MENU
klinika

Investigimi i skandalit

Basha në Prokurori dhe lobimi rus, media amerikane merr “meritat”

14.06.2019 - 18:04

Mother Jones e ka përcjellë me shpejtësi lajmin e thirrjes së Lulzim Bashës në Prokurori, duke theksuar që në titullin e artikullit se kjo lëvizje pason raportimet e revistës se njohur investigative.

“Prokurorët shqiptar,– thuhet aty-, njoftuan se kanë në plan të ngrënë akuza penale kundër Bashës, lidhur me pagesat prej më shume së 600,000 dollarë, që Partia e tij thuhet t’i ketë bërë në 2017-ën një lobisti republikan në Uashington”.

“Ky hap hidhet më shumë se një vit e gjysmë nga raporti i Mother Jones se një kompani-guaskë me bazë në Skoci ‘Biniatta Trade LP”, e lidhur me disa shtetas misteriozë rusë, kishte mbështetur këtë përpjekje lobimi në Shtetet e Bashkuara”, thekson revista.

Çështja e pagesave për lobim të kryera nga ana e PD-së u hap në nëntorin e dy viteve të shkuara kur firma amerikane ‘Muzin Capitol Partners’, plotësoi me informacione shtesë deklarimet e saj të detyruara me ligj për Departamentin e Drejtësisë.

Sipas deklarimeve të kësaj kompanie, ajo kishte marrë tre pagesa, në një shumë prej 675 mijë dollarësh, për punën e saj në favor të Partisë Demokratike në vitin 2017.

Nga deklarimet e firmës Muzin, vetëm ajo prej 25 mijë dollarësh, është pranuar nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha që është paguar nga PD-ja. Dy të tjerat mbetën të paqarta.