“Imagjinata është moralisht asnjanëse, por në fund nuk mund të jetojmë pa të – dhe nganjëherë, nuk mund të jetojmë me të”, – I.McEwan
Ian McEwan është një nga zërat më të rëndësishëm në letërsinë britanike. Shumë origjinal, puna e Ian McEwan na befason me talentin e tij për koncizitet dhe humor. Autori arrin të luajë me engimat që janë njëherazi thelbi i tregimtarisë. Një pjesë e veprave të tij si “Kopshti i çimentos”, “Interesi i fëmijës”, “Shlyerja”, etj. janë përshtatur edhe për ekranin e televizionit.
Ian McEwan ka lindur në 21 qershor 1948 në Aldershot. Djali i një oficeri të ushtrisë britanike, një pjesë të fëmijërisë e kaloi në Afrikën e Veriut, në Lindjen e Largët dhe në Gjermani. Ishte i diplomuari i parë i kursit të shkrimit krijues të krijuar nga Malcolm Bradbury në Universitetin e Anglisë Lindore. Në fillim të viteve 1980, arriti ta përfshijë veten në skenën letrare britanike me dy koleksione me tregime të shkurtra: “Dashuria e parë, ritet e fundit” (1975) dhe “Në midis fletëve” (1978). Autori është përzgjedhur nga prestigjozja “Times” mes 50 shkrimtarëve britanikë më të mirë prej vitit 1945, ndërsa “The Daily Telegraph” e ka përzgjedhur mes 100 personave më me ndikim në kulturën britanike.
Krijimtaria e autorit do të pasurohet gjithnjë e më shumë, mes të cilave: “Një kopsht çimentoje” (1980); “Fëmija i vjedhur” (1993), çmimi i huaj Femina; “Deliri i dashurisë” (1999); “Shlyerja” (2003); erj. Ka punuar gjithashtu edhe si skenarist në filmat e përshtatur të disa romaneve të tij. Brenda pak vitesh u kurorëzua me çmimet më prestigjioze, duke përfshirë edhe çmimin “Booker”. Specialiteti i tij kryesor? Shqetësimi. Ian McEwan është i patëdytë në ekspozimin e gënjeshtrave dhe mashtrimeve, çka e organizon me një delikatesë të jashtëzakonshme psikologjike.Të gjithë romancierët janë studiues të sjelljes njerëzore, por Ian McEwan e ndjek çështjen me më shumë rigorozitet shkencor, sesa e kërkon vërtet puna.
Prej kohësh, shkrimtarët kënaqeshin të gjeneronin njohuri për veten, por McEwan tregohet i kujdesshëm duke u mbështetur shumë në intuitë. Autori ka të ashtuquajturën “frymë neoklasike”, e ushqyer gradualisht nga poezitë e Filip Larkin dhe nga gazetat në Nature. Temperamenti empirik i McEwan e dallon nga miqtë e tij Martin Amis, Salman Ruzhdi dhe Julian Barnes.
Prindërit e tij e jkishin lënë shkollën që në moshën katërmbëdhjetë vjeçare, pra kishin fare pak interesa letrare. Gjithsesi, shkrimtari tek unë buron nga nëna ime, thotë autori, pasi ajo ishte gjithnjë e bindur për imagjinatën time.
Sa i përket faktit nëse autori është i fiksuar pas stilit, ai shprehet: “Duhet ta pranoj, se po. Por, për të kualifikuar stilin që kërkoj, për mua do të thotë se gjuha duhet të jetë e padukshme. Me këtë dua të them se ajo nënkupton që lexuesi duhet të shohë, dhe jo sipërfaqen e fjalisë. Pra, ka momente kur përpiqem ta kap vëmendjen në këtë sipërfaqe të njëjtë dhe në aspektet e saj lingusitike. Por në përgjithësi, dëshiroj që stili im të jetë transparent. Pak a shumë, si kolona zanore e një filmi: mund të përcaktojë humorin e skenës, por në momentin kur e kupton praninë e saj, vëmendja shkëputet nga ajo çka ndodh në ekran… Që të jesh i udhëhequr nga historia, është e nevojshme që mekanizmat e saj të jenë të padukshme, që ato të veprojnë thellësisht”.
“E kam dashur shkencën nga vitet e adoleshencës, por nuk kam bërë vend për të në historitë e mia, pasi isha një romancier ekzistencialist, i cili nuk do ta ulte veten në konsiderata të tilla. Ishte shpirti njerëzor që më interesonte”, – vijon. Ka shkruar edhe “Në bregun Chesil”, “Shtuna”, “Sëmundje dashurie”, “Amsterdam”, “Qentë e zinj”, “I pafajshmi”./Konica.al
“Duhet pasur kujdes me shtirjen, pasi mund të bëhet realitet, ashtu siç realitetit i pëlqen të bëhet shtirje”.
“Nuk di të them nëse qytetërimi ynë vuan më shumë për mungesë apo tepricë besimi”.