MENU
klinika

"Në arrati"

10 refugjatët më të famshëm të letërsisë dhe artit

20.06.2019 - 15:10

      Dekretuar në dhjetor të vitit 2000, me rezolutë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, kjo ditë është një mundësi për t’u bërë homazh personave që u është dashur të largohen nga shtëpitë e tyre, për të përshëndetur shpresën dhe guximin, për të rindërtuar jetën e tyre në mënyrë të sigurt. U celebrua për herë të parë në vitin 2001.

Nuk ka të bëjë me ndarjen e barrës. Bëhet fjalë për ndarjen e përgjegjësisë botërore, duke u bazuar jo vetëm në parimin e përgjithshëm të njerëzimit tonë të përbashkët, por edhe në detyrimet e veçanta që na takojnë sipas ligjit ndërkombëtar. Problemet themelore janë lufta dhe urrejtja, jo njerëzit të cilët janë të detyruar të ikin; refugjatët janë ndër viktimat e para të terrorizmit”, – shprehet Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterrez.

Të dhënat e fundit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara tregojnë se mbi 70 milionë njerëz kanë ikur nga vendet e tyre për shkak të luftërave në mbarë botën.

 

Historia na ka ofruar shembuj të famshëm të dijetarëve të shquar, të cilëve u është dashur të jetojnë si refugjatë, larg atdheut të lindjes. Individë ose popullatave të tëra u është dashur të braktisin shtëpitë, për t’i shpëtuar persekutimit, luftës dhe dhunës. Mes tyre të shumtë janë edhe personazhet e famshëm, që gjatë jetës janë detyruar të kërkojnë strehim larg vendlindjes për t’i shpëtuar persekutimit, kryesisht politik dhe/ose racor. Me rastin e Ditës Botërore të Refugjatëve po japim historinë e disa shkrimtarëve, filozofëve dhe artistëve, që kanë shënuar historinë letrare dhe artistike të vendeve të tyre përkatëse.

 

Izabel Aljende

Mbesa e presidentit kilian, Salvador Aljende, mërgoi pas rrëzimit të xhaxhait nga grushti i shtetit të Pinoçetit në vitin 1973, pasi shkrimtarja filloi të merrte kërcënime me vdekje dhe ishte në shënjestër nga regjimi. Fillimsht, vendosi të shkonte në Venezuelë. Edhe kur ishte në mërgim, nuk e ndërpreu kurrë karrierën si gazetare, duke bashkëpunuar me gazetën “El Nacional”. Novelat dhe romanet e saj, të përkthyera në mbarë botën, shpesh tregojnë për përvojën e saj në mërgim. Në vitin 1985 u transferua në Shtetet e Bashkuara dhe në vitin 1990, kur u rivendos demokracia në Kili, u kthye, pas 15 vjet mungesë, për të marrë çmimin “Gabriela Mistral”.

 

Sigmund Frojdi

Psikologu i madh austriak ishte me origjinë hebraike. Kur Austria, vendi ku jetonte, u aneksua në Rajhun e Tretë në vitin 1938, për Frojdin filluan telashet. Në 1933 iu dogjën veprat, kurse shtëpia botuese që i botonte u pushtua nga nazistët. Martini, i biri, u arrestua dhe pas një jave u arrestua edhe Ana. U liruan thuajse menjëherë, por Frojdi, i tronditur, u detyrua të mërgonte. Mori një vizë hyrjeje në Angli falë famës që gëzonte në atë vend. U lejua të emigronte nga Gjermania, duke paguar paraprakisht taksat. Iu privua shtetësia austriake dhe u bë pa shtetësi. I shoqëruar nga e shoqja, Marta, dhe vajza, Ana, u nis për në Londër, ku mori statusin e azilantit politik. Pesë vjet më vonë, katër motrat e tij, të cilat mbetën në Vjenë, u arrestuan dhe u vranë në një kamp përqendrimi.

 

Pablo Neruda

I stabilizuar në Spanjë, më 1934, punoi pranë ambasadës kiliane. Lufta civile dhe temperamenti i saj dramatik e shtynë gjithnjë e më shumë në angazhime politike, të cilat luajtën një rol të rëndësishëm në jetën dhe në krijimtarinë e tij të mëvonshme. Pas disa vitesh shërbimi diplomatik, në vitin 1944, Neruda u kthye në Kili dhe u zgjodh senator, por u akuzua si tradhëtar dhe u detyrua të arratisej në Meksikë. E pamundur të kthehej në atdhe, ai bëri udhëtime të gjata në Evropë: Paris, Poloni, Hungari. Në vitin 1951, vizitoi Italinë dhe Kinën. Në 1952 ishte ende në Itali, prej nga u dërgua përsëri në mërgim, duke u dëbuar si i huaj i padëshiruar. Megjithatë, falë lëvizjes së opinionit publik, dekreti u revokua dhe ai mundi të kalonte një periudhë të gjatë në Capri. Në 1953, u kthye në atdhe, në strehën e tij në Isla Negra pranë Valparaiso. Me ardhjen në pushtet të S. Aljende (1970), u emërua ambasador në Paris. Në vitin 1972, i sëmurë rëndë, u kthye në Kili, ndërsa qeveria Aljende ishte në krizë.

 

Nikolo Makiaveli

Padyshim që është një nga figurat më të rëndësishme në historinë e letërsisë. E filloi karrierën e tij politike brenda qeverisë së republikës fiorentinase me rënien e Xhirolamo Savonarolës. Kthimi i Mediçi pas tetëmbëdhjetë vitesh mërgim ishte domethënës për Makiavelin, i papëlqyeshëm për idealet republikane dhe miqësinë me Soderinin, e përjashtuan nga detyra, e izoluan për një vit dhe në vitin 1513 e burgosën dhe e torturuan, sepse dyshohej se kishte marrë pjesë në komplotin anti-Mediçi të Boskolit dhe Kaponit. Pikërisht në mërgim shkroi edhe punën e tij më të rëndësishme: “Princi”. Qëllimi ishte që t’ia kushtonte punën pushtetmbajtësit në familjen Mediçi, me shpresën e rimarrjes së postit të Sekretarit të Republikës.

 

 

 

 

Mark Çagall

Piktori francez i lindur në Bjellorusi ishte me origjinë hebraike. Për këtë arsye, u persekutua nën regjimin e Carit. Si u bë i njohur si artist, u largua nga Shën Pëtërburgu për t’u vendosur në Paris.

Kur fuqitë e Boshtit arritën në Paris dhe pak para se të krijohej republika bashkëpunuese e Vishisë, ai u largua nga kryeqyteti francez dhe së bashku me familjen u fsheh pranë Marsejës. Më vonë, u transferua në Shtetet e Bashkuara.

 

Viktor Hygo

Biri i një gjenerali të ushtrisë së Napolonit. Shumë shpejt u bë shkrimtar e poet, duke kaluar në histori si babai i Romantizmit francez. Në 1845, u emërua nga Lyi Filipi Pari i Francës, në 1848 u zgjodh deputet në Asamblenë Kushtetuese, madje qe një nga kundërshtarët më të ashpër të presidentit Lyi Bonapart. Mirëpo, grushti i shtetit të vitit 1851 shënoi pikënisjen e mërgimit për të. Këtu filloi të marrë formë figura mitike poetike dhe ideale e “Babai i vendit në mërgim”, një periudhë gjatë së cilës do të fillojë krijimtaria e tij satirike letrare kundër shtetit. U rikthye në Paris pas rënies së Perandorisë së Tretë, hyri në Senat më 1876 dhe vdiq më 22 maj 1885. Funerali i tij ishte një hyjnizim i vërtetë; trupi i tij u la për një natë nën Harkun e Triumfit të Shamps Elize dhe u ruajt nga dymbëdhjetë poetë.

 

Bertolt Breht

Dramaturg dhe poet i rëndësishëm gjerman, që iu bashkua lëvizjes marksiste. Kur erdhi Hitleri në pushtet, në vitin 1933, u detyrua të largohej nga Gjermania për shkak se ndihej i pasigurt. Prej atij momenti, krijimtaria letrare dhe teatrore do zhvillohej në toka të ndryshme të huaja. Shtegtoi për 15 vjet në shumë vende, por pas vitit 1941 u vendos në Shtetet e Bashkuara. Në fund të Luftës së Parë, u hodhën dyshime nga autoritetet amerikane lidhur me polemikat e tij politike dhe sociale, kështu që u largua nga Shtetet e Bashkuara dhe u zhvendos në Republikën Demokratike Gjermane, në Berlin, ku themeloi kompaninë teatrore të “Ansambli Berliner”, një përpjekje konkrete për të realizuar idetë e veta. Më pas, “ansambli” do të shndërrohej një nga kompanitë teatrale më të suksesshme.

 

Milan Kundera

Kritiku dhe eseisti çek i natyralizuar francez ka kontribuar në përhapjen e kulturës dhe autorëve më interesantë të vendit të tij në Perëndimin Europian. Anëtar i Partisë Komuniste, në vitin 1948, u dëbua për shkak të ideve që nuk ndoqnin vijën zyrtare të partisë. Për më tepër, pjesëmarrja e tij në lëvizjen e reformës “Pranvera e Pragës” i kushtoi shtetësinë çekosllovake dhe shkarkimin. I larguar nga atdheu, u zhvendos në Francë, ku studioi në Universitetin e Renës dhe në Paris, ku vijon të jetojë dhe punojë. Megjithatë, ai vazhdoi të shkruante në gjuhën çeke, përveç romaneve të fundit, pavarësisht faktit se vepra e tij ndalohej në shtëpi, deri në rrëzimin e regjimit pro-sovjetik.

 

 

 

 

Hana Arendt

Filozofja gjermane, edhe pse nuk kishte marrë një edukim tradicional fetar, nuk e mohoi kurrë identitetin e saj hebre, duke e deklaruar gjithmonë besimin në Zot. Ky kuadër referimi është jashtëzakonisht i rëndësishëm, sepse Hana Arendt ia kushtoi gjithë jetën përpjekjes për të kuptuar fatin e popullit hebre dhe u identifikuan plotësisht me peripecitë e tij. Pas ardhjes në pushtet të nacionalsocializmit dhe fillimit të persekutimit të komuniteteve hebraike, Arendt braktisi Gjermaninë në vitin 1933, duke përshkuar të ashtuquajturin “kufi i gjelbër” të pyjeve Erz. Duke kaluar nëpër Pragë, Gjenovë, Gjenevë, së fundmi në Paris. Mirëpo, zhvillimet historike të Luftës së Dytë Botërore e detyruan të largohet edhe nga toka franceze. E internuar në kampin Gurs nga qeveria Vishi si një “e huaj e dyshuar” dhe më pas e liruar, pas shumë peripecive arriti të lundronte nga porti i Lisbonës në Nju Jork, ku mori nënshtetësinë amerikane në vitin 1951. Lufta kundër totalitarizmit vazhdoi e paepur edhe në mërgim, duke e konkretizuar me librin hetues mbi Adolf Eichmann dhe nazizmin: “Banaliteti i së keqes” dhe, në vitin 1951, me të rëndësishmen “Origjina e totalitarizmit”, rezultat i një hetimi të saktë historik dhe filozofik.

 

 

 

 

 

Dante Aligeri

Jeta e Dante Aligerit është e lidhur ngushtë me ngjarjet e jetës politike fiorentine. Në epokën  e Dantes partia guelfo ishte e ndarë në dy fraksione: të bardhët dhe zezakët. Në vitin 1295, kur Dante filloi karrierën politike, u bashkua me guelfët e bardhë, sepse ishte në kundërshtim me politikën e zezakëve që mbështesnin ekspansionizmin e Papa Bonifacios VIII. Dante qe gjithashtu promotori i shumë ligjeve që pengonin Papën. Për këtë arsye, Bonifacio VIII e kishte halë në sy. Kështu, në vitin 1301, kur zezakët zaptuan Firencen me mbështetjen papale, Aligeri u mbulua me akuza të turpshme dhe në vitin 1304 u dënua në mërgim. Vazhdoi mërgimin në Veneto dhe më pas në Lunigiana. Meqë poeti ndihej tërësisht i pafajshëm, nuk pranoi t’i nënshtrohej një poshtërimi të tillë, ndaj zgjodhi të qëndronte në mërgim. I kaloi vitet e fundit të jetës në Verona dhe në fund në Ravena, ku vdiq në nderimin e zotit të qytetit dhe i rrethuar nga të afërmit më 14 shtator 1321. Varri i Dantes ndodhet pikërisht në Ravenë./Konica.al