MENU
klinika

Tensionet mes protestuesve

Bushati: Një tufë njerëzish s’mund të djegin Shkodrën!

20.06.2019 - 20:22

Deputeti i zonës, ish-ministri Ditmir Bushati i pari që mori fjalën në mitingun elektoral të Shkodrës, deklaroi se një tufë me njerëz nuk mund ta djegin qytetin, duke iu referuar kështu protestuesve të opozitës që kundërshtojnë mbajtjen e këtij tubimi.

“Një tufë njerëzish s’mund të djegin, Shkodrën e Luigj Gurakuqit që përqafoi dijen e jo zjarrin. Një Shkodër që lartëson emrin dhe historinë e saj duke ecur më shpejt se bashkitë e tjera”,- tha ai.

Bushati shtoi se, kryetarja e bashkisë së Shkodrës, ndryshe nga kultura që qyteti përçon, u bë e famshme për molotovin.

Kandidati i PS-së për këtë Bashki, Valdrin Pjetri premtoi se pasi të fitojë zgjedhjet do ta kthejë qytetin në një zonjë të vërtetë, ashtu siç e meriton.

“Bashkia Shkodër, duhet të na bashkojë të gjithëve përtej këtij sheshi. Kërkoj nga secili prej jush mbështetjen tuaj e më 30 qershor të nisim një kapitull të bukur për zonjën Shkodër. Veprat tona do të nisin që në mandatin e parë, e Shkodra do të qeveriset për herë të parë pas 28 vitesh nga e majta”.

Ashtu siç u paralajmërua, kryeministri Rama shkoi në Shkodër dhe në këto momente po zhvillon takimin elektoral të shyrë vetëm me 15 minuta.

Ndërkohë shumë pak larg tyre mbështetësit e PD-së, të udhëhequr edhe nga kryebashkiakja Ademi vijojnë të protestojnë.

Policia i ka zmbrapsur disa herë ata që tentojnë të çajnë kordonin policor.