MENU
klinika

Përplasja për KZAZ

Arrestohen shoferi i Bashkisë Kukës dhe inspektori i policisë

20.06.2019 - 11:27

Ditën e sotme në Kukës kanë rënë në prangat e policisë katër persona.

Arrestimi i tyre ka ardhur pas përplasjeve për KZAZ ditën e djeshme.

Mes të arrestuarve janë edhe dy shoferë në Bashkinë e Kukësit, si dhe Inspektori i Policisë Bashkiake.

Njoftimi i plotë i policisë:

Kukës.

Në lidhje me ngjarjen e ndodhur dje, më datë 19.06.2019, tek gjimnazi “Havzi Nela”, në KZAZ nr.11 Kukës, ku disa persona në bashkëpunim me njeri-tjetrin, kanë tentuar të dëmtojnë materialet zgjedhore, kanë prishur derën e palestrës dhe kanë vënë zjarr, si dhe kanë kundërshtuar punonjësit e policisë, pas veprimeve hetimore, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kukës, bënë arrestimin në flagrancë të 4 shtetasve, konkretisht:

-A. C., 46 vjeç, banues në Kukës, shofer në Bashkinë e Kukësit.

-E. H., 42 vjeç, banues në Kukës, shofer në Bashkinë e Kukësit.

-E. B., 26 vjeç , banues në Kukës, Inspektor i Policisë Bashkiake.

-E. M., 35 vjeç, banues në Kukës.

Janë shpallur në kërkim 7 shtetas, si dhe janë proceduar në gjendje të lirë 4 të tjerë, për veprën penale “Organizimi i paligjshëm i tubimeve”.

Materialet për veprime të mëtejshme do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur, për veprat penale “Kundërshtimi i Punonjësit të Policisë së Rendit Publik”, “Mosbindja ndaj urdhrit të Punonjësit të Policisë së Rendit Publik”, “Shkatërrimi i pronës”, ”Dëmtimi me dashje i materialeve zgjedhore, e mbetur në tentative”, “Organizim i paligjshëm i tubimeve” dhe “Prishja e qetësisë publike”.