MENU
klinika

“Valsi i lumturisë” kolektive

Çnjerëzorja tejkalon groteskun në veprën e Ylljet Aliçkës

11.06.2019 - 15:07

      Gazeta e njohur letrare EaN (En attendant Nadeau) pasqyron në numrin e fundit, një analizë të studiuesit Jean-Paul Champseix, autor i “Bulevardi Stalin 47”, mbi botimin në Francë, të romanit me autor Ylljet Aliçka.

Nga Shqipëria vjen një vepër e re e Ylljet Aliçkës, me një titull në ekstremet e ironisë: “Valsi i lumturisë”. Autori është frymëzuar nga një histori e vërtetë, ndodhur në Tiranën e tij, në vitin 1985. Një familje me katër motra dhe dy vëllezër ia dalin t’ia hedhin rojes së ambasadës italiane, për të kërkuar azil politik.

Të gjashtët shpresuan me naivitet, se brenda disa ditësh çështja e tyre do të rregullohej dhe ata do ta gjenin veten në Romë, pa llogaritur ashpërsinë e regjimit të hekurt stalinian të Enver Hoxhës, i cili i konsideronte qytetarët e tij, mirëfilli si pronë e shtetit.

Për pasojë, atyre iu desh të jetonin për pesë vjet, në bodrumet e ambasadës, të rrethuar tashmë nga policët dhe ushtarët.

 

 

 

 

Personeli i ambasadës italiane, përfshirë këtu dhe vetë ambasadorin, pësuan vazhdimisht poshtërime dhe fyerje pa fund, nga autoritetet shqiptare.

Natyrisht, ata i druheshin ndonjë të çare në kështjellën e rrethuar që kish farkëtuar vizioni i tyre maniak. Ata nuk kishin pikë dyshimi, se çfarë i priste…

Ylljet Aliçka është autori i “Parrullave me gurë”, që evokonte në një formë tragji-komike detyrën e shkrimit të parullave me gurë, në faqet e kodrave, për lavdinë e regjimit të Hoxhës.

Është realizuar edhe një film mbi skenarin e autorit të të njëjtit libër, nga regjizori Gjergj Xhuvani, i cili mori dhe çmim në festivalin e Kanës.

Aliçka ndjek hap pas kalvarin e familjes Popa, që në roman i quan Tota, – duke i sjellë lexuesit, tiparet e një prej dikaturave më të egra të planetit.

Autori përkon hyrjen e familjes në ambasadë, me vdekjen e diktatorit.

Situatë e rëndë: populli duhet të derdhë lot, ndërsa sigurimi ka për detyrë që të vlerësojë seriozitetin e qarjeve. Drejtuesit e administratës dhe ndërmarrjeve rivalizojnë me nivelin e dhembjes, gjë që nuk është fort e lehtë. Ndërsa grate, atyre u vjen në ndihmë gjendja e të fiktit. Njerëzit e pasinqertë ndëshkohen, duke mos u lejuar të marrin pjesë në funeralin e Udhëheqësit.

Bie fjala, njëri prej vëllezërve të familjes Tota, Vangjeli, meritoi etiketimin e hidhur: “lot hipokrite dhe mungesë e theksuar pasioni, gjatë shprehjes së dhembjes”.

Familja Tota është “e deklasuar”, biografia e tyre ka një hije të rëndë: i ati, që kishte studiuar në Itali, për farmaci, gjatë luftës u kish shitur barna ushtarëve të plagosur italianë, fakt ky, për të cilin vdiq në burg, nën regjimin e Hoxhës.

Ky është dhe shkaku që fëmijët e farmacistit mbetën të pamartuar, sepse çdokush me biografi normale që do të guxonte të martohej me ta, do të thoshte se ishin kundër regjimit. Bie fjala, rasti i një inxhinieri, i cili u josh nga bukuria e Irena Totës, përfundoi në një hidrocentral malor për shkak të “zbutjes së luftës së klasave”.

Eshtë Simoni, vëllai i vogël, hamall, sepse nuk ishte autorizuar për të ndjekur studimet, ai që konsiderohej si “një agjent perëndimor i pazbuluar”, i cili, pati idenë që të kapërcejë me gjithë familjen pragun e ambasadës italiane. Veshur me rrobat e tyre më të mira, “që mbanin erë naftalinë”, tek kapërcejnë gardhin e ambasadës, ata flasin italisht për të krijuar përshtypjen se janë italianë.

Roja shqiptare, i ndërgjegjshëm se është mashtruar, përpiqet të hyjë në oborrin e ambasadës me pistoletë në dorë e më pas, për t’ia drejtuar armën vetes, sepse ai e dinte fatin që e priste.

Ambasada italiane rrethohet nga 600 policë dhe aty pranë, isntalohet një sistem përgjimi.

 

 

 

 

 

Por, meqenëse gjethet e pemëve pengojnë valët e përgjimit, atëherë i hidhet helm të gjitha pemëve përreth ambasadës.

Altoparlantët përhapin muzikë funebre, për t’u ndërprerë nga zëri i rëndë i spikerit, i cili deklaron se Totat janë agjentë të huaj, të implikuar në veprimtari kriminale kundër shtetit shqiptar.

Qeveria do të deshte të sulmonte ambasadën italiane, por ndofta një fakt banal i frenoi: italianët ia kanë marrë ndërtesën me qira Shteteve të Bashkuara, që e zotëronin këtë terren që para luftës!

Përpara ambasadës organizohen “spontanisht”, manifestime kërcënuese, duke u kujtuar pipinove të kaluarën e tyre fashiste, të cilët, partizanët shqiptarë i kishin flakur në det.

Veteranët këmbëngulin që të mos i lenë të gjallë, por zhgënjehen kur marrin vesh se një kardinal, Mindszenty, ka qendruar 15 vjet brenda ambasadës amerikane në Budapest, duke u kujtuar veteranëve rheumatizmat e gjymtyrëve të tyre! Në Shqipëri, në rast të një krimi, faji bëhej kolektiv. Pra, për fajin e dikujt, duhej të mbante përgjegjësi e gjithë familja.

Pushteti kërkon arrestimin e kushërinjve qoftë dhe të largët, të familjes Tota. Duke qenë se familja Tota nuk la të afërm, arrestohet një familje me mbiemër të përafërt: Popa! Ata jetojnë në qytetin N, aluzion ky, me një qytet anonim që hasim shpesh në veprën e Ismail Kadaresë.

Ylljet Aliçka na zbërthen deformimet e një regjimi, ku çnjerëzorja rivalizon me groteskun.

Gjashtë pjesëtarët Tota, që besuan se shpëtuan, kuptuan se, me gjithë përpjekjet e ambasadorit italian, pasuesi i zbehtë i Hoxhës, Ramiz Alia, nuk u tërhoq, pa guxuar të ndryshojë gjë.

Vitet kalojnë dhe Totat e stërlodhur, detyrohen të marrin antidepresivë.

Një here, provojnë të bëjnë grevë urie. Fillesa e një idili mes Ileanës dhe një polici të pashëm Italian, nuk tolerohet nga vëllai, Simoni, i cili qorton të motrën se “nuk jemi futur këtu për të bërë gallatë me pipinot”.

Totat u liruan falë një ngjarjeje historike: në shkurt të vitit 1991, rrëzohet statuja e Enver Hoxhës, qeveria detyrohet të bëjë koncesione.

Të ndodhur në teritorr italian, familja Tota refuzon të plotësojë formularët shqiptarë! Çështja zgjidhet nga Tirana, falë premtimit të një ndihme ekonomike, si dhe të vizitës historike të Pérez de Cuellar, sekretar i përgjithshëm i OKB-së, që garanton mbrojtjen e familjes.

Ndërkohë, ambasadori italian ka vdekur, i rraskapitur, vetëm një muaj pasi ka dorëzuar funksionin. Zëvendësi i tij, që i gëzohet largimit të Totave, është shumë larg asaj që e pret: nis pushtimi i ambasadave perëndimore nga mijërat e shqiptarëve! Madje dhe skulptori i kokës së statujës së çmontuar të Enver Hoxhës, kërkon azil pasi nuk pranon kërkesën e pushtetit për të bërë një statujë të re dhe parapëlqen të lerë vendin (fakt autentik).

 

 

 

 

Totat, që u shndrrënuan në pionierët e ekzilit, shpresojnë të priten si heronj, por përfundojnë në një kamp refugjatës, në shoqërinë e emigrantëve afrikanë, për tu sistemuar më pas në një ndërtesë komunale në periferi të Romës, ku dhe sulmohen nga fqinjët.

Ëndrra kapitaliste u shkërmoq shumë shpejt dhe tragjedia vazhdon: një grindje bëhet fatale për Simonin; Irena shtrohet në psikiatri, pasi fyhet nga dikush që i propozon për martesë; Ileana, e kthyer në Shqipëri, përpiqet më kot të rimarrë shtëpinë, të zënë tashmë nga një djalë i ri që pretendon se e ka blerë atë.

Autoritetet lokale që besojnë se familja Tota, jeton në mrekullitë e Kaprit a gondolat e Vencies, nuk e kuptojnë dot se, pse ajo kërkon të rimarrë këtë karakatinë dhe t’u bëjë dëm shqiptarëve të varfër që kanë mbetur në vend…

Ramiz Alia, i cili ishte betuar se askush nuk mund ta braktiste vendin, u detyrua të lejonte largimin e të gjithë shqiptarëve që kishin hyrë në ambasada. Ata mbërrijnë në Itali dhe dëshpërojnë një funksionar italian, i cili nuk pranon më të dëgjojë nga refugjatët se, ata të gjithë, kanë marrë pjesë në rrëzimin e statujës së Enver Hoxhës.

Nën ironinë e ndjesisë sikur po të mbyt, ngjarje të dhembshme përshkallëzohen pa vështirësi në roman, parë nga një logjikë vërtet tragjike.

Ismail Kadareja, në parathënien e librit, ndër të tjera thotë se “terrori bëhet lidhja e vetme e mundshme, sociale dhe e papërfytyrueshme. Çmenduria bëhet kështu, sjellja më banale”.

 

 

Në realitet, çështja Popa përfundon me dy vetëvrasje, dy shtrime në psikiatri, ndërsa e mbijetuara e vetme jeton sot, duke mbledhur mbeturina në kazanet e plehrave, ku grindet me mbledhës më të fortët se ajo.

Ylljet Aliçka ia ka dalë të shkruajë pa patos, përderisa vetë realiteti e kapërcen fiksionin.

Cilësisë së padiskutueshme letrare të romanit i shtohen dhe vlerat historike dhe morale. Kjo është aq e vërtetë, përdersa një numër fatesh janë humbur në anonimat dhe harresë, nga një regjim që nuk i ka njohur kurrë krimet dhe që autori di t’i përshkruajë me mençuri dhe humor të zi./Jean-Paul Champseix

*Në numrin e saj të fundit, gazeta e njohur letrare EaN (En attendant Nadeau), i lë hapësirë analizës së  studiuesit Jean-Paul Champseix, autor i  “Bulevardi Stalin 47”, mbi botimin e romanit të Ylljet Aliçkës në Francë,

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit