MENU
klinika

Zgjedhjet e 30 Qershorit

“4 vetë po e bëjnë lëmsh Shqipërinë”/ Rama: Do paguani një më një!

26.06.2019 - 19:08

Kryeministri Edi Rama vijon fushatën elektorale për zgjedhjet e 30 qershorit.

Shefi i qeverisë sot u ndal në qytetin e Gramshit, ndërsa hodhi akuza të forta për Presidentin e vendit, Ilir Metën dhe për opozitën.

Sipas tij, kreu i shtetit dhe opozita e bashkuar po kryejnë akte dhune ndaj demokracisë në Shqipëri.

Mes tjerash, kryeministri pohoi se opozita e ka marrë për dobësi zemërgjerësinë e PS-së dy vite më parë, kohë kjo kur palët politike firmosën marrëveshje në 17 maj.

“Kundërshtarët tanë duhet të na kishin dalë për ballë. Për tu ballafaquar me ne. Sepse pas këtyre katër viteve që mbyllëm për bashkitë, për ne flasin punët më shumë sesa fjalët. ata vendosën të ikin nga zgjedhjet sepse nuk fitojnë dot. Por edhe sepse duan të marrin zgjedhjet peng, për të marrë peng Shqipërinë.

Qëllimi i tyre është të pengojnë me çdo kusht Shqipërinë për të çelur negociatat. Kjo mund të duket si propagandë. Por në fakt po të shikoni të gjithë panoramën të shpalosur të aktivitetit politik të gjashtë muajve të fundit. Nuk është e vështirë të kuptohet se qëllimi është ky.

Shqipëria të bëhet një vend me reputacionin e rëndë me imazhin e nxirë, për të mos i lejuar miqtë tanë për negociatat dhe për të ushqyer ata që jo se janë armiqtë tanë por kanë ide për Europën dhe nuk duan të hapin negociata me askënd.

Ka patur momente të vështira, por jo të zbathej në parlament për të përdorur çizmet si armë dhe të fluturonin shishet e ujit si molotov që më pas erdhën shishe me benzin.

Dhunë në rrugë, dhunë nga institucioni më i lartë i shtetit. Dhe e gjitha kjo për të krijuar idenë se ky vend nuk meriton të çelë negociatat dhe ky vend është rrëmujë.

E kanë marrë për dobësi marrëveshjen e dy viteve më parë. Dy vjet më parë ajo marrëveshje i shpëtoi kur ishin buzë greminës. Kush kërcënon të shkelë të drejtën tonë do të thyejë qafën dhe po e thyejnë qafën me vullnetin e tyre të lirë” -tha Rama.

Kryeministri Rama deklaroi se katër vetë po e bëjnë lëmsh Shqipërinë.

Ai tha se Berisha, Basha, Meta dhe Kryemadhi janë përgjegjës për situatën aktuale në vend.

Rama theksoi se ata dhe të gjithë ata që iu shkojnë pas duhet ta masin mirë çdo hap që bëjnë, sidomos më 30 qershor.

Kreu i qeverisë shtoi se çdo veprim antiligjor do të paguhet një më një.

“Aman se kur thonë do bëhet 1997. Kur i bie rrotullimi nga ana e Saliut, bëhet errësirë komplet. Kur thotë se po bëj gjithçka për të ndaluar konfliktin civil. Është shumë e thjeshtë: thuaji fallxhores deri më datë 30 asnjë kokërr kafe turke në shtëpi.

Zemra e konfliktit janë 4 vetë. Dy i ka treguar me gisht qeveria e SHBA. Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi përgjegjës për gjithçka ndodh. Dy të tjerët i di gjithë populli. I dinë edhe gjithë populli, edhe peshqit që rrinë te liqeni, janë Saliu dhe Iliri.

Katër vetë duan ta bëjnë Shqipërinë çorap. Ta dinë ta masin mirë çdo hap. Çdo hap ta mendojnë mirë e mirë sepse Shqipëria nuk është më shesh për përsheshin e Saliut, Monikës dhe Ilirit”, tha Rama në Gramsh.