MENU
klinika

NBA

‘Uragani Carry’/ Warriors një hap larg finales!

19.05.2019 - 12:59

Golden State Warriors janë vetëm një hap larg finales së madhe të NBA.

Kampionët në fuqi të kompeticionit më elitar në botë në basketboll, triumfuan 110-99 ndaj Portland Trail Blazers në sfidën e tretë të serisë, duke e çuar në 3-0 rezultatin në finalen e Perëndimit.

Tashmë të besuarit e Steve Kerr i ndan vetëm një fitore nga kualifikimi për herë të pestë radhazi në finale.

 Stephen Curry dhe Draymond Green ishin të papërmbajtshëm me 56 pikë në total, më shumë së gjysmën e pikëve të shënuara nga e gjithë skuadra.

“Splash Brother”, sikurse etiketohet Curry, shënoi plot 36 pikë, ndërsa Draymond Green koleksionoi “triple-double”: 20 pikë, 12 asiste dhe 13 rikuperime.

Blazers e nisën shumë mirë sfidën në “Moda Center”, duke e mbyllur pjesën e parë me 13 pikë epërsi, 66-53, por në pjesën e dytë vendësit vuajtën shumë mbrëmjen e keqe të Damian Lillard e CJ McCollum që nuk patën saktësinë e duhur në gjuajtje.

Vetëm 33 pikë të realizuara nga Blazers në 24 minuta lojë, ecuri që u reflektua në dështimin për të shfrytëzuar faktorin fushë.

Me rezultatin e serisë 3-0 për Warriors, eliminimi i Portlandit është vetëm çështje kohe, ndërsa Golden State tregoi se mbetet ekipi për t’u mposhtur në NBA.