-ja rriti tarifat në vlerë prej 200 miliardë dollarë të importeve kineze nga 10% në 25%, pasi të dyja palët nuk arritën një marrëveshje mbi tregtinë. Kina u përgjigj duke njoftuar planet për të ngritur taksat mbi 60 miliardë dollarë të importeve të SHBA nga 1 qershori.

Tani për tani, përpjekjet për zgjidhjen e mosmarrëveshjes tregtare duket se janë ngadalësuar. Asnjë diskutim formal nuk është caktuar që nga përfundimi i bisedimeve të fundit pa një marrëveshje më 10 maj.

Të enjten, Gao i Ministrisë së Tregtisë të Kinës gjuajti një e shtënë në SHBA, duke thënë nëse ata duan të vazhdojnë bisedimet tregtare “ata duhet të tregojnë sinqeritet dhe të korrigjojnë veprimet e tyre të gabuara”.