Shifrat e dhëna deri tani për pjesëmarrjen në zgjedhje, sipas kreut të KQZ-së, Klement Zguri janë të pabesueshme pa u konfirmuar nga KQZ.
Zguri tha se këto shifra janë paraprake dhe vijnë vetëm përmes komunikimeve telefonike. Ndërsa shtoi se vetë ende nuk ka votuar.
“Është e vërtetë përmes një deklarate nga zëdhënësja e komisionit janë raportuar shifra dhe një përqindje e caktuar deri në orën 11:00. Nuk është shifër zyrtare e konfirmuar nga KQZ-ja.
Kjo shifër ka ardhur përmes komunikimeve telefonike të specialistëve të KQZ-së me KZAZ-të.
Dhe KZAZ-të i kanë marrë këto po përmes komunikimeve telefonike me sekretarët e qendrave të votimit. Duke ditur përbërjen aktuale të gjithë administratës zgjedhore unë besoj që këto shifra minimalisht nuk janë të besueshme pa u konfirmuar nga zyrtarisht nga KQZ.
Nuk janë zyrtare, janë paraprake dhe vijnë thjesht e vetëm përmes komunikimit telefonik. Unë akoma nuk kam votuar.“, bën me dije Zguri.
Ndërkohë zëdhënësja e KQZ, Drilona Hoxhaj në një njoftim për shtyp mesditën e sotme tha se deri në orën 11:00 në QV e votimit në gjithë vendin pjesëmarrja ishte 12%.