Është e bija e Llazar Gushos (pseudonimi letrar, Lasgush Poradeci), poetit të parë modern shqiptar, lirikut më të madh kombëtar të shekullit XX. Marie Poradeci rrëfen disa detaje nga jeta e babait, marrëdhënien e saj me të dhe krijimtarinë e Lasgushit, sipas Shëndet +.
– Znj. Marie, para se të flasim për babanë tuaj dhe shkrimtarin tonë, do doja të flisnim pak për ju, për shkollimin, karrierën…
Nga partia u vendos që të vazhdoja për Ekonomik, sepse unë doja Letërsinë. Nëse nuk do të pranoja këtë zgjedhje që u bë për mua, do të mbetesha pa shkollë dhe do të punoja në fermë. Kam punuar si ekonomiste në ministrinë e Drejtësisë, në drejtorinë e auditit. Im atë preferonte mësuesinë. Kur u martua me mamanë time, ajo ishte mësuese dhe kishte mbaruar në institutin “Nëna Mbretëreshë”. Mësueset punonin deri në orën 12:00. Pas orës 12:00, nëna vinte në shtëpi dhe merrej me përgatitjet për drekën dhe punë të tjera të shtëpisë. Motra e arriti të bëhej mësuese, vazhdoi letërsinë me korrespondencë!
– E përmendët që në rreshtat e parë babanë, dhe dëshirat që ai kishte lidhur me shkollimin tuaj. A të ka mbetur diçka tjetër peng apo merak që nuk e keni bërë sa babai ishte me ju?
Po tërë jeta është plot me pengje që i zbulon çdo ditë. I gjithë procesi i jetës është një njohje e vazhdueshme, një zbulim i vazhdueshëm. Kjo është bukuria e jetës. Ti je në zbulim të vazhdueshëm, siç thotë Nënë Tereza “Lumturia nuk është një destinacion, është një rrugë”, domethënë kjo është bukuria e jetës, sfidat që ti përballon.
– Çfarë ruani në kujtesë, si kujtim të bukur, nga babai?
Ora biologjike e babait tim, nuk ishte njësoj me orën biologjike të shqiptarëve të tjerë. Ndryshe ngrihej, ndryshe hante, zgjohej në 10:00 në mëngjes dhe hante mëngjesin në 11:00, dilte, hante drekën në orën 16:00 dhe kjo mënyrë e të jetuari i ishte imponuar të gjithë familjes. Tani që reflektoj për ato vite, e shikoj që nuk ngjanim me asnjë familje tjetër, sepse nuk ngjante babai me të tjerët. I imponoheshim jetës së tij, edhe pse ndoshta, shpesh herë nuk na pëlqente.
– A kanë pasur njerëzit pritshmëri ndaj jush, prej imazhit, apo emrit që kishte babai juaj?
Babai, vërtet ishte shkrimtar/poet, por ai ishte njeriu më skurpuloz që kam njohur në jetën time, ishte jashtëzakonisht strikt. E gjithë dita e babit tim ishte e programuar dhe me këtë korrektësi, na mësoi edhe neve. Për një fëmijë të vogël është e lodhshme, sepse ndryshe e shikon jashtë dhe ndryshe brenda, por pastaj, thua: kjo është nëna ime, ky është babai im dhe do mësohesh. Ata janë njerëzit më të dashur për ty.
Çdo prind ka forma të veta për të edukuar fëmijët. Babai im, nga shkollat që erdhi, me kulturën e jashtëzakonshme që kishte, s’të gënjente kurrë, çfarëdolloj moshe të ishe, 4 vjeç, 5 vjeç apo 10 vjeç, babi nuk të gënjente, por do gjente mënyrën se si të ta thoshte, që edhe të mos të gënjente, por edhe të tregonte për pyetjen që ti i kishe bërë. Aq sa mund të kuptojë një fëmijë.
– Po me nënën tuaj, çfarë marrëdhënie kishte?
Nëna ime e adhuronte babin tim! Nëse nuk mund ta adhuroje atë, nuk mund ta doje! Vetëm një dashuri e fortë, një adhurim dhe një ideal mund ta bënte të funksiononte ajo marrëdhënie. Pasi babi ishte shumë tekanjoz, i donte të gjithë njerëzit rreth vetës në dispozicion të tij. Ai ashtu ishte, nuk është se sillej ashtu për snobizëm. Mami e kishte mësuar, që ajo nuk ishte martuar me Llazar Gushon, por me Lasgush Poradecin. Kështu që, dashuria i kalon të gjitha. Ata jetuan bashkë 44 vjet, derisa mami ndërroi jetë dhe 4 vjet më pas, ndërroi jetë dhe babi.
– A mendoni, se njerëzit e kanë kuptuar dhe interpretuar mire, botën e Lasgushit dhe krijimtarinë e tij?
Jo, jo, jo,.. në asnjë mënyrë! E kemi të vështirë ne, po ta kuptosh ti atë, nuk është më ai një gjeni. Nuk e kupton dot!
– Pogradeci ka frymëzuar shumë herë Lasgushin për krijimtarinë e vet, çfarë kishte të veçantë ky qytet, përtej asaj që shohin të gjithë?
E adhuronte Pogradecin dhe thoshte se, qytet më të bukur si ai nuk ka në botë. Kur babi përfundoi doktoraturën në Graz të Austrisë, ata i ofruan të qëndronte atje në katedrat e Albanologjisë, por nuk pranoi dhe u kthye në atdhe. Atëherë vendi kishte shumë nevojë për intelektualë dhe do vinte në Shqipëri, për t’i shërbyer Shqipërisë. Njëherë i kam thënë: “Po ti baba, a e ke kuptuar sa e ke paguar çmimin për t’u kthyer në Shqipëri dhe nuk ndenje atje”. Se atij i shkoi gjithë jeta dhe nuk u përmend kurrë, nuk iu botuan kurrë veprat. Ndërsa, ai më tha: “ Jo, jo bijë e babkës, se kur kujtoj Poradecin tim të dashur, jo”. Nuk jetonte dot, pa Pogradecin.
Ne qëndronim gjashtë muaj në Pogradec dhe gjashtë muaj në Tiranë. Atje ishte një shtëpi shumë e vjetër. Ndërsa, shtëpia e Tiranës ishte shumë e mire, e kishte ndërtuar babi në 1939-ën, kur u martua me mamin. Në Pogradec, rrinim muajt e verës. Nuk kishte komoditet, por ishte klima që atij i bënte shumë mirë. Kur shkonim dhe zbriste Qafë-Thanën, sa e shikonte liqenin thoshte: Ja, tani filluan të më skuqen faqet nga shëndeti. Babi ishte njeriu më me regjim në botë, që mund të ekzistonte.
– Çfarë regjimi mbante?
Babi ka qenë tërë jetën shëndetlig, u sëmur nga mushkëritë që në moshën 17-vjeçare. Fati i tij i mirë ishte që kishte shkuar në Rumani, në Greqi etj. Por, ne nuk e kemi parë atë të pijë ilaçe dhe të gjithë regjimin e vet, ai e kishte rregulluar me regjimin ushqimor dhe shëtitjet. Pra, ishte një shembull i përkryer i jetës së shëndetshme, ushqimit, shëtitjes, fjetjes dhe të gjitha. Babi nuk merrte ilaçe!
– Ju vetë i ndiqni këto rregulla, apo këtë regjim?
Tani, ne e kemi jetën më të stresuar se babai im. U vështirësua jeta, që në kohën e babit tim na u vështirësua shumë jeta. Mami na u sëmur shpejt, babi menjëherë pas saj. Si të thuash, ne ishim këmbët dhe duart e tyre. Por, prapë ne përpiqemi, e kemi si shembull: ha pak dhe rro shumë – thoshte babi. Ai nuk pinte as ilaçe tensioni, çdo gjë e rregullonte me zarzavate, fruta, me shëtitje dhe me klimën e Pogradecit.
– A mendoni, se jetoi në një kohë që i jepte “lirinë” të ishte gjithçka që ai mbartte brenda vetes?
Babi jetoi në një kohë shumë të keqe, se babi heshti. Edhe nëse do të shkruante, do t’i thoshin pse nuk shkruan ti për partinë. Do të shkruash ti, por për partinë jo. Kështu nuk shkroi fare, që të mos shkruante për partinë.
– A ka ndonjë poezi apo material tjetër të pabotuar, nga Lasgushi?
Jo, nuk ka mbetur asgjë, janë botuar të gjitha. Nëse ndonjë nga miqtë mund të ketë marrë ndonjë shkrim të tij, që ne nuk jemi në dijeni, por jo nuk ka.
Ne, pas 1990-ës çfarë kemi gjetur i kemi botuar, të gjitha me shpenzimet tona. Se këtu, të gjithë u rrekën të bënin dhe të nxirrnin librat e tyre, pa respektuar radhën. Nuk mund të shkosh nga A-ja te Zh- ja, ti do ndjekësh radhën. Umberto Eco, një gjeni, ka thënë “mbylleni veprën time – pas 10 vjetësh, gjykojeni”. Këta tani, vetë e bëjnë, vetë e promovojnë, vetë e shesin, shkatërrim kulture.
– A keni menduar të ribotoni ndonjë përmbledhje të tij, me një parathënie tuajën?
Do bëj një, si e kam njohur unë babanë, por ka mbetur aty. Se tani u vështirësuan dhe punët me shtëpitë botuese, këtu çdo gjë u bë false. Këtu u bë frikë, u bë Shqipëria një vend i frikshëm. E keqkuptuan njerëzit lirinë.
– A mendoni se është vlerësuar mjaftueshëm figura e Lasgush Poradecit, apo talenti i tij krijues kapërceu çdo pengesë dhe sfidoi kohën?
I tërë Pogradeci, babit tim i thoshin “zoti Llazar” dhe atij i thoshin “shoku Enver”. Atëherë kjo nuk lejohej, por i gjithë Pogradeci i thërrisnin “zoti Llazar”, ai ishte “shoku Enver”… Tre metra larg ishim, por kurrë nuk takuan.
– Gjuha shpreh nivelin kulturor të një populli. Po yjet, pse?
Babi bëri vëllimin e parë që u botua në Rumani dhe e quajti “Vallja e yjeve”, vëllimi i dytë ishte “Ylli i zemrës” dhe vëllimi i tretë do të ishte “Zemra ime”, që nuk u arrit të botohej se erdhi komunizmi. Ai të gjithë veprën e vetë e ka ndarë në cikle: “Vallja e jetës”, “Vallja e vdekjes”, “Vallja e përjetësisë” dhe “Ylli i zemrës” ishte ylli që do ta godiste atë në zemër, ishte vasha shqiptare me karakteristika që them, se i gjeti tek nëna ime. Ndaj dhe martesa e tyre shkoi aq gjatë, sepse ato cilësi që ai donte i gjeti tek nëna ime. Nëna ime ishte një grua e mrekullueshme dhe një mësuese e merituar, por nuk bëhej mësuese e popullit sepse kishte burrin komunist. Kështu e kishin shkruar yjet dhe kështu ndodhi me ata të dy, ishte një marrëdhënie që nuk mund ta kuptojnë njerëzit e tjerë, se i kalonte caqet e të zakonshmes. Nëse pretendon që Lasgushi ishte i jashtëzakonshëm: një poet i jashtëzakonshëm nuk mund të ndërtojë një marrëdhënie të zakonshme. Jo për t’u bërë delirante këtu, por s’mundet, se ai zgjohej në orën 10:00, donte kosin, donte qumështin, donte zarzavatet, donte pak mish, bukën e bardhë, kështu do t’i përshtateshim atij, dhe këtë e bënim për hir të dashurisë, për hir të vlerësimit dhe respektit. E tërë jeta jote ishte siç ishte jeta e tij, ai të imponohej.
– Mund të më përshkruani një ditë të Lasgushit, të parë nga sytë e tu…
Për mua, ai ishte babai im, ishte Llazar Gusho dhe si të gjithë fëmijët që duan baballarët e tyre, ashtu e doja dhe unë, qëlloji që ishte dhe Lasgush Poradeci. Sepse, kur e di që babai yt është poet, është kënaqësi, por kur ti e di që ai rri këmbëkryq në kulturën shqiptare, është kulmi i kënaqësisë.
Kur rrinte në Pogradec, na mbante atje muajt e verës dhe ngrihej dhe na shërbente vetë. Të kesh baba Lasgushin, kishte dhe pjesën e njeriut dhe ai ishte një njeri i zakonshëm. Por, kur shkruan i vjen një perendi që i qëndron afër dhe Ia mban dorën. Vetëm atëherë, bëhej i jashtëzakonshëm.
– A shkruani ju?
Bëra vëllimin e parë me poezitë, të gjithë publicistikën në vëllimin e dytë, të gjithë korrespodencën e nënës dhe babait në vëllimin e tretë, të cilin e botuam për 100-vjetorin e babait. Pastaj në vëllimin e katërt kam bërë korrespondencën me Mitrush Kutelin, në vëllimin e pestë kam bërë korrespondencën me Asdrenin, kam botuar doktoraturën e babit ‘Dezertacion për Emineskun’, kam botuar një libër që ishte një dosje për shkollën shqipe të Pogradecit dhe nuk arriti ta bënte dot një libër. Kam gati dhe gjëra të tjera që nuk kam mundur t’i botoj, kam punuar shumë se e kam treguar babin në shumë dimensione që ai kishte. Botova pikturat e babit, albumin e pikturave, këto gjëra nuk njiheshin. Unë fillova të jepja dhe dimensione të tjera që kishte babi, gjithmonë i bën dashuria dhe jo detyrimi. I vetmi amanet që la, ishte që arkiva të shkojë në shtet.
– Çfarë marrëdhënie kishit me babanë? Po e tij, me motrën?
Këtu do të them diçka, një pyetje që ia bëja shpeshherë. Babi, kë do më shumë mua apo Kostandinën? Konstandina kishte emrin e gjyshes, nënës së babit, ndërsa unë Marie kam emrin e motrës së babit. Baba, kë do më shumë? Dhe ai thoshte të dyjave njësoj ju dua. E pyesja prapë, po jo pak më shumë? E ngrinte tonin e zërit, “të dyjave njësoj ju dua”. Unë vazhdoja dhe këmbëngulja. Unë e kuptoj që ti e do Kostandinën dhe ai kthehej, unë të thashë dy herë që njësoj ju dua. Ai më kthehej për të më thënë që ti do të më ngacmosh. Dhe, më thoshte: “Kur e kupton mos pyet”. Për hir të së vërtetës Kostandinën e donte shumë, se ishte vajza e parë dhe ishte shumë e urtë, ishte kopja e motrës së tij. Ai e kishte qejf se ajo ishte bionde autoktone, bionde sy bojëqielli. Fiks si shqiptarët!
– Përtej Lasgushit si poet, çfarë kishte një element të karakterit të tij që ju si fëmijë e adhuronit, e donit?
Babi nuk kishte vese, babi nuk gënjente, të fliste poshtë e lartë, ishte njeri shumë i lartë.
– Si e kishte komunikimin me ju?
Babin, nuk mund ta imagjinoje të të përkëdhelte, siç bënte mami, apo të të thoshte “zemra e babit”. E vetmja përkëdhelje që të bënte, ishte “o bij e babkës”. Kaq, por që të thoshte “shpirti im, zemra ime”, nuk i kishte këto shprehje.
– Diçka që doni të ndani me ne….
Për mendimin tim, Shqipëria do fillojë të bëhet atëherë kur të flitet për babin tim, kur ta shpërndajë ai të gjithë dritën që mban me veten e vet. Kur Shqipëria të fillojë të flasë për Lasgushin, atëherë do të bëhet.