MENU
klinika

Vlerëson Engel

30 Qershori ditë zgjedhjesh/ Presidenca përgjigjet pas Palmer

27.06.2019 - 18:45

Presidenca ka reaguar pas deklaratave të bëra nga Zëvendësndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Mathew Palmer.

Zëdhënësi i Presidentit, z.Tedi Blushi i pyetur nga mediat mbi deklaratat e bëra nga z.Palmer në VOA deklaroi se Presidenti i Republikës vlerëson deklaratën e përgjegjshme, të vëmendshme e njëkohësisht shqetësuese të Kryetarit të Komisionit të Politikës së Jashtme të Kongresit Amerikan Eliot Engel, të cilin e quan mik të vërtetë të Shqipërisë, duke mos e përmendur në fakt aspak zotin Palmer.

“Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta vlerëson deklaratën e përgjegjshme, të vëmendshme e njëkohësisht shqetësuese të Kryetarit të Komisionit të Politikës së Jashtme të Kongresit Amerikan, Eliot Engel, këtij miku të sprovuar të Shqipërisë, Kosovës dhe shqiptarëve, mbi situatën e vështirë politike në Shqipëri dhe mbi rëndësinë imediate të rivendosjes së dialogut dhe shtetit të së drejtës.

Presidenti i Republikës siguron Kryetarin e Komisionit të Jashtëm të Kongresit Amerikan, z.Eliot Engel dhe të gjithë miqtë e vërtetë të Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, se po bën dhe do të bëjë të gjitha përpjekjet që Shqipëria të mund të organizojë zgjedhje vendore gjithëpërfshirëse, demokratike, me standarde, të lira dhe të ndershme, ashtu siç e meriton një vend i NATO-s dhe një vend që dëshiron të bëhet anëtar i Bashkimit Europian”, deklaron Zëdhënësi i Presidentit.

Zyrtari i lartë Palmer dha qëndrimin e amerikanëve për zgjedhjet vendorenë VOA, duke njohur 30 qershorin si datë zgjedhjesh.

“Ne presim që zgjedhjet të zhvillohen më 30 qershor, të jenë të qeta e të rregullta”, tha Palmer për “Zërin e Amerikës”, ndërkohë që intervista e plotë do të transmetohet ditën e nesërme.