MENU
klinika

Preket dhe bonusi i bebeve

Drafti në Kuvend/ Si ndryshon ndihma ekonomike?

13.06.2019 - 17:39

Qeveria ndryshon sërish skemën e ndihmës ekonomike.

Projektligj që synon të rregullojë mënyrën e dhënies së ndihmës ekonomike, pagesave të aftësisë së kufizuar dhe bonusit të bebeve është depozituar për diskutim në komisionet parlamentare, për t’i hapur më tej rrugë miratimit të tij.

Projektligji “Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë”, ka si qëllim të përmirësojë skemën e ndihmës ekonomike, duke thjeshtuar procedurat e panevojshme për përfitimin e saj, si dhe të integrojë në tregun e punës personat me ndihmë ekonomike por që janë në kushte të favorshme për të punuar.

Në këtë rast, duke shtrënguar masat kur refuzohen ofertat nga zyrat e punësimit. Nga ana tjetër do të ketë më shumë kontroll për mënyrën se si do të përdoren fondet.

Ky projektligj ka për qëllim të rregullojë mënyrën e dhënies së ndihmës ekonomike, të pagesave të aftësisë së kufizuar dhe bonusit të bebeve, për të garantuar mbrojtje sociale për të gjithë qytetarët.

Gjithashtu, projektligji garanton mbështetje për familjet dhe individët në nevojë, të cilët nuk mund të sigurojnë plotësimin e nevojave bazë jetike për shkak të aftësive dhe mundësive të kufizuara social ekonomike.

Ky projektligj mundëson përcaktimin e kategorive përfituese të ndihmës ekonomike, pagesës së aftësisë së kufizuar dhe bonuseve të bebeve.

Thjeshtohen procedurat e panevojshme për përfitimin e ndihmës ekonomike dhe pagesës së aftësisë së kufizuar, duke përcaktuar procese të qarta dhe eficente të aktorëve të përfshirë në administrimin e skemës.

Aneksohet roli i këshillit bashkiak, i cili, në të shumtën e rasteve, për shkak të mosmbledhjes në kohë pengonte dhënien e përfitimeve në kohë, duke penalizuar qytetarët.

Ky projektligj shmang abuzivitetin në skemën e ndihmës ekonomike, duke nxitur qytetarët të përfshihen në programe formimi profesional për të marrë një profesion, përfshirjen në programe këshillimi për punësim, si edhe punësimin e tyre nëpërmjet ofertave të punës që disponojnë zyrat e punës.

Gjithashtu, i hap rrugën krijimit të një strategjie daljeje nga skema e ndihmës ekonomike të individëve dhe anëtarëvë në moshë aktive pune, përfitues të ndihmës ekonomike, duke siguruar riintegrimin social të tyre. Projektligj përcakton mënyrën e financimit të programeve së asistencës sociale, kontrollin e përdorimit të fondeve, sanksionet, në raste të konstatimit të shkeljeve, dhe procedurën e ankimimit për qytetarët, duke ezauruar të gjitha shkallët e ankimimit.

Efektet e pritshme të projektligjit në tërësi janë: Rritja e eficiencës dhe barazisë në skemën e ndihmës ekonomike dhe aftësisë së kufizuar, targetimi më i mirë dhe mbulimi më i gjerë i familjeve dhe individëve në nevojë, rritja e numrit të lindjeve dhe mbështetja e familjeve me foshnja të porsalindura.

Projektligji garanton administrim, menaxhim dhe kontroll më të mirë mbi përdorimin e fondeve të asistencës sociale, shmangien e abuzivitetit dhe menaxhim më të mirë të informacionit nëpërmjet sistemeve të menaxhimit të informacionit.

ndihma ekonomike-konica.al

Objektivat që synohen të arrihen në lidhje me programin e ndihmës ekonomike, kanë të bëjnë me:

I. administrimin dhe funksionimin e një skeme të përmirësuar të ndihmës ekonomike;

II. thjeshtimin e procedurave të panevojshme, për shkak të riorganizimit të skemës, të cilat janë bërë pengesë për mospërfitimin në kohë të ndihmës ekonomike;

III. nxitjen e punësimit dhe përfshirjen e personave në moshë aktive pune, përfitues të ndihmës ekonomike, në programet aktive të punësimit dhe formimit profesional;

IV. mosrefuzimin e ofertave të përshtatshme të punës nga zyrat e punës;

V. forcimin e masave shtrënguese në rastet e refuzimit apo largimit nga puna, me synimin për të shmangur sigurimin e të ardhurave në mënyrë alternative (informale);

VI. përjashtimin nga detyrimi i paraqitjes në zyrat e punës për t’u regjistruar si punëkërkues të papunë të anëtarëve të familjeve në zonat rurale, që zotërojnë ose jo tokë bujqësore në pronësi/përdorim, apo familjeve që kanë anëtarë në moshë aktive pune, që ndjekin arsimin e mesëm apo të lartë, por jo më shumë se deri në moshën 25 vjeç;

VII. menaxhim dhe kontroll më të mirë mbi përdorimin e fondeve të ndihmës ekonomike dhe shmangien e abuzivitetit.