MENU
klinika

Mesazhi

30 Qershori/ Meta thirrje të dytë shqiptarëve: Shmangni provokimet!

29.06.2019 - 15:32

Presidenti Ilir Meta iu ka bërë sërish thirrje qytetarëve të respektojnë në mënyrë civile dhe demokratike vendimin e gjithsecilit gjatë ditës së nesërme, teksa mazhoranca do të zhvillojë e vetme zgjedhjet vendore.

Përmes një mesazhi në “Facebook”, Meta i fton qytetarët shqiptarë të sillen me qetësi dhe mençuri, si dhe të vetëpërmbahen.

Sipas Kreut të Shtetit, është me rëndësi të jashtëzakonshme që nesër të ruhet paqja sociale, duke shtuar se të gjithë duhet të shmangin provokimet që mund të çojnë drejt dhunës.

“Të dashur qytetarë, Përsëris thirrjen time për të respektuar në mënyrë civile dhe demokratike vendimin e gjithësecilit gjatë ditës së nesërme. Sërish ju ftoj të gjithëve të silleni me qetësi dhe mençuri! Është shumë e rëndësishme vetëpërmbajtja e gjithësecilit!

E theksoj edhe njëherë rëndësinë e jashtëzakonshmë që ka nesër ruajtja e paqes sociale. Të gjithë duhet t’i shërbejmë asaj dhe së ardhmes europiane të Shqipërisë.

Shmangni provokimet që mund t’ju çojnë drejt dhunës, në mënyrë që dallimet politike të mos cënojnë bashkëjetesën qytetare në çdo familje, në çdo lagje, në çdo fshat, në çdo qytet dhe në të gjithë shoqërinë tonë”, shkruan Meta.