MENU

Afati i aplikimit deri më 10 korrik

BE jep 66 mijë euro për sipërmarrjet sociale

26.06.2019 - 19:46

Hapet zyrtarisht thirrja për grante, në kuadër të skemës së granteve të projektit EMBRACE – Modele Sipërmarrjeje që Ndërtojnë Marrëdhënie dhe Ekonomi Krijuese.

Ky projekt i financuar nga organizata italiane Project Ahead dhe Bashkimi Evropian, nëpërmjet Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, u ofron mundësi të gjithë OJF për të aplikuar për fondin deri në 66 mijë euro.

Sipas njoftimit të autoritetit kontraktues, nëpërmjet kësaj thirrjeje do të financohen deri në 10 projekte, kohëzgjatja e zbatimit të granteve është minimumi 9 muaj dhe maksimumi 12 muaj, buxheti total i projekt propozimeve për çdo grant të kërkuar nëpërmjet kësaj Thirrje duhet të jetë minimumi 3000 euro dhe maksimumi 7000 euro.

Projekti EMBRACE – Modele Sipërmarrjeje që Ndërtojnë Marrëdhënie dhe Ekonomi Krijuese, synon të kontribuojë në zhvillimin e ekonomisë sociale që nxit zhvillimin gjithëpërfshirës në vend.

Objektivi Specifik i kësaj Thirrje për Projekt Propozime është: Mbështetja e ngritjes dhe zhvillimit të ideve të reja të sipërmarrjes sociale ose fuqizimi i ideve ekzistuese, të cilat kontribuojnë në përfshirjen sociale, përmes integrimit dhe punësimit, dhe zhvillimit ekonomik të komunitetit lokal.

“Të gjitha organizatat e shoqërisë civile që plotësojnë kriteret e vlefshmërisë të përcaktuara në Udhëzuesin për Aplikantët dhe që kanë për objekt të aktivitetit të tyre zhvillimin socio-ekonomik të komuniteteve lokale, mobilizimin e punës dhe ekspertizën e burimeve lokale, kohezionin social, lidhjen e njerëzve me komunitetin, integrimin dhe punësimin, veçanërisht të njerëzve me aftësi të kufizuar.

Çdo organizatë (OJF) mund të dorëzojë vetëm një projekt propozim ose si Aplikant ose si bashkë-aplikant.Një aplikim nuk mund të ketë më shumë se një aplikant dhe një bashkë-aplikant. Projekt propozimet duhet të dërgohen deri më 10 Korrik 2019”- thuhet në njoftim.

Në një intervistë të mëparshme për Monitor nga ambasadori i BE-së, z. Luigi Soreca, ai theksoi se projekte të tilla si EMBRACE, “Gratë në zonat malore” dhe “Mbështetje për ndërmarrjet sociale modele të shoqërisë civile” japin mbështetje konkrete dhe të prekshme për veprimet e ndërmarra nga organizatat e shoqërisë civile që aplikojnë teknika biznesi në partneritet me sektorin privat.

“Unë besoj se këto lloje projektesh janë kritike për qëndrueshmërinë e ofruesve të shërbimeve dhe ekziston një nevojë e fortë për ta përmirësuar më tej mjedisin ligjor dhe fiskal për financimin e këtyre nismave në vend. Ne do ta vazhdojmë, gjithashtu, mbështetjen tonë në këtë drejtim.”-bëri me dije z. Soreca.