MENU
klinika

Parahistori

E vërteta mbi Epirin dhe Çamërinë

28.06.2019 - 12:03

“E nderojmë me adhurim popullin fisnik grek për kulturën e lashtë të ndritshme që i hapi njerëzimit dhe të lulëzimit në të të demokracisë së herët antike. Ashtu siç grekëve, – thekson Samiu, – u takon të na nderojnë për origjinën tonë hyjnore pelazgjike, me virtytet e larta si popull e si miq”.

Është fakt që e flasin dhe gurët, sot në Jug të Shqipërisë, krahas fitoreve të mëdha si një erë e tërë e gëzueshme që pruri demokracia, zhvillohet dhe një dramë e vërtetë, me autor kryesor shovinizmin vorioepirot. Strategjia e tij e gjatë dhe e palëkundur, e përballuar aq denjësisht nga të parët tanë të ndritur dhe tërë populli atdhetar, sot përparon brenda nesh me një skenar të përkryer. Pasi menduan se e kapërdinë Çamërinë, tani shovenët ëndërrojnë dhe kërkojnë hapur më përpara, gjer në Shkumbin. Njëra tezë e tyre: Epiri pas është Greqi, Teza tjetër: minoritarët grekë përpara janë autoktonë! Kombinojnë kështu dy të drejtat e domosdoshme: historiken me etniken. Politikën e një shteti e ushqen diplomacia. Diplomacinë-historia, dokumentet. Për këto bota kanë një industri të tërë akademish. Thua jemi komb pa rrënjë, bimë në sera të ardhur, siç “teorizojnë” shovenët. Kështu këta të fundit kanë marrë zemër e synojnë më përpara. Detyrohemi, t’u ngremë zërin “nga prapa”, nga anekset e grabitura të Epirit e Çamërisë. Të gjykojmë, na kanë borxh a u kemi?

 

 

 

 

 

E megjithatë, në këtë punim modest ne po flasim vetëm me zërin e të tjerëve, autorë dinjitozë të huaj. Vetë po tërhiqemi si shqiptarë dhe, shovenët le të merren me dëshmitë e dokumentet jashtë nesh. I tillë, kapërcimi i këtyre dokumenteve sigurisht është i vështirë, do të thoshim i papërballueshëm.

Që herët studiuesit shkruajnë, se dikur trojet e Shqipërisë së Jugut, helenët karshi i quajtën “Epir”, d.m.th. “kontinent” – tokë e thatë e sipërme, siç i shihnin ato nga ishujt e tyre. Është njësoj, vazhdojnë studiuesit, si peshkatarët e ishujve Bohama në Amerikë, bie fjala, ta quanin Floridën “kontinent”, emër që s’ka asnjë lidhje me kombësinë e popujve që rrojnë aty.

Në pjesën që i kushtohet Greqisë, Straboni nuk e përmend Epirin. Pas epirotëve dhe ilirëve, shkruan ai, vinë fiset greke. Skilaksi, (shek. e 6-të p. e. r.) duke përmendur Ambrakinë thotë pa ekuivok: “prej këndej nis Eladha”. Aristoteli për ishujt Diomeda në Adriatik thotë se “kur vinë këtu helenët” – d.m.th. banorë të jashtëm të tyre. Më poshtë thotë: “kur vinë barbarë që rrojnë aty afër”. Te komedia “Lutëset” një helen thotë se “pushteti im arrin në trojet e Perrebëve… mbi malet e Dodonës, këtu dhe caku i fundit yni”. Dodonën Eskili e quan “orakull i famshëm thesprot”. “Që në kohë të vjetra, shkruan Straboni, Dodona ish nën sundimin e thesprotëve  së toku me malin Tmarr… më pastaj u vu nën pushtetin mollos”. Aristoteli te “Poetika” flet mënjanë për Kushtetutën e Epirit, si e ndryshme nga ajo helene. Si të huaj, “barbarët” s’morën pjesë në lidhjen akeje kundër Trojës. As në luftën kundër persëve. Ashtu si helenët nuk u ndihën fiseve “barbare”, kur këta u gjakosën me Pal Emilin romak në Epirin e tyre. Në komedinë e Aristofanit një helen, Diceopuli ankohet: “si duroni në gjirin e atdheut/dhunë të tillë prej barbarëve”! Virgjili, duke e marrë Epirin jashtë helen dhe Italinë me emrin e lashtë Esperi, në poemën Eneida flet me gjuhën e Eneut: “qytetet vëllezër të një kohe/e vëllezër të një gjaku/nga Epiri e Esperia që patën të përbashkët Dardaninë/ashtu si patën dhe ngjarje të përbashkëta/të dy Trojet një t’i bëjmë në shpirt/Qoftë amanet për nipërit ky ideal”.

 

 

 

 

Studiuesi Kamile Poganeli, thotë se kolonitë e vjetra rreth Durrësit e Apollonisë dhe në përgjithësi shumica e bregdetit, kishin qytetërim më vete, kur shqiptarët që u tërhoqën në malet ruajtën kombësitë e tyre, ashtu si baskët në Pirenej”.

Në eposin-kronikë për Historinë e Bizantit shek. 13 e.r., Efremi shkruan se “Pjeri nga Durrësi përmes vendit të shqiptarëve, nxitoi të pushtonte Kostanditinopojën”, etj.

Epiri përdorte një gjuhë të tij, shkruan Straboni – dhe në Maqedoni s’përdorej tjetër gjuhë, veç kësaj. Në takimet e barbarëve s’përmenden gjëkund përkthyes mes tyre. Kurse te Komedia “Zogjtë” e Aristofanit, përmendet një dialog mes helenëve e barbarëve. Së pari, jepet një shpjegim nga njëri prej personazheve helenë, i cili thotë: “Perënditë barbare quhen Triballe… Po agjërojnë si në festat e Demetrës dhe duke thirrur me të madhe nga uria, si ilirët, thonë se do t’i hidhen Zeusit mbi kokë… Këtej do dalë ai mallkimi ynë “qofsh me tri halle”. (Këta “barbarë” – shkruan Pjetër Bogdani,- kishin 30 mijë perëndi pagane. Kështu të parët tanë kishin pranuar me kohë një pluralizëm qiellor, toleruar si gjëkund nga njerëzit në tokë).

Studiuesi amerikan Xh. Uilljams, ish-ambasador në Ballkan e gjetkë, shkruan: “Po t’u kthehemi kohëve prehistorike, para se barbarët homerikë t’u këndonin heronjve mitikë, para se të shkruhej gjuha greke, jetonte një popull i njohur, “Pelazgie”. Këta ilirë duken akoma në Shqipëri”. Që në shek. e 6-të p. e. r. Skilaksi shkruan se Joni, bir i Durrahut, u vra në luftë. Trupin e hodhën në detin që mori emrin e Jonit”. Këtë ide e mbështet Stefan Bizantini në shek. e 6 e. r., kur thotë se “deti Jon quhet nga heroi ilir i quajtur “Jon”. Pastaj u quajt “Deti i Mollosëve”, vazhdon i njëjti autor. Në studimin “Historia e racave njerëzore” E. Pitard duke përmendur se antropologun Deniker shkruan Shqipëria dhe Epiri hyjnë në tipin Adriatiko-shqiptar. Banorët e Epirit, thotë nga ana e tij perandori i Bizantit Leoni i Mençur, janë arbërorë. Në librin “Ali Tepelena, Pashai i Janinës”, studiuesi francez G. Remerand shkruan: “Çamëria që korrespondon me Thesprotinë e lashtë është vendi mbi bregun e detit Jon, nga Saranda në Prevezë”.

Prof. Aldo Sestimi në studimin “La Çamëria” shkruan: “Çamëria ka 279 fshatra me një popullsi rreth 113 mijë banorë, nga të cilët vetëm 20 mijë janë grekofonë, dhe këta me origjinë shqiptare”. Pukvili, konsulli francez pranë Ali Tepelenës, i njohur si filohelen i skajshëm, shkruan se: “habitem si në Çamëri gjithë banorët flasin shqip”. Studiuesi i njohur francez Robert D’Anzheli shkruan: “Pelazgo greko-shqiptarët kudo që qenë e flisnin gjuhën pellazge d.m.th. shqipen… pastaj një gjuhë të dytë letrare, ose e dijetarëve, që greqishtja në Greqi e Azi të vogël, e latinishtja në Itali e Perëndim”. Dijetari i njohur Tunman shkruan për iliro-epirotët: “në gjuhën e tyre nuk kam gjetur asnjë gjurmë të ndonjë shtegtimi të vonë. Gjuha e tyre ka dhënë, për fatet e atij populli, dëshmi të tilla që nuk mund të mos shoh ai fqinjët e stërlashtë të grekëve e nënshtetasit e Romës. Dhe të dyja këto më tregojnë ilirët e moçëm”.

 

 

 

 

 

Studiues të shumtë shënojnë, se epirotët dhe helenët të përbashkët kishin emrat e perëndive. Mbetet tepër domethënës fakti, që emrat e perëndive pelazgjikë shpjegohen me gjuhën shqipe dhe vetëm me atë. Falsifikuesit këtu akoma s’arrijnë dot gjer në manipulimin e perëndive). Shpjegimi në shqip i tyre nuk është rastësi që mund të ndodhë. Analogjia nuk është thjesht në fonetikë të fjalëve, po në kuptimin logjik. Dihet, shumë rastësi lidhur me një logjikë të brendshme përbëjnë një ligjësi. Studiues të shumtë anëve befasohen nga analogjia e fjalëve brenda kuptimit real që ka perëndia: Zeus – zë, zoti që lëshonte gjëmimet e rrufetë. Afërdita – ylli afër ditës, i mëngjesit, perëndesha e bukurisë. Athena – e thëna, perëndesha e diturisë. Haos – hapësirë që të ha, perëndia lart, bijë e hapësirës Gea – dheu, bija perëndi e tokës Dhemetra – dheu mitër, perëndesha e pjellorisë. Errebus – errësira, perëndia bijë e territ. Nemesis – nëma, perëndia e mallkimit. Meni – mëni, mëri (fjala e parë e Iliadës). Eriniet – erërat e hakmarrjes, perëndesha të ndjekjes. Tetis – deti, sunduese e deteve. Musa – mësues, kujdestare e arteve. Ajaks – gjakës. Priamos – bir i amës. Vranos – vranët, perëndi e qiellit shfaqur në zemërim, vranësi; – e me radhë.

“Ku i morën epirotët këto rrënjë që kemi dhe ne shqiptarët sot? – thotë një studiues atdhetar. – Mos befas të parët tanë komunikuan me të lashtët e vdekur pellazgë, të cilët u çuan nga varri, u thanë fjalët e perëndive epirotase, vetëm atyre kaq shumë, e u futën prapë në varr?!”.

Siç thamë Epiri, Iliria, Maqedonia të quajtur “barbarë” nga helenët, qenë të ndryshëm prej tyre. Tre të parët qenë të afërt me njëri-tjetrin si degë të një peme. Straboni Ilirinë e Maqedoninë i trajtonte tok. Ai shkruan: “Epiri përdorte një gjuhë të tij… dhe në Maqedoni s’përdorej tjetër gjuhë veç kësaj”. Plutarku shkruan: “Maqedonia dhe Epiri kishin gjuhë të përbashkët jashtëhelenë”. Demosteni në Filipikët e famshme (kundër Filipit të Maqedonisë) shkruan se “Filipi i Maqedonisë jo vetëm që nuk është grek, po nuk kish asnjë lidhje me ta. Për të më kuptuar më mirë, vazhdon ai, asnjë barbar nuk mund të dalë i mirë prej andej… Ka vetëm një murtajë maqedone, ku nuk mund të gjesh asnjë skllav për të qenë…”.  Po në “Filipiket” Demosteni thotë se epirotët, maqedonët, ilirët nuk bënin pjesë në Këshillin e Amfiktionës, qendra fetare e politike helene.

 

 

 

 

 

Filipi i Madh u fut në këtë Këshill me forcë. Filozofi Theofrast, i shek. 4 p. e. r. në veprën “Karakteret” shkruan se ka dëgjuar të pëshpëritet se dikush nga helenët mban fshehur në shtëpi një njeri ardhur nga Maqedonia që prej katër ditësh, e se ai di mirë çdo gjë. “Shqipja, – shkruan Xh. Uilljams, – qe gjuha amtare e Aleksandrit të Madh që zaptoi botën dhe e Pirros së Epirit”. Hahn, shkruan: “shqiptarët janë autoktonë se rrjedhin drejt për drejt nga ilirët, siç del gjithashtu popullsia e Maqedonisë dhe Epirit, të gjitha derivate të pellazgëve parahistorikë”. Studiuesi francez E. M. Vonjë, shkruan: “Shqiptari është Epiroti i Pirros dhe i falangës maqedone që Aleksandri e çoi deri në thellësi të Azisë”. Gjeografi i shquar Mallet Bron, përmendur nga Samiu, thotë: “Epiri, Maqedonia, Iliria janë pellazgë. Pellazgë do të thotë shqiptarë dhe se Epiri, që nga kohët më të lashta ka qenë tokë shqiptare”.

“O Shqipëri ku lindi Iskanderi…” (d.m.th. Aleksandri i Maqedonisë) e nis madhërisht një këngë të poemës, Bajroni. Historiani francez Duplessia shkruan se “Skënderbeu quhej mbret i epirotasve dhe i maqedonëve. Ushtarët e tij qenë nipërit e Pirros e të Aleksandrit të Madh”. Kronikat shënojnë se Skënderbeu u zgjodh mbret i Shqipërisë nga të deleguarit e Epirit, Prevezës, Vlorës, Beratit, nga ilirët, maqedonët, etj.”, e u quajt Issus Nazarenus, Princ i Ematies, mbreti i shqiptarëve, tmerr i osmanëve, mbret i Epirit i Bekuar”. Po kështu historiani anglez Knollës shënon se Skënderbeu është mbret i Epirit. Kruja – kryeqytet i Epirit (atë që thoshte me generozitet vetë Heroi ynë i madh: “nëse kronikat nuk gabojnë, ne jemi epirotas”). “Regjimenti i Suljotëve nën Napoleonin si regjiment shqiptarësh” quhej zyrtarish aty “Legjonë epirote”, kurse një kavaleri e njohur shqiptare në Paris quhej “Epirote”. Në shek. e 5-të Shkodra pikë referimi e atdhetarisë më sublime të patjetërsuar, krijoi një vëllazëri që e quajti “Vllaznia e shkodranëve shqiptarë ose epirotë”. Historiani francez i shek. 19-të shkruan se “deri në kohët e fundit gjendet një regjiment shqiptar në rojet e mbretërve të Napolit që quhej “Real Macedone”.

 

 

 

 

 

Pikë e mprehtë pretenduese, si një majë që krijoi histori të dukshme, mbetet Suli. “Suljotët, – thotë Bajroni, – qenë një kastë ushtarake e të krishterëve ortodoksë shqiptarë që rronin në male të larta, të cilat sundonin rrjedhën e lumit Akeron. Po të formoja një trupë të zgjedhur, një kryetrim do ta merrja nga suljotët”.

“Suli është rajoni i skajshëm i Shqipërisë”, – shkruan Dr. Holland. Dhe vazhdon: “Shqipëria nis me një rrip toke të ngushtë nga male të Sulit në Veri të Gjirit të Artë”. Majori Lik shënon se “Në Jug kufijtë e Shqipërisë në bregdet arrijnë deri në Prevezë, dhe Suli është rajoni i saj ekstrem”. Oficeri francez Adolf Cerbeer shkruan se suljotët janë gjak shqiptar”. Fjalori greqisht i Historisë dhe Gjeografisë nga Vutirjë, Sulin e shënon shqiptar. Edhe konsulli Paparigopullos, hija e zezë pas Ali Tepelenës, Suljotët i quan shqiptarë. Studiuesi italian me origjinë skoceze, Renco Falaski, shënon: “Në fillim Ali Pashë Tepelena, për ta forcuar pozitën e tij, kish luftuar edhe kundër suljotëve heroikë, atyre shqiptarëve të krishterë të Evropës që ishin kryengritur kundër Portës së Lartë”. Për këtë arsye, thotë historiani turk Ibrahim Mansaun Effendi, shumë njerëz në Evropë suljotët i marrin për grekë, nga luftimet e tyre me Ali Pashë Tepelenën”.

 

 

 

 

 

Bajroni në poemën e tij shkruan: “Agimi lind… me të çohen brigjet e Shqipërisë së rreptë, shkëmbinjtë e Sulit”. Pastaj më tej: “E kush është më trim se suljoti zeshkan?…”. Piktori Leiç shënon: “Hyra në Epir, në brendësi të Shqipërisë”. Dhe nën tablo shkruan: “Lugina e Sulit. Shqipëri”. Marko Boçari te Fjalori i tij e shënon veten “Epiroti”. Kurse kur donin ta gradonin në kryengritjen greke, me modesti tha fjalët e njohura: “Grada dhe diploma për mbrojtjen e Greqisë, mund të më jepet vetëm nga bashkatdhetarët e vendit tim, Shqipërisë”.

Studiuesi Falaski shënon në fund: “Akoma sot, dhe veçanërisht në More, në Epir, ku arbërorët flasin gjuhën shqipe, është ruajtur një këngë që kujton ato kohë heroike, një strofë e së cilës thotë: “kjo gluha arbërishtë / ish gluhë trimërishtë/e flit Nazarko Mjauli/Boçari e gjithë Suli”./Konica.al

 

Nga: Agim Shehu

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Shqiptarët, një racë e rrallë; miq e armiq të turqve!”

‘Shqiptarët më 1904-ën’, si i përshkruante gazeta amerikane


“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët