Një ngjarje e rëndë është shënuar sot në Novoselë të Vlorës.
Nga Policia mësohet se një makinë është qëlluar me breshëri plumbash. Të shtënat janë dëgjuar drejt një makine te ‘Ura e Mifolit’ në Novoselë.
Makina tip “Golf” bëhet me dije të jetë qëlluar nga një mjet tjetër dhe pas të shtënave mjeti është aksidentuar duke përfunduar në kanal.
Brenda makinës, thuhet se udhëtonte 33-vjeçari Romario Aliaj, ndaj të cilit është zbrazur një karikator i tërë, dhe fatmirësisht ka arritur të shpëtojë.
Mendohet se mbi të janë shkrehur më shumë se 25 plumba, pra një karikator i tërë.
VLORE/ Informacion paraprak
Në vendin e quajtur “Ura e Mifolit” Novoselë, në rrethana ende të paqarta është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit që drejtohej nga shtetasi R.A., 33 vjeç, banues në Vlorë, i cili ka humbur kontrollin e mjetit dhe ka dalë nga rruga duke pësuar lëndime të lehta.
Nuk ka të lënduar me armë zjarri.
Grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po kryen hetimet në lidhje me zbardhjen dhe sqarimin e rrethanave.
Po punohet nëpërmjet kontrollit të territorit dhe veprimeve të tjera hetimore për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.